Qyteti pa Reklama (kreu XX)
- Botuar: 23 vite më parë
- Shkruar nga:
Gjoni s'kishte më shokë. Ai kishte mbetur fare vetëm. Ai kishte Stelën. Gjithë ditën mendonte vetëm për të. Pas shumë mundimesh, më në fund, mezi arriti t'i shkruante një pusullë në fletoren e saj të hartimit me këtë përmbajtje:
"Stela, ju e kuptoni se unë duhet pa tjetër t'ju takoj. Ju lutem shumë mos m'u largoni. Jam shumë i tronditur. Në pushimin e madh qëndroni pranë derës së laboratorit të kimisë. Ju lutem shumë".
Në pushimin e madh Gjonit i buçisnin veshët. Ai vente e vinte me regjistër në dorë përpara laboratorit, duke pirë cigare. Mundohej ta hiqte tronditjen me ato meditimet dinake mbi kozmosin dhe vdekjen, por nuk mundte. Truri dhe logjika nuk i bindeshin më. Qenien e tij e urdhëronin tani vetëm nervat.
Korridori i ngushtë ishte plot zhurmë, zëra, vrapime nxënësish. Dy vajza qanin në një qoshe. Një prind plak se kë kërkonte. Kujdestarët e klasave kërkonin shkumës dhe dru për stufat. Ja, u duk fjongoja e bardhë. Stela po vinte. Edhe ajo ishte shumë e tronditur dhe e frikësuar. Kaloi afër, pastaj befas u kthye me një shprehje pyetëse në fytyrën e trembur. Gjoni u mundua të buzëqeshte dhe të mbante gjakftohtësinë. Ai buzëqeshi, po nuk qe gjakftohtë.
-Stela, ju do të jeni në shtëpi sonte pas orës katër? - pyeti me një ton gjysmë zyrtar.
-Po, - u përgjigj shkurt vajza.
-Dilni në korridor, ju lutem, në orën katër.
Ajo qëndroi dhe një sekondë në heshtje, pastaj iku pa e përshëndetur. Fjongoja e saj humbi në turmë. Gjoni u çlirua nga një barrë e rëndë.
Në orën katër ruante korridorin e shtëpisë. Stela doli dy-tri herë, por kaloi shpejt si hije. Ai priti në derën e tij dy orë e ca, koka i dhimbte. Ishte i dëshpëruar në kulm. Mbaroi periudha e lumturisë dhe erdhën vuajtjet, që shkaktonte dëshira për takim.
Tri ditë rresht u mundua të kapte çastin e duhur, por s'mundte. Stela trembej shumë. Edhe ai ruhej. Dëshira për të takuar Stelën, për ta pasur në krahët e tij, kishte marrë përmasa kolosale, kaq sa dukej gjë e paarritshme. Sikur dëshira të mos ishte kaq e madhe, Stela nuk do t'i dukej e paarritshme. Por dëshira ishte kolosale dhe prandaj Stela i dukej ashtu. Ai do të donte që Stela të ishte e arritshme, por nuk do të donte që dëshira e tij për të të mos ishte kolosale. Ai donte dy gjëra të kundërta dhe prandaj vuante.
Ditën e katërt arriti ta gjejë vetëm në shkollë.
-Stela, - i foli shpejt e shpejt, - ju po më çmendni, pse më bëni të vuaj?
Vajza ngriti sytë. Sa ishte dobësuar Gjoni ditët e fundit. Edhe ajo ishte hequr ca. Dashuria po i merrte frymën si një gaz i rëndë. Këto katër netë ajo s'kishte mbyllur sy dhe ishte dobësuar, por ajo ishte bërë më e bukur. Por Gjoni nuk e dinte këtë. Në qoftë se ai do ta dinte se ajo ishte bërë e bukur nga vuajtja, ai do të gëzohej dhe nuk do të vuante. Por ai s'e dinte që ajo ishte zbukuruar nga vuajtja, përkundrazi mendonte se ajo ishte zbukuruar ngaqë e detyronte atë të vuante.
-Ju pres sonte pas mesnatës, kur të flenë të gjithë, dilni në korridor. E?...
Ajo nuk u përgjigj.
-Stela, - filloi prapë Gjoni.
Poshtë u dëgjua zilja e portës. Vajza vrapoi.
-Do t'ju pres, - pëshpëriti Gjoni.
Gjithë natën ai qëndroi sipër shkallëve. Kjo ishte një torturë e tmerrshme. Çdo lëvizje minjsh, çdo kërcitje dërrase e trondiste të tërin. Korridori ishte i errët, i qetë si varr.
Po gdhinte. Atëherë ai mendoi se ndoshta Stela po flinte tani e qetë, ndërsa ai po torturohej duke u dridhur nga e ftohta. Ah, vajzë e pamëshirshme, përse ta mundonte kështu? Ç'të keqe i kishte bërë ai? Sa e donte! Kurse ajo nuk prishte, së paku, as gjumin. Fli, o zemërgure, i thirri pa zë dhe me çapa të vrara ngjiti shkallët dhe ra pa u zhveshur në krevat. Sa i lodhur ishte!
Të nesërmen ai i shkroi një pusullë dhe ia vuri në librezën e notave: "Stela, ju pres sonte pas mesnate. M'u përgjigjni, po ose jo. Ndryshe nuk do ta kontrolloj më veten". Në pushim ia përsëriti me gojë dhe ajo iu përgjigj: "Do të mundohem".
Përsëri një natë torture. Ai pinte cigare mbi krevat, duke u dridhur nga çdo fëshfërimë. Kishte kaluar mesnata, nervat i ishin tendosur në kulm. Dhjetëra herë iu bë sikur dëgjonte hapa te shkallët. Ishte era që buçiste nëpër oxhaqet, duke përplasur shiun xhameve. Ai e kishte provuar gjithmonë në jetë se kur pret diçka në tension, ajo vjen vetëm atëherë kur e humbet shpresën. Ja, tani ai po mendonte të humbiste shpresën, ta bindte veten që ajo s'do të vinte. Mirëpo ai e dinte se e bënte këtë që ajo të vinte. Domethënë ai s'mund ta humbiste dot shpresën gjer në fund. Kur arrinte ta mbyste shpresën, atëherë qetësohej dhe mendonte "tani e humba shpresën, ndoshta vjen", këtu befas lindte shpresa. Sikur ta humbte fare shpresën, nuk i duhej më as qetësia. Edhe këtu ai donte të arrinte dy gjëra të kundërta. Mirëpo duke mos i arritur dot, vuante.
Këto manovra trunore e lodhën shumë.
Po e kapiste gjumi. Kur, pa e kuptuar ishte në ëndërr apo jo, dera kërciti fare lehtë. Ai brofi në këmbë.
-Stela!
Po, ishte ajo, e heshtur, e mermertë si një nimfë kishte ngrirë te dera. Ai e tërhoqi në krahë dhe e përqafoi fort, duke e shtrënguar pas gjoksit të lodhur atë kokë të bukur. Ishte errësirë. Ai s'dalloi dot vijën e ndarjes së flokëve. Por aromën e ndjeu më fort.
-Stela, e dashur... e dashur...
Ajo mekanikisht i përkëdhelte kokën me njërën dorë. Ajo u dha e tëra pas përkëdheljeve, me nerva të shkrehura siç ish, për herë të parë në jetë dhe pa më të voglin kundërshtim iu dorëzua e gjitha.
Akoma pa gdhirë, me hapa të dridhura, Stela zbriti ngadalë shkallët, shtyu derën dhe, duke u dridhur nga të ftohtët iu afrua shtratit të gjyshes. Netëve të ftohta të dimrit ajo flinte me gjyshen, për ta ngrohur atë. Ngriti me kujdes mbulesën dhe përnjëherësh ndjeu aromën e njohur. Plaka gërhiste lehtë dhe tërë qenia e saj prodhonte një paqe të lumtur.
Stela u mbështoll me mbulesën.
Jashtë qyteti buçiste nga ujërat që derdheshin e rridhnin nëpër pullaze, përrenj e vija të pafund. Asaj iu duk se gjer tani nuk e kishte ndjerë gjithë këtë suferinë të fuqishme. Asaj iu duk se e dëgjonte për herë të parë.
Si oshëtin çdo gjë. Sa çudi! - mendoi ajo e lodhur.