Megjithatë, përpjekjet e shefit të policisë së zonës dhe udhëheqësve të tjerë të qytezës për të vendosur më shumë kontroll mbi armët dhe të shtënat, u kthyen në një betejë të ashpër civile, ku gjuetarët dhe pronarët e armëve u kundërshtuan nga të pasionuarit pas armëve të sulmit, fondacionit kombëtar të qitjes sportive, (e cila i ka zyrat qendrore pikërisht në këtë qytet) si dhe lobistët e industrisë së armëve.
E gjithë qyteza është e armatosur deri në dhëmbë dhe nuk është një zonë e përshtatshme për të zhvilluar debatin mbarëkombëtar në SHBA për kontrollin e armëve.
“Diçka duhet të bëhet”, thotë Joel T.Faxon, një gjuetar dhe anëtar i komisionit policor të qytetit, i cili mbështet kufizimet në të drejtat për të shtënë me armë. “Këto nuk janë armë normale për të cilat njerëzit kanë nevojë. Këto janë armë për arsenal dhe kur ke lunatikë si ky djali që shkon në shkollë i armatosur dhe i mbrojtur për t’u përballur me zjarr armik, bëhet e tmerrshme. Ne jetojmë në një qytet, jo në luftë”.
Nëna e vrasësit, Nancy Lanza, kishte grumbulluar shumë armë në shtëpi, përfshirë armë të fuqishme dore apo pushtë gjysmë automatike dhe djali i saj, Adam, e kishte shumë për zemër qitjen.
Më herët këtë vit, shefi i policisë së qytetit Michael Kehoe shkoi te Këshilli i Qytetit për ndihmë. Qyteti kishte një urdhër 20-vjeçar që ndalonte gjuetarët të hapnin zjarr në një rreze prej 100 metrash larg ndërtesave të banuara, por shefi i policisë thoshte se mënyra se si ishte shkruar ligji, nuk e bënte të mundur për të të merrte masa ndëshkuese.
Departamenti i policisë mori mbi 50 ankesa për të shtëna armësh. Por disa nga ankesat shfaqën një problem tjetër. Qitësit sportivë kanë filluar në të gjithë Amerikën praktikën e mbushjes së objektivave të vet me një eksploziv të quajtur Tanerite, që shpërthen kur goditet nga plumbat, duke dërguar valë tronditjeje në të gjitha anët. Eksplozivi është një miksim nitrat amoni me pluhur alumini. Ai është i ligjshëm në Konektikat por shqetësimet për sigurinë kanë shtyrë shtetin e Merilandit ta ndalojë këtë vit.
Faxon, anëtari i Komisionit të Policisë, i cili është edhe jurist, thotë se shkroi një rregullore të re për të kufizuar të shtënat me armë, përfshirë edhe urdhrin që zonat që do të përdoreshin për të hapur zjarr, duhej të miratoheshin nga policia për arsye sigurie. Në gushtin e kaluar, propozimi u diskutua në këshill dhe u rrëzua. Një anëtar mbrojtës i armëve, tha se më shumë rreziqe ka nga aksidentet gjatë notit se sa nga të shtënat me armë.
Senati
Mbrojtësi i armëve ndryshon mendim
Joe Manchin, një senator nga Virxhinia Perëndimore, i cili tërhoqi vëmendjen e opinionit në vitin 2010 si mbrojtës i paepur i së drejtës së posedimit të armëve, deklaroi dje se “gjithçka duhet të jetë në tryezën e bisedimeve”, pasi debati për kontrollin e armëve u kthye në politikën amerikane për shkak të masakrës së fëmijëve të një shkolle fillore në Konektikat.
Manchin, një gjuetar i paepur me medalje nga Shoqata Kombëtare e Armëve, sugjeroi se mund të mbështesë rivlerësimin e ligjeve për lejet për armatosje të njerëzve, duke përfshirë edhe një kufizim të mundshëm në sasinë e municionit që mund të blihet.