Ndryshe nga qytetet e tjera shqiptare, Shkodra kishte kushte shumë të favorshme për t’u bërë qendra më e rëndësishme ekonomike e vendit.
E vendosur anash një liqeni të madh, të pasur me peshk dhe të lidhur me detin nëpërmjet lumit të lundrueshëm të Bunës, e rrethuar me fusha, që udhëtarët i kishin cilësuar “të bukura e pjellore”, e përshkuar nga rrugë tregtare që vinin nga Kosova, nga Shqipëria Qendrore e Jugore, nga Maqedonia e nga Bosnja, Shkodra u rrit jo vetëm si qendra administrative e një sanxhaku të rëndësishëm, por para së gjithash si qendër zejtare e tregtare. Përveç skelës së saj në lumin Bunë, limanet e Tivarit, Ulqinit, Lezhës dhe të Durrësit ishin gjithashtu skela të saj. Më 1736, zëvendëskonsulli venedikas në Shkodër, që ishte tregtari shkodran Anton Duoda, shkruante se qyteti i Shkodrës numëronte një mijë dyqane në treg. Tre vjet më vonë, gjeografët venedikas njoftonin se Shkodra ishte “një qytet i madh”, ishte “qyteti kryesor i Shqipërisë”. Aty nga fundi i shek. XVIII ajo numëronte 6 700 shtëpi, d.m.th rreth 30-35 mijë banorë, ndërsa konsulli rus në Raguzë, himarioti Gjika, e çmonte popullsinë e qytetit deri në 60 000 frymë.
Për fuqizimin ekonomik të Shkodrës shërbeu në mënyrë të veçantë qyteti shqiptar i Ulqinit me 7-8 mijë frymë, i cili qysh në fillim të shekullit kishte një flotë tregtare prej 250 njësish të mëdha e të vogla të ndërtuara në kantieret e veta, prej nga vazhdimisht hidheshin në det anije të ndryshme të tipave tartanë, polakë, pink, trabekull, felikë si dhe një numër i madh barkash. Punëtorët, të gjithë myslimanë, zotëronin dijeni të shumta e të shumëllojshme për ndërtimin e anijeve. Duke qenë fare afër kësaj skele dhe duke qenë pjesëtarë në investimet e flotës ulqinake, tregtarët e Shkodrës, e rrjedhimisht edhe qytetarët e saj, patën te kjo flotë një mjet të rëndësishëm për tregtinë e mallrave.
Tregtarët shkodranë, ashtu si shumë tregtarë të tjerë shqiptarë, e lidhën veprimtarinë e tyre me Venedikun qysh në fillim të shek. XVIII. Me kalimin e viteve, duke shfrytëzuar me zgjuarsi konkurrencën midis porteve rivale të detit Adriatik, ata lidhën marrëdhënie tregtare edhe me Ankonën, Triesten etj. Jo vetëm në skelat veriore të vendit, por edhe në skelën me rëndësi ndërballkanike të Durrësit, ku ishin vendosur konsujt e Venedikut, Raguzës, Francës, Anglisë, Holandës dhe të Austrisë, shkodranët u dalluan si më aktivët. Mbi 80 për qind e tyre ishin myslimanë që tregtonin pjesën dërrmuese, rreth 90 për qind të vëllimit të mallrave. Kjo pasqyronte jo vetëm përbërjen fetare të banorëve të Shkodrës, por edhe fuqinë ekonomike të popullsisë myslimane që ishte më e madhe nga ajo e të krishterëve.
Hov më të madh tregtia shkodrane mori pas ardhjes në fuqi të Bushatllinjve e sidomos në dhjetë vitet e para të sundimit të Mehmet Pashës. Krahas zhdukjes së piraterisë dhe rregullimit të mosmarrëveshjeve me venedikasit, rol vendimtar në zhvillimin ekonomik të Shkodrës luajti rritja e prodhimit bujqësor e blegtoral për treg. Ekonomia bujqësore u lidh me tregun në të tillë shkallë, sa çifligarët, për të realizuar fitime të mëdha, filluan të mbillnin ato kultura që kërkonte më shumë tregu. Një ndër këta çifligarë ishte vetë Mehmet Pasha, i cili qysh në vitin 1764 mbolli sipërfaqe të mëdha me oriz e pambuk, dhe, si shumë feudalë të tjerë, u bë pjesëtar në tregti dhe në lundrim duke investuar këtu shuma të konsiderueshme. Në këtë periudhë tregtia shkodrane u gjallërua edhe për shkak se ajo filloi të përdorë gjerësisht kreditin. Konsulli venedikas i Durrësit shkruante më 1762 se pjesa më e madhe e tregtisë shqiptare ishte në duart e tregtarëve shkodranë dhe se ata ishin bërë “shpirti i saj”. Tregtarët shkodranë grumbullonin lesh, dyllë, lëkurë të punuara, drithëra dhe prodhime të tjera bujqësore e zejtare sidomos nga Tirana, Elbasani, Kavaja, Berati, Gjakova, Prizreni, Ohri e nga tregje të tjera shqiptare, ku kishin arritur të përcaktonin edhe çmimet e blerjes dhe të shitjes së mallrave. Ata futeshin edhe në Rumeli, e sidomos në Manastir, Shkup, Seres dhe në krahinat përqark tyre gjer në zonën e Selanikut, ku grumbullonin lesh, pambuk, lëkurë etj. Përveç Rumelisë tregtarët e Shkodrës kalonin thellë edhe në Serbi, Vllahi, prej nga sillnin dyllë, mëndafsh etj. Këto mallra ata i blinin ose kundrejt të hollash, ose kundrejt cohërash, pëlhurash mëndafshi etj. Në vitet 1760-1769, nga i gjithë vëllimi i mallrave që eksportoheshin për në Venedik prej limaneve të Durrësit dhe të Shkodrës, shkodranëve u takonte 87,4 për qind e leshit, 95,3 për qind e dyllit, 98,3 për qind e mëndafshit, 56,8 për qind e lëkurëve të punuara dhe kështu edhe për artikujt e tjerë.
Duke qenë se kapitali tregtar shkodran ishte bërë ndërlidhës kryesor i krahinave të ndryshme të Gegërisë me Shkodrën, pavarësisht nga copëzimi administrativ-politik ekzistues, lidhjet ekonomike të krijuara qysh nga gjysma e parë e shekullit, u përforcuan aq shumë në kohën e sundimit të Bushatllinjve sa morën trajtën e një tregu të madh ndërkrahinor. Ky treg ishte një hap shumë i rëndësishëm përpara drejt formimit të tregut të brendshëm kombëtar. Pjesa kryesore e kapitalit tregtar, në formë mallrash, anijesh, magazinash e parash, ndodhej ende në duart e çifligarëve, e veçanërisht të ajanëve të mëdhenj.