Një qytetar ka dëshmuar publikisht se njeh vrasësit e bankierit Artan Santo. Ai pretendon se ka pasur kontakte të shpeshta me kreun e Policisë së Shteti Artan Didi, ku i ka treguar emrat e vrasësve, targat e motorit dhe gjithçka tjetër.
Në intervistën e dhënë ne televizionin News 24, denoncuesi thotë se Didi nuk ka reaguar për arrestimin e vrasësve, e për pasojë i është drejtuar prokurorisë. Edhe në këtë rast ai thotë se nuk ka gjetur bashkëpunim nga autoritetet, e i është drejtuar medies.
Bankieri Artan Santo, u vra në mënyrë mafioze nga dy persona, mëngjesin e 26 qershorit 2014. Ngjarja ndodhi pranë “Bankës Credins”, gjatë kohës që viktima po shkonte në punë. Atentatorët lëviznin me një motor të zi, e të maskuar me skafandra.
Dëshmia e plotë e denoncuesit
Dëshmitari: Kam shkuar dhe për qark dhe kam parë disa herë. Ditën që u bë vrasja shkova të shikoja ku parkohej ditë për ditë dhe nuk ishte. Shkova ditë për ditë atje dhe në krye të 14 ditëve ka dalë motori i modifikuar.
Gazetari: Çfarë modifikimi i kishin bërë motorit?
Dëshmitari: Para vrasjes motori pjesën e parme dhe të pasme e ka pasur të bardhë. Pas vrasjes e kanë bërë të zezë dhe disa modifikime të tjera, të vogla që nuk i dallon. Aty u vura në dyshim. Më pas shkova te një miku im në Tiranë për darkë. Atje kam dëgjuar një bisedë familjare, që gruaja e këtij zotërisë që ka motorin i ka thënë nënës së vetë që bankierin e ka vrarë sepse më ka marrë 300 mijë euro. Po për këtë nuk kam prova që ta vërtetoj që gruaja e shoferit i ka thënë nënës së vetë. Më pas aty u sigurova më shumë dhe lajmërova policinë, e kam marrë në telefon Artan Didin ( Drejtor i Përgjithshëm i Policisë) dhe i thashë se kam zbuluar vrasësit e Artan Santos në këmbim të 100 mijë eurove. Ai pranoi, më tha më jep emrat. I dhashë emrat, më pas ai kërkonte prova të tjera. Kështu që unë vazhdova, pasi unë njihja një mikun e tyre (të autorëve). Më pas e kam konfirmuar me miqtë e tij. Njoha një mikun e tyre, mikun e vrasësve edhe i thashë që për mua 99% ata janë. Ai ma konfirmoi duke thënë se ata janë vrasësit dhe se për arsyet e mija personale nuk bashkëpunoj, nuk i denoncoi. Ia tregova dhe këtë Artan Didit që miku i tyre e konfirmon që janë ata dhe më pas ai kërkoi sërish prova. Nëpërmjet një mikut tim i kam dërguar emrat dhe mbiemrat. E kam parë motorin më datë 16 qershor edhe motorin me targë edhe ata pa kokore. Kemi bërë marrëveshje që s’do i zbuloja askujt. Më tha mos hiq dorë, ata janë por që do e kem të vështirë se policia nuk ka dëshirë ta zbardhë.
Gazetari: Kontakte me njerëz të tjerë?
Dëshmitari: Unë me Artan Didin kam vënë kontakte. Ia kam dhënë emrat, Nuk kam interes. Po të kishte interes për 24 orë me prova të që kam dhënë unë, duhet t’i kishte kapur. Nuk ka interes.
Gazetari: Po pse iu drejtove shtypit?
Dëshmitari: Më vjen inat. E kam bërë marrëveshjen me policinë që këta janë emrat dhe do të jap në këmbim 100 mijë euro. As nuk më thotë që këta janë, do ta mbajë në farë kohe këtë muhabet dhe pastaj ta humbi, prandaj i jam drejtuar shtypit që të konfirmohet është apo jo. Unë për veten time jam i sigurt tre herë.
Gazetari: E ke takuar ndonjëherë Didin?
Dëshmitari: Më ka kërkuar dy herë të takohet ai, por miku im nuk më ka lejuar, pasi ne e kemi hedhur hapin e parë. Kemi treguar emrat, ai duhet të hedhë hapin e vetë. Të bëjë arrestimet pastaj të takohemi. Duhet të jetë reciproke, nëse nuk bashkëpunon ai përse duhet të takohemi.
Gazetari: Ke frikë të takosh Didin?
Dëshmitari: Frikë nuk kam por nuk kam dhe arsye. Unë i jap emrat dhe ai nuk bën punën. Për çfarë ta takoj? Nuk kam besim.
Policia e Shtetit, qytetari ka kontaktuar në telefon, e ftojmë të paraqitet
Policia e Shtetit thotë se informacioni në fjalë i është dhënë kreut të Policisë së Shtetit, Artan Didi, nëpërmjet telefonit nga një person anonim. Sipas burimeve zyrtare, denoncuesi nuk ka dashur të identifikohet dhe as të marrë takim të drejtpërdrejt me Didin, apo me ndonjë nga specialistët e ngarkuar me hetimin.
“Policia e Shtetit, është duke ndjekur këtë proces vlerësimi dhe verifikimi qysh nga data e marrjes së tij në telefon. Drejtori i Përgjithshëm mirëpret informacionet që i vijnë drejtpërsëdrejti, ndonëse kjo nuk është procedura normale, por vlerësimi i këtij informacioni dhe verifikimi bëhen nga strukturat përkatëse të hetimit.
Dhënia e një informacioni Drejtorit të Përgjithshëm, nuk përbën arsye për ta vlerësuar këtë informacion më shumë se të tjerët. Është grupi hetimor që bën vlerësimin dhe verifikimin dhe mbi këtë bazë së bashku me prokurorin e ngarkuar për këtë çështje, përcaktohet edhe plani i veprimit që do të ndiqet” shprehen burimet zyrtare të Policisë së Shtetit.
Në fund të deklaratës, policia i bën thirrje qytetarit në fjalë, që të paraqitet pranë Policisë së Tiranës ose prokurorisë, për të dhënë informacionet që ai pretendon se ka, lidhur më ketë ngjarje.
PD, pas vrasjes së Santos qëndron qeveria
Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me denoncimin e bërë publik nga qytetari, për vrasjen e bankierit Artan Santo. Deputeti i selisë blu, Arben Ristani thotë se shpërfillja e dëshmisë nga polici konfirmon përfshirjen e qeverisë në krimin mafioz.
“Dëshmia tronditëse e qytetarit në lidhje me vrasjen e bankierit Artan Santo, është një akuzë e rëndë për Policinë e Shtetit, dhe forcon dyshimet se pas ekzekutimit mizor të financierit dhe botuesit të njohur, qëndrojnë segmente të qeverisë. Informacionet që ka dhënë ai, janë hedhur në kosh.
Shpërfillja, lënia në rrugë e dëshmitarit, për raste të rënda kriminale, ku qeveria ka interesa, është kthyer tashmë në fenomen. Mjaft të kujtojmë këtu dëshmitarin e rastit Sinani, apo dëshmitarin për çështjen Frroku, për të kuptuar se besimi i publikut tek policia ka rënë, dhe me këtë qeveri ka rënë vlera e bashkëpunimit të qytetarëve për zbardhjen e vrasjeve mafioze.
Sipas medies emrat e deklaruar nga dëshmitari nuk i janë paraqitur prokurorisë, që do të thotë se ndaj tyre nuk janë kryer veprimet e duhura ligjore për të shkuar te personat e denoncuar e për t’i ndaluar ata” shprehet Ristani. Gjithashtu ai akuzon qeverinë për vrasjen e bankierit, duke thënë se përgjegjësit e rendit dhe sigurisë, kanë lejuar ekzekutimin e Artan Santos.
“Vrasja është lejuar të ndodhë. Pas vrasjes qëndron qeveria” përfundon akuzat deputeti i PD-së.