Kapiteni i Teutës, Rustem Hoxha, ka deklaruar se skuadra e tij do të luftojë deri në fund për të siguruar vendin e tretë në klasifikim. Në një intervistë për "Panorama Sport" ai bën me dije se durrsakët nuk do të shpresojnë nga të tjerët për të siguruar një vend në Europa Ligë.
Barazimi në ndeshjen ndaj Kukësit nuk ju nevojitej, ku gabuat në atë përballje?
Nuk mund të them se gabuam, apo kundërshtari kishte më shumë meritë se ne. Me atë që dhamë në fushë duhet të kishim fituar, por në fund morëm vetëm një pikë, çka do të thotë që Kukësi vazhdon të jetë tri pikë larg nesh. Megjithatë, nuk jemi dorëzuar, pasi në javët e mbetura do të luftojmë për vendin e tretë në klasifikim.
Si e vlerësoni takimin e radhës ndaj Tërbunit?
Tërbuni është një skuadër që luan lirshëm, pa presion, dhe për këtë arsye e kemi vlerësuar maksimalisht. Pikët janë njësoj si kur i merr me Skënderbeun ashtu edhe me ekipet e tjera. Në këtë përballje nuk duhet të gabojmë, por të vazhdojmë rrugën drejt objektivit tonë për të marrë pjesë në Kupat e Europës. Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë, pasi luajmë edhe në transfertë, megjithatë jemi të përgatitur.
Tri pikë larg vendit të tretë dhe një pikë më shumë se Teuta e vendit të pestë. Do të arrijë Teuta në fund të jetë në vendin e tretë?
Përpara kemi edhe gjashtë ndeshje, të cilat i kemi vlerësuar të gjitha finale. Të gjitha skuadrat kanë objektivat e tyre dhe nuk ka të lehta, apo të vështira. Kampionati ka arritur në kulimin e tij dhe askush nuk toleron. Ajo që ne duhet të bëjmë, është të mos hedhim hapa falsë, pasi kështu mendoj se do ta arrijmë objektivin.
Megjithatë skuadra juaj mund të shkojë në Europë, në rast se Kukësi fiton Kupën dhe ju renditeni në vendin e katërt...
Është e vërtetë, por nuk duhet t'ua lëmë në dorë fatin tonë skuadrave të tjera. Kjo është një alternativë për të arritur synimin, por ne do të provojmë gjithçka për ta siguruar vetë objektivin final, që është vendi i tretë në klasifikim. Eksperienca ka treguar se në javët e fundit të kampionatit ka edhe tolerime apo marrëveshje mes klubeve.
Mendoni se do të ketë edhe këtë vit?
Të them të drejtën nuk dua që t'i hyj një debati të tillë, pasi Teuta nuk bën as marrëveshje dhe as tolerime. Por, në këtë pikë të kampionatit, kur skuadrat kanë objektivat e tyre, nuk besoj se do të ketë gjëra të tilla.