Qyteti pa Reklama (kreu XV)
- Botuar: 23 vite më parë
- Shkruar nga:
Më në fund, pas tri ditë grindjesh, ku u përpoqën si në duel filozofira, botëkuptime, perceptime të botës, moralë të vjetër e të rinj, citate të marra andej-këndej, pas ca dyshimesh e lëkundjesh, Gjoni me Mentorin e mposhtën Eugjenin kokëfortë. Erdhi, më në fund, ajo mbasdite e dëshiruar, kur u mblodhën në dhomën e Gjonit për të biseduar konkretisht për punën që do të bënin. Përpara kishin për të zgjidhur disa probleme: e para, të përcaktonin përmbajtjen e tekstit fals dhe vjetërsinë e tij. Nga këto varej një pjesë e vlerës së dokumentit. E dyta, duhej rindërtuar me kujdes gjuha e vjetër e tekstit në bazë të lidhjeve të gramatikës historike. Kjo i përkiste kryesisht Gjonit. E treta, ishte, si të thuash, zgjidhja teknike e problemit, domethënë shkrimi i tekstit me ngjyrë speciale dhe një nga punët më të vështira: vjetërsimi artificial i letrës ku do shkruhej teksti. Këto të fundit i përkisnin Mentorit, si kimist.
-E, si thoni shokë, a do të krijojmë (Gjoni nuk donte të përdorte fjalën "falsifikojmë") ndonjë dokument që dihet i humbur apo ndonjë dokument të panjohur fare? Kryesorja është që të ketë vlerë, të krijojë diskutime dhe interes.
-Po ja, për shembull, sikur të krijojmë letrën e humbur të murgut Brokhard, që vërteton se shqipja ishte shkruar qysh në shekullin XIV, - tha Mentori.
-Si shumë e guximshme, - vërejti Evgjeni, - si thua Gjon, ty të kemi kryetar.
-Kjo është e pamundur. E para, se letra e murgut Brokhard është shkruar në gjermanishten e vjetër, kështu që duhet rindërtuar një gotishte që edhe gjermanët vetë e kanë të vështirë. E dyta, dhe kryesorja, është se letra e tij ishte një raport papës apo perandorit, s'e mbaj mend mirë, i cili duhej gjetur në arkivat e tyre. Sepse, fundja, s'ishte veçse një kalimtar në Shqipëri. Kështu që do të nuhatej menjëherë hileja.
-Më mirë ta bëjmë vetë. Ç'na duhet të fusim hundët tek të tjerët. Po sikur të gjendet pastaj letra e murgut?
Të tre qeshën me fjalët e poetit.
-Unë mendoj kështu, - tha Gjoni. - Krijojmë një dokument, ku të vërtetohet teza e kryetarit të Akademisë së Shkencave, se toskërishtja është shkruar përpara gegërishtes. Me këtë rast dokumenti do të ketë vlerë më të madhe, sepse pohon tezën e kryetarit dhe jeta na mëson që me të mëdhenjtë duhet ta kemi gjithmonë mirë. - Fjalët e fundit i tha me të qeshur.
-I ke rënë në të, - tundi kokën Mentori.
-Dhe do ta hedhim në baltë profesorin O.B. në lidhje me ca forma të participit të shqipes së vjetër. Në dokument vemë ca forma, që vërtetojnë të kundërtën e tezës së tij.
-Ah, jo, jo, veç mos ketë larje llogarish personale, Gjon, - ndërhyri Mentori. - Më duket se të ka kthyer tri herë në provim dhe...
-Bah, - kundërshtoi Gjoni, - për mua fatet e gjuhës shqipe janë më lart se çdo ambicje personale.
Eugjeni qeshi me vete. Dhe Mentori qeshi me mend.
-Po mirë, - pyeti ky i fundit, - ç'përmbajtje do t'i vemë dokumentit, ti the se vlera varet nga përmbajtja gjer në njëfarë shkalle.
-Pikërisht për këtë duhet menduar mirë. Ah, prisni, më duket se e gjeta, për nder, e gjeta, - thërriti Gjoni. - Gjeta kyçin, dëgjomëni, me një gur vrasim dy zogj, lere se ç'do vejë. Oho, qejf i madh.
