Qyteti pa Reklama (kreu XIX)


Të nesërmen dy të dashuruarit ishin të zbehur nga pagjumësia. Stela vështronte e çuditur syrin e nxirë të tij dhe asgjë nuk kuptonte. Ato vështrime plot mall të saj, ai do t'i kujtonte tërë jetën.
"Jam jotja. Jam jotja!" i përkthente ai sytë e saj. Ai gjithmonë mundohej t'i përkthente sytë e saj.
Disa herë i përkthente lehtë, disa herë me shumë vështirësi. Ajo nuk mundohej të përkthente sytë e tij. Edhe ai do të donte të mos ta mundonte enigma e syve të saj, por nuk mundte.
Në pushim, në sallën e profesorëve iu afrua Mentori.
-Gjon, ç'ke pësuar kështu?
-Lëre, mos i trego njeriut, siç duket dy miq të asaj mizerjes, Luiza Angonit... Lavirja!
-Aha, e mora vesh. Epo të shkuara... Dëgjo, dalim pak jashtë.
Ata dolën në korridorin e ngushtë plot zhurmë. Gjoni desh një herë t'i tregonte për Stelën, por pastaj intuita e tij nuk e lejoi. Kishte frikë mos Mentori ia ftohte me cinizëm gjithë atë zjarr.
-Dëgjo, - vazhdoi kimisti, - më në fund më duket se e gjeta formulën e përshtatshme. Eja sot nga unë të shikosh ca prova. Kam dy variante letrash, njëra veç e hap pak bojën speciale. Sidoqoftë...
-Mentor, - ia preu fjalën Gjoni, - më fal që ju shqetësova dhe ty dhe Eugjenin, por unë ndërrova mendje.
-Si? Sytë e Mentorit qeshën me habi. - Tallesh?
-Aspak. Puna është se ndërrova mendje. Ju po deshët bëni ç'të doni. Unë s'marr pjesë dhe s'marr asnjë përgjegjësi.
-Ç'do bëjmë ne pa ty?
Gjoni lëvizi vetullat me indiferencë.
Ra zilja. Mentori fshiu syzet dhe ndoqi me shprehje habie hapat e shokut. Eh, botë, o botë!
Edhe Eugjenit nuk i pëlqeu dorëheqja e shokut. Ai e gjykonte punën thjesht nga besa shqiptare, që s'duhej kthyer fjala. Sidoqoftë, puna u ndërpre menjëherë. Eugjeni, duke sharë e mallkuar, i mbylli në sirtar vjershat që kishte hartuar nën emrin e Çajupit dhe u betua që me Gjonin s'do përzihej më. Mentori, si më i përmbajtur, nuk prishi asgjë në marrëdhëniet me shokun dhe as e përmendi më këtë punë, duke u munduar të zbulojë shkakun e vërtetë të këtij ndryshimi. Dhe këtë shkak e mësoi shpejt.
Por miqësia e tyre u lëkund dhe u ftoh shumë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama