Qytetare qe luani ne kazino kujdes ju vjedhin!

Qytetare qe luani ne kazino, kujdes, ju vjedhin!
Tregu i lojërave të fatit po zgjerohet nga muaji në muaj në vend, aq sa pa shumë mundim mund të gjesh sallë lojërash në çdo rrugicë lagje apo cep pallati. Rritja e numrit të makinave në përdorim, por edhe e taksave që paguajnë subjektet tregon se kumari luhet gjerësisht. Tregu në fjalë është i rregulluar direkt apo indirekt nga ligje, udhëzim apo rregullore, megjithatë “bosët” e lojërave të fatit gjejnë gjithnjë rrugëdalje duke rritur fitimet e tyre në kurriz të shtetit duke mos paguar taksat por edhe në kurriz të lojtarëve duke mos i siguruar minimalisht një lojë të drejtë apo në rastet më flagrante, duke ndërhyrë edhe në makina. Gazeta ka ndjekur në mënyrë periodike ecurinë e këtij tregu në Shqipëri duke siguruar herë pas herë të dhëna konfidenciale, të cilët i ka publikuar duke u bërë shkak edhe për nisjen e aksioneve të kontrollit në tregun e lojërave të fatit nga autoritetet përgjegjëse.

Dokumente konfidenciale të dala nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, autoritetit përgjegjës për kontrollin e këtij tregu, tregojnë se një pjesë e mirë e makinave (rreth 400 të tilla) që funksionojnë në të gjithë vendin nuk janë të certifikuara duke lenë të hapur rrugën për vjedhjen e lojtarëve nga organizatorët e lojërave. Tek NjMLF, ka një drejtori të posaçme për certifikimin e makinave elektronike, por në pjesën më të madhe të rasteve ajo nuk lejohet të punojë për shkak të ndërhyrjeve nga funksionarë të lartë shtetërore apo politikanë të ndryshëm, të cilët e kanë ndarë tregun në zonat e tyre të influencës duke lejuar kështu edhe shmangien masive nga shlyerja e detyrimeve fiskale ndaj shtetit. “Tashmë e kemi mësuar se ku mund dhe ku s’mund të futemi”, – rrëfen për gazetën një ndër inspektorët e NJLF-së.

Por si paraqitet situata me certifikimin e makinave elektronike? Ka dy mundësi që kazinoja të mund të mos certifikojë makinat. Rasti më i mirë në këtë situatë është ai kur kazinoja regjistron makinat, por nuk i ka të certifikuara ato. Në këto raste, shteti vjel normalisht taksat (në varësi të makinave që janë regjistruar), ndërsa lojtari mbetet i varur nga sinqeriteti dhe dashamirësia e pronarit, pasi për aq kohë sa makina nuk është certifikuar nga Drejtoria e Certifikimit pranë NjMLF-së, ajo mund të bëhet pre e ndërhyrjeve të ndryshme. Situata rëndohet në rastet kur makinat nuk janë të regjistruara. Makinat e paregjistruara janë automatikisht të pacertifikuara. Në këtë situatë vidhet shteti nëpërmjet shmangies së taksave por edhe lojtari, i cili ka më pak mundësi për të fituar në rast se është ndërhyrë në makinë.

Zyrtarisht anë treg funksionojnë në këto momente rreth 2 400 makina elektronike në të gjithë vendin dhe i përkasin 25 kompanive. Nga këto, vetëm shtatë kompani janë të mëdha kurse pjesa tjetër operon me numër të kufizuar makinash. Nga 2 400 makina, mësohet se rreth 400 prej tyre janë të regjistruara, por nuk janë të certifikuara. Pra, pronari paguan taksat por nuk lejon inspektorët e NJLF-së që të verifikojë nëse në makinë është ndërhyrë apo jo.

Por ky nuk është numri real i makinave të pacertifikuara. Gazeta ka publikuar në fillim të marsit një investigim, i cili lidhej me shmangien masive të kazinove nga regjistrimi i makinave duke mos paguar taksat. Nga të dhënat, u mësua se një pjesë e mirë e tregut funksionon në të zezë (burime këmbëngulin se është gati gjysma e tregut). Në këto kushte, automatikisht të gjitha makinat e padeklaruara janë edhe të parcertifikuara duke i hapur rrugën ndërhyrjeve në to.

Lojtari “fiton” jo më pak se 80 % të shumës së luajtur

Përveç se prek lojtarin, mos certifikimi i makinave elektronike shkel drejtpërdrejtë ligjin “Për lojërat e fatit” që rregullon specifikisht këtë treg. Për sa i përket kazinove elektronike, ligji parashikon se lojtarit duhet t’i kthehet jo më pak se 80 për qind e shumës që ai luan. Pra në çdo rast, nëse në një makinë është luajtur një milionë lekë, ajo duhet të kthejë në formë fitimi jo më pak se 800 mijë lekë. Përveç mos certifikimit duke i hapur rrugën ndërhyrjeve në makina, ka edhe një mori marifetesh të tjera, të cilat bëjnë që lojtarëve të mos iu ofrohet një lojë e ndershme. Një ndër to është ndryshimi i vendit të makinës. “Ka raste kur nëse shihet që një lojtar e karikon makinën dhe ajo nuk ka dhënë deri në mbylljen e kazinosë në mbrëmje, asaj i ndërrohet vendi pas mbylljes, pasi zakonisht lojtarët që lenë shumë kthehen përsëri në mëngjes për të luajtur në të njëjtin vend”, – shpjegon një inspektor i NJMLF-së.

Kompanitë e lojërave të fatit derdhen plot 50 milionë dollarë në arkën e shtetit gjatë vitit të shkuar. Kjo është një e ardhur e mirë, por e pamjaftueshme nëse marrin në konsideratë numrin e madh të pikave të basteve dhe kazinove që kanë mbirë gjithandej. Pavarësisht këtij aktiviteti, të dhënat nga terreni tregojnë se shteti vjel pak më shumë se gjysmën e detyrimeve që duhet të përfitojë realisht nga aktiviteti i kazinove elektronike.

Shmangia nga detyrimet e kazinove shkakton çdo muaj e më tepër dëm në buxhetin e shtetit për shkake dhe të zgjerimit të vazhdueshme të këtij tregu në Shqipëri. Nëse marrin të mirëqenë faktin se 45 për qind e këtij tregu funksionon në të zezë, ashtu siç deklarojnë burimet nga NJMLF-ja, përllogaritet që kompanitë të kenë “vjedhur” nga arka e shtetit rreth 22.5 milionë dollarë vetëm gjatë vitit të shkuar duke iu shmangur taksave.

Sipas ligjit, përveç taksave fikse për hapjen e sallës, të cilat variojnë nga 200 mijë deri në 400 mijë lekë në muaj sipas kategorisë së rrethit, pronari i kazinosë duhet të paguajë çdo muaj nga 100 mijë lekë për çdo makinë elektronike. Nëse ka të deklaruara 30 makina përshembull, detyrimi që duhet të derdhë është 3 milionë lekë.

Taksat që paguajnë kompanitë

Pjesën më të madhe të detyrimeve e paguajnë kazinotë dhe kompanitë e basteve sportive (skedinat). Të parat për nga shuma, janë kazinotë, të cilat vetëm për një muaj derdhin në buxhet rreth 260 milionë lekë taksa dhe detyrime të tjera që rrjedhin nga ushtrimi i aktivitetit. Detyrimet janë mujore dhe fikse për çdo sallë në rastet e basteve sportive, për çdo makinë apo për çdo ulëse në rastin e ruletave, por edhe variabile në varësi të xhiros së kryer.

Për kazinotë përshembull, kompania paguan një taksë fikse nga 100 mijë deri 400 mijë lekë për çdo sallë të hapur, si edhe një pagesë tjetër fikse mbi çdo makinë , kjo në varësi të rrethit ku është hapur salla. Kompanitë që ushtrojnë aktivitet në fushën e basteve sportive duhet të paguajnë 25 për qind të fitimit në formë tatimi, por shuma nuk mund të jetë më e vogël se 10 milionë lekë për ato që kanë më pak se 99 pika, më pak se 12 milionë lekë për ato që kanë deri 149 pika dhe jo pak se 14 milionë lekë për ato që kanë më shumë se 150 pika.

Si “vidhet” kazinoja?

Ka mjaft raste kur kazinotë “vjedhin” lojtarin por nuk mungon edhe e kundërta. Kohët e fundit qarkullojnë aparate të posaçme, të cilat injektojnë para hipotetike në sistem dhe ai luan sikur të jenë futur realisht kartëmonedha. Një fenomen i tillë është kthyer në problem serioz aq punonjësit tregohet tepër të kujdesshëm ndaj lojtarëve të tillë. Aparati prodhohet kryesisht në Kinë dhe në përmasa tejet të vogla. Mjafton të jesh pranë një makine elektronike dhe të shtypësh butonin dhe ai injekton një shumë të caktuar në të, gjë e cila të mundëson të luash pa harxhuar para duke rritur edhe shanset për të fituar.

Dimri, periudha e artë e kumarit

Për një arsye apo tjetër, duket se periudha e dimrit është ajo kur kazinotë dhe kompanitë e basteve sportive nxjerrin pjesën më të madhe të të ardhurave të tyre vjetore. Tabela e pagesave që çdo kompani ka kryer për çdo muaj të vitit të shkuar, të cilën gazeta e ka siguruara në rrugë konfidenciale tregon se gjatë muajve të dimrit kompanitë kanë paguar më shumë takse. Kështu përshembull, nëse në muajt qershor-korrik, shuma totale e taksave që kanë paguar kompanitë e kazinove varion nga 250 në 252 milionë lekë, ajo arrin deri në 269 milionë lekë gjatë muajve dhjetor apo janar. Rritja vjen në mënyrë progresive duke nisur nga tetori.

E njëjta panoramë vërehet edhe tek bastet sportive (skedinat). Por ndryshe nga kazinotë, një ecuri e tillë lidhet me periudhën kur zhvillohen kampionatet e futbollit, me të cilat është i lidhur kryesisht aktiviteti i këtyre kompanive. Kështu, gjatë muajve të verës 2011, taksat që paguajnë kompanitë e basteve sportive ishin në 125 milionë lekë, ndërsa në muajt e dimrit arritën deri në 155 milionë lekë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama