"Do e tymosim pak sonte, është mall i mirë. Çunat e kanë sjellë nga Lazarati". Bisedat të tilla mund t\'i hasësh në ndonjë nga lokalet me shumë muzikë në Qytetin Studenti, darkave poshtë godinave, apo stolave të lulishteve. Që të jesh pjesë e tyre, duhet patjetër të kesh njohje të mirë me bashkëbiseduesit dhe, për më tepër, të kenë krijuar besim.
Është quajtur qyteti i rinisë së përjetshme, por për shumë arsye, nuk i mjafton energjia e moshës. Kërkohet edhe diçka tjetër për të ardhur në qejf. Ndoshta, justifikim janë provimet e shumta, tejngarkesa mësimore, kjo e parë në raport me kohën e lirë, kalimi i kohës në video-lojëra, chat-imi në internet apo njohjet e reja. (për këtë të fundit, Qyteti Studenti mban rekord, që nga krijimi i tij dhe si zor që ta humbë ndonjëherë). A është e vështirë të takosh një shpërndarës narkotikësh në qytetin e dijes?
Po të kalosh një natë "të vëmendshme" aty, i kupton lëvizjet e personave që tregtojnë "mallin", por edhe të blerësve. Gjithmonë gjendet një vend ku nuk ka shumë dritë, të preferuara janë cepat e godinave të vajzave, kamufluar me ndonjë sinjal për "të dashurën". Por, vendet nuk janë çdo natë të njëjtë, ato ndryshojnë, mbrëmjen e ardhshme gjendet një tjetër.
Tre-katër vite më parë, "namin" për punë të tillë e kishte godina 20 - 21, (pjesa dërmuese e studentëve që jetonin aty ishin nga zona e Fierit). Por, moskultivimi i hashashit në zonën e Cakranit, u bë shkak që pikat e shpërndarjes së narkotikëve të zhvendoseshin diku tjetër në Qytet Studenti apo në banesat e shumta me qira, në zonën përreth. Shpërndarësit e kanë ndarë mendjen të shkëmbejnë lëndën e ndaluar me ca të holla të zhubravitura, të dala nga xhepi i ngushtë i një studenti.
Cilësia? Copë-copë! Mjafton një cigare me kanabis ende të pa përpunuar, ose e përzier me mbetje. E shumta, mund të shitet ndonjë porcion heroine, por edhe kjo rrallë, pasi është e pamundur të përballohet nga xhepat e studentëve. Raporti kërkesë-ofertë, është marrë vesh më së miri këtu. Kulmi është ora 24:00, koha kur pjesa më e madhe e rinisë vërshon në pub-e. Erdhi ora të "bojnë qejf".
Vajzat flakin tej çehret e zverdhura, (ndoshta nga studimi i lodhshëm?) dhe veshin kanatieret e vogla, xhinset, vendosin varëset e florinjta, byzylykët dhe, sigurisht, tualet të rëndë e parfumin më të shtrenjtë që munden. Pak muzikë, alkool, cigare duhani njëra pas tjetrës dhe, vjen edhe koha e hashashit. Kur cigarja e dredhur keq, ka shkuar në gjysmë, as mos mendo se mund të përmbahen. Dehen, ulërijnë deri në të gdhirë. Kur pyesim njërin prej tyre se përse e pi, përgjigja është e shkurtër: "Jam me sezon provimesh, dhe më duhet të rri zgjuar që të mësoj". Askush nuk është në gjendje të shpjegojë se si mund t\'i duket faqja e librit këtij...
Herë pas here, policia "lëshohet" në qytetin e studentëve, pas rrjedhjes së informacionit nga vetë grupi, në rastin më të mirë, arrestohen, si shpërndarësit, ashtu edhe klientët e tyre. Ka gjasa që të jenë të dy palët studentë, pasi sipas atyre që e bëjnë këtë biznes, filtrimi i studentëve është më fitimprurëse për ta. Rasti më i fundit u shënua vetëm pak ditë më parë, ku ranë në pranga 3 persona nga 23-vjeç. Policia i kapi në flagrancë në lokalin e njërit prej tyre. Ishin jo pak, po 51 qese, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të llojit kanabis sativa. E gjitha për "intelektualët e së ardhmes".
Gazeta: Shekulli