-Po nxirre, të shkretën.
-Gjithë vlera e dokumentit, përveç lavdisë që do t'i japë kryetarit të Akademisë, do të qëndrojë në faktin që ky do jetë dokument jo fetar, siç janë të gjitha dokumentet e vjetra të shqipes, por laik. Kështu që do të dalë se dokumenti i parë i shqipes së shkruar është laik. Kjo ka domethënie të madhe, më kuptoni? Kurse nga ana politike, është ideale fare.
-S'e ke keq, tha Mentori, veçse ca e guximshme.
-Ama do bëjë furore, ë?
-Do bëjë që ç'ke me të.
-Komedi do jetë sikur të fusim atje ndonjë aluzion për luftë klasash, atëherë do çmenden të tërë në Akademi, propozoi Eugjeni.
-Ç'ne, - kundërshtoi Gjoni. - Kjo do bjerë erë, pastaj. Unë mendoj të bëjmë kështu... megjithëse ti Eugjen na dhe një mendim të shkëlqyer. Dëgjoni, ne do të bëjmë një tekst, ku fshatarët e një fshati i luten kishës që, për arësye të zisë së bukës, t'i falë të dhjetat. Me këtë rast, kush është i etur, do të gjejë një fije luftë klasash.
-O, s'ka nevojë, ata do nxjerrin pastaj dhjamë nga pleshti. Për këtë janë mjeshtër.
-Unë them t'i vëmë datën... ta zëmë 1387, domethënë shumë vjet përpara formulës së pagëzimit.
-Në rregull fare.
Gjoni ishte skuqur pak nga dehja. Edhe të tjerët ishin të gëzuar. Të fillojmë sa më parë, sa më parë. Detyra kryesore i përkiste Gjonit dhe Mentorit. I pari duhej të studionte seriozisht shumë gjëra, të rilexonte leksionet e gramatikës historike dhe të latinishtes dhe tekstet e vjetra toskërisht. Kurse Mentori do të merrej me formula kimike për të përgatitur tretësirat e duhura. S'ishte e lehtë të krijoje letër të bërë me bojë 500-vjeçare.
-Po unë? - pyeti Eugjeni, - inspektor do të jem?
-More me tërë mend, sikur Eugjeni të krijojë ndonjë gjë, si të thuash, rezervë për çdo rast. Hë, ndonjë vjershë, bejte apo lutje fetare.
-Punë e bukur, besa, - qeshi Eugjeni.
-Pse çuditesh ti Eugjeni, të kujtohet kur thamë "ah, sikur të gjejmë veprën e humbur të Çajupit: "Këngë dhe vome për luftën e madhe"? Kapito? - Gjoni kaq shumë kishte nxitur, këto kohë, te shokët e tij etjen për kërkime, saqë tani fliste i sigurt fare.
-Domethënë, tani të bëjmë edhe veprën e Çajupit?
-Pse mos ta bësh? Për ty nuk është e vështirë të imitosh stilin e tij. Vetëm nja dhjetë vjersha, të tjerat gjoja ishin grisur nga dorëshkrimi. Me këtë rast do të bëhet sensacion i madh, sidomos kur tema kundër luftës është kaq aktuale sot. Pastaj ti e kthen përmbajtjen si të duash. Lexo edhe një herë leksionin e luftërave në imperializëm dhe do të jesh brenda.
Gjoni edhe vetë çuditej se sa me lehtësi i pillte sot mendja idera. Truri i tij ishte në një gjendje të frymëzuar, që zbulonte dhe nuhaste si një aparat modern i përsosur.
Biseda e miqve u shndërrua në tingëllimë gotash. Pinë për gjuhën shqipe të shkruar para Formulës së Pagëzimit dhe për zbulimin e madh të veprës së humbur të Çajupit. Një dyshim i lehtë si mjegull ishte ulur në tryezën e tyre nga sfera të panjohura. Parandjenja nuk u jepte asnjë përgjigje.