Qytetet me te ndotura te botes

Qytetet më të ndotura të botës
Ujë i ndotur, nivele kërcënuese të ndotjes së ajrit, që emetohen nga gropat naftënxjerrëse të ish-republikës sovjetike. Pikërisht, Bakuja, ky qytet ku njerëzit qëndrojnë ende gjallë falë mrekullisë së adoptimit me të keqen, është një nga vendet më të ndotura të botës. Situata aty është shumë e rëndë, por sigurisht që kryeqyteti i Azerbajxhanit nuk është aspak i vetmi me këtë shkallë ndotjeje. Sapo është publikuar lista e 25 qyteteve më të ndotura të botës.

Për banorët e tyre, retë e mëdha të tymit që nderen ditë e natë mbi qytete, shirat e acidit dhe kanalet e ujërave të zeza që përmbytin zonat e banuara, janë pjesë e jetës së përditshme. Sigurisht që ndikimi i tyre është i dukshëm në radhët e popullsisë, për sa i përket gjendjes shëndetësore dhe jetëgjatësisë. Lista e përpiluar nga "Mercer Human Resource Consulting‘s 2007 health and Stations Rankings" është pjesë e raportit të cilësisë së jetës, që përpilohet çdo vit dhe që bën renditjen e 215 qyteteve në botë, duke u nisur nga nivelet e ndotjes së ajrit, menaxhimit të ndotjeve e mbeturinave, ujit të pijshëm, shërbimeve spitalore, apo pranisë së sëmundjeve infektive.

Të gjitha qytetet i referohen Nju Jorkut, me një pikavarazh indeksor 100. Sipas kësaj liste, renditja nis me Bakunë, që ka një pikavarazh 27.6, më të keqin, dhe përfundon me Calgarin në Kanada, qytetin më të pastër, me një pikavarazh 131.7. Pas Bakusë vjen kryeqyteti i Bangladeshit, Dhaka, që është krejtësisht i ndotur nga gazet e trafikut dhe mosmenaxhimi i plehrave. Çështja e ndotjes së ajrit është një ndër më të rëndësishmet për shëndetin e njeriut, për përmirësimin e ekzistencës së tij, duke qenë se ajrin e thithim çdo çast dhe shpesh jetëgjatësia jonë varet prej pastërtisë apo ndotjes së tij. Numrat 3 dhe 4 të listës janë kryeqytetet e Madagaskarit dhe Haitit.

Si Antananarivo i Madagaskarit, ashtu edhe Port au Prince i Haitit, përballen me sfidat e rritjes së shpejtë të popullsisë urbane dhe si pasojë edhe të ndotjes. Mexico City, i Meksikës, renditet i pesti në listën e këtij viti. Banorët e këtij kryeqyteti kolosal ia detyrojnë ajrin e ndotur industrisë së makinave që emeton aq shumë dioksid karboni e gaze të tjera të rrezikshme për jetën e njeriut, sa kjo situatë ka alarmuar edhe vetë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, e cila ka këmbëngulur për marrjen e masave urgjente, pasi jeta e banorëve është në rrezik të madh. Një ajër i ndotur do të thotë shëndet i dobët dhe ekonomi që rrezikohen, pasi rritet kostoja e shërbimit shëndetësor e kjo shoqërohet edhe me rënien e produktivitetit në punë.

Marre nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama