Në Holandë, prej 60 vjetësh, mund të blesh shtëpi në një zonë ku makinat nuk lejohen. Ishte pikërisht ky shtet që në vitin 1953 mbylli trafikun në Lijnbanan, distrikti kryesor tregtar në Roterdam. Me një kulturë më shumë se 50-vjeçare në këtë drejtim, ambicia e këtij vendi të vogël shkon edhe më tej: krijimi i lagjeve të tëra krejtësisht të lira nga trafiku dhe mjetet e motorizuara. Njëlloj si në Vjenë, ku është eksperienca e konsoliduar e “Autofrei Siedlung” në Nordmannagasse, një zonë rezidenciale rreth 8 kilometra nga qendra, krejtësisht e “pastër”: rreth 600 familjet që banojnë aty në momentin e firmës në kontratë janë zotuar se nuk do të kenë një makinë në përdorim, duke zgjedhur për të lëvizur nga një vend tek tjetri mjetet e transportit publik, biçikletën apo ecjen në këmbë.
“Paraja dhe hapësira e kursyer falë mungesës së ndërtimit të parkingjeve mund të shërbejnë për të përmirësuar cilësinë e jetës së këtyre zonave me hapësira të gjelbra dhe shërbime kolektive”, - tregon një prej përgjegjësve të bashkisë për mbarëvajtjen e kësaj zone. Por, pas Nordmannagasse projekti është për të ndërtuar “Bike City”, qytetin ku mund të lëvizësh vetëm me biçikletë. Projekti sapo ka nisur, por 3400 persona e kanë prenotuar një apartament.
Le të kthehemi sërish në Holandë, për të folur për lagjen e saj të famshme “GWL Terrein”, ku asnjë prej banorëve nuk posedon asnjë mjet të motorizuar. E ndërtuar në fillim të viteve ‘90 në një zonë prej 6 hektarësh që në të kaluarën ishte e “pushtuar” nga një impiant gjigant për pastrimin e ujit, në “GWL Terrein” jetojnë rreth 100 banorë dhe nga një ndërtesë në tjetrën ka vetëm pista të gjelbëruara dhe shëtitore plot stola e lule shumëngjyrëshe. Të vetmet automjete që lejohet të hyjnë aty janë ato të policisë apo ambulancat, ndërsa në gjithë zonën mund të gjesh parkim vetëm për 135 mjete.
Është aktiv shërbimi “car sharing” (makinë në pronësinë e shumë vetave), i përdorur nga 10 për qind e banorëve, ndërsa të tjerët preferojnë biçikleta apo metronë jashtë kësaj zone. Nga Holanda le të shkojmë në Skoci. Lagja “Slateford Green”, në Edimburg, është ndërtuar në një zonë që dikur kishte një hekurudhë të braktisur. Nga rreth 250 familjet që jetojnë aty, asnjëra nuk ka asnjë mjet privat. Edhe në këtë rast ekzistojnë shërbime të transportit publik shumë efikase “car sharing” apo shkollat lehtësisht të arritshme në këmbë: vetëm 12 për qind e familjeve ka një makinë të parkuar jashtë kësaj lagjeje. Sipas një studimi të bërë nga “Slateford Green”, nga Universiteti i Kanadasë, është arritur në përfundimin se pjesa më e madhe e banorëve ka hequr dorë nga makina jo vetëm për një zgjedhje ambientaliste apo për përgjegjësi civile, por për mundësi ekonomike dhe nevojë.
Edhe në Britaninë e Madhe, kryeqyteti Londër ka lagjen e vet të lirë nga makinat. Quhet “BedZed” (Beddington Zero Energy Development), vetëfurnizohet nga pikëpamja energjetike dhe ka një bilanc zero për sa i përket emetimeve të dioksidit të karbonit. Qindra shtëpi, rreth 3000 metra katrorë zyra, dyqane dhe komplekse sportive, një qendër mjeko-sociale dhe një çerdhe: për të dekurajuar përdorimin e makinave është promovuar “shopping online” dhe është vënë në shërbim të banorëve një park ku gjen makina që nuk ndotin ambientin e që nuk mbajnë më shumë se tre persona në bord. Përveç kësaj, në dispozicion ndodhet edhe një flotë e vogël motorësh elektrikë për lëvizje jo shumë të mëdha.
Në Gjermani, në një distancë rreth tre kilometra nga Frajburgu, qytet ku ka pasur zona të veçanta vetëm për këmbësorët që nga vitet ‘70, që prej vitit 1998 në Vauban po ndërtohet ajo që mund të cilësohet si zona më e madhe pa makina në Europë, me rreth 6000 banorë dhe 2000 ndërtesa. Rrugë vetëm për biçikleta, hapësirë e kufizuar për vendet e makinave, autobusëve. Sigurisht që asgjë nuk mund të ishte e realizueshme pa miratimin e qytetarëve, që gjithmonë janë shprehur pro faktit që të kenë sa më pak mjete të motorizuara në zonat ku jetojnë. Janë të paktë në numër ata që kanë makina, të cilët duhet të paguajnë një gjobë të majme nëse e fusin atë në qytet. Një zonë tjetër pa makina në Gjermani është edhe në Kronsberg, në distriktin e Hanoverit, ku u shfrytëzua rasti i “Expo 2000” për të treguar se sa më pak mjete, aq më shumë na pret një jetë e shëndetshme. Sigurisht që në përzgjedhjen e kësaj liste nuk mund të mungonte Suedia.
Në Malmo, lagjja e re rezidenciale ‘Augustenboirg’: gjithçka bazohet tek pistat e biçikletave, zonat për këmbësorët dhe mjetet e transportit publik. Kështu, vetëm 20 për qind e familjeve ka në pronësi një automobil në krahasim me mesataren e ulët të të gjithë qytetit Malmo (35%). Rreth 80 për qind e rrugëve kanë një limit shpejtësie të kufizuar në 30 kilometra në orë, rreth 40 për qind e zhvendosjeve shtëpi-punë bëhet me biçikletë. Autobusët furnizohen me gaz natyral dhe bogaz.
Rrjeti i tramvajeve është shumë i përhapur dhe funksionon më së miri edhe një shërbim “car sharing”. Edhe qytete italiane, edhe pse me shumë vonesë, po arrijnë t’i bashkohen kësaj tendencë që sjell veç të mira për të gjithë: reduktim i nivelit të smogut dhe zhurmës, rritje e numrit të përdoruesve të transportit publik, rritja e gjallërisë dhe sigurisë së qytetit.