RENEA dhe FNSH ne fshatin e kokaines kontroll per autoret e vrasjes se Santos

RENEA dhe FNSH ne fshatin e kokaines, kontroll per autoret e vrasjes se Santos

Policia
Dy të burgosur dëshmuan për “Santon”


Kujtim Çela dhe Astrit Bushi, të dy me origjinë nga Fushë-Kruja, dëshmuan pas atentatit ndaj bankierit Artan Santo. Policia tha se mund të kishin dijeni për ekzekutorët, pasi edhe operacionet për autorët po bëhen në vendlindjen e dy të arrestuarve.
 
Dyshimet
Edhe kolumbiani i kokainës u pyet në qeli


Cesar Triana, kolumbiani i arrestuar në Shqipëri, pas dyshimeve se do të priste kokainën e kapur në Malin e Zi, është pyetur për mënyrën sesi do të transferonte paratë në Spanjë. Ai tha se dikush njihte një drejtues banke, ku do të kryhej transferta.
 

Operacioni

Dyshime se kushërinjtë Gjozi u urdhëruan nga “banda e zonës”


Ekzekutimi mafioz i bankierit Artan Santo, paraditen e 26 qershorit në Tiranë, ka vënë me “shpatulla pas murit” policinë dhe prokurorinë, të cilat ende nuk kanë zbardhur plotësisht ekzekutorët dhe ideatorët. Policia po këmbëngul se dy kushërinjtë Gjozi, të arrestuar disa orë pas atentatit në zonën e Bllokut në kryeqytet, janë edhe autorët, pasi në trup u janë gjetur faktor plotësues, si mbetje baruti. Pavarësisht pretendimit të tyre se kanë qenë në vendlindje, ku dhe kanë shtruar disa tuba të ujësjellësit të fshatit, policia thotë se ka informacione operative se këta persona kanë komunikuar me disa persona me precedentë penalë, ku dhe mund të kenë marrë urdhrin për ekzekutimin. Madje, gjatë këtyre ditëve, policia ka ushtruar kontroll të imtësishëm në disa banesa të dyshimta të kësaj zone, pasi pretendon se të paktën mund të jenë ekzekutorët. Por, ditën e djeshme, operacioni policor u shtri edhe në fshatin Fushëkuqe të Fushë-Krujës, ku disa javë më parë u zbulua edhe një laborator i përpunimit të kokainës, ku në pranga ranë disa persona, mes të cilëve edhe Kujtim Çela, vëllai i “baronit” të drogës Gëzim Çela, i shpallur në kërkim. Policia po i mëshon më shumë pistës se bankieri Santo mund të jetë ekzekutuar për ndonjë transfertë të munguar të parave të drogës. Të kontaktuar zyrtarisht nga gazeta Shqip, Policia e Shtetit tha se nuk ka asnjë informacion për bilancin e këtij operacioni, nëse ka gjetur apo jo prova për vrasjen e Santos, apo të paktën për ndonjë provë dytësore. Policia thotë se ka vetëm informacione operative se autorët mund të kenë pasur lidhje me ndonjë element kriminalë në fshatin Fushëkuqe, ku dhe u gjet laboratori i përpunimit të kokainës, ndërsa nuk jep detaje nëse bëhet fjalë për të arrestuarit për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

 

Kontrollet në Fushë-Krujë



Repartet e Policisë së Shtetit, FNSH-ja dhe RENEA, zhvilluan dje një operacion në zonën e Fushë-Krujës dhe Durrësit, ku u bënë kontrolle në fshatrat Kapidanaj dhe Fushëkuqe. Policia kërkonte prova fajësie për Sajmir dhe Klodian Gjuzin. Operacioni mësohet se drejtohej nga nëndrejtori i Policisë së Shtetit Sokol Bizhga, ndërsa në zonë u vendosën postblloqe të shumta, duke u zënë rrugët e largimit personave të dyshuar. Në ndihmë të këtij operacioni u angazhuan edhe një pjesë e madhe e forcave policore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Lezhës. Policia kishte informacione se në zonë mund të gjendej të paktën motori i autorëve të vrasjes së bankierit. Policia kishte kërkuar edhe ndihmën e prokurorisë, për urdhrat e kontrollit të banesave, por pas operacionit, nuk u dha asnjë informacion nëse ishte gjetur ndonjë provë bindëse për dy të arrestuarit. Paralelisht me këtë operacion, policia po fokusohet tek filmimet e kryera nga disa kamera të vendosura pranë vendit të vrasjes, për të ngritur ndonjë identikit të autorëve. Në pamundësi të fytyrës, pasi autorët kanë qenë gjatë gjithë kohës me skafandra, ekspertët kanë nxjerrë të dhëna mbi gjatësinë e autorëve, konstruktin e trupit dhe të dhëna të tjera, që mund të jenë krahasuese me të dyshuarit e tjerë, të arrestuar apo të lirë. Nga ana tjetër, hetuesit e policisë janë munduar të verifikojnë edhe lëvizjet e antenave të celularëve në zonë, për të parë nëse ndonjë numër telefoni celular ka bërë të njëjtën “rrugë” me atë të autorëve. Kujtojmë këtu se antenat e telefonisë së lëvizshme mund të përcaktojnë edhe një itinerar të lëvizjeve të valëve telefonike. Nëse ka ngjashmëri me atë të autorëve, atëherë për policinë poseduesit e këtyre numrave janë të dyshuar për ekzekutimin e 58-vjeçarit. Duke u nisur edhe nga kontrolli i policisë në Fushë-Kuqe, por edhe nga pyetja e një numri të madh personash, disa prej të cilëve edhe në qeli, grupi hetimor ka të dhëna se edhe shumë të tjerë kanë pasur informacion për këtë ngjarje.

 
“Detyra” për policisë



Prej tri ditësh, Prokuroria e Tiranës i kanë lënë disa “detyra” Policisë së Shtetit, që kanë të bëjnë me rimarrjen në pyetje të të gjithë personave që kanë dijeni për vrasjen e bankierit. Në fokus të hetuesve është mbledhja e provave për dy të ndaluarit, të cilëve u skadon afati i burgut për rreth dhjetë ditë. Kontrollet e shumta në fshatrat Fushëkuqe dhe Kapidanaj janë bërë me qëllimin e marrjes së provave për këta të ndaluar, ku Policia e Shtetit, me anën e një njoftimi zyrtar për shtyp, tha se ka dyshime se ata janë ekzekutorët. Por, prokuroria nuk është e bindur plotësisht për fajësinë e tyre, kështu që u ka kërkuar të mbledhin sa më shumë informacion që mund të përdoret në gjykatë.

 

 

Hetimet

Merren në pyetje disa biznesmenë dhe bashkëpunëtorë të Santos



Hetimet për vrasjen e bankierit Artan Santo po përqendrohen në disa pista. Paralelisht me aksionin në Fushëkuqe, oficerë të policisë gjyqësore kanë marrë në pyetje disa biznesmenë, që kanë pasur kontakte me të ndjerin para vrasjes, apo që kanë kryer apo kanë tentuar të kryejnë ndonjë transaksion bankar. “Kemi urdhëruar policinë të rimarrë në pyetje të gjithë personat që ka kontaktuar Santo, madje edhe ata që kanë dalë gjatë hetimeve për këtë çështje. Në pyetje janë marrë biznesmenët që kanë kryer transferta miliona USD nga banka që ishte drejtor z. Santo, për të parë nëse mes tyre ka pasur apo jo konflikt. Gjithashtu, po pyesim edhe disa bashkëpunëtorë, me të cilët ka pasur aksione në disa kompani”, – pohojnë burimet nga Prokuroria e Tiranës, të cilat thonë se të tria pistat hetimore po ecin paralelisht. Ditë më parë, hetuesit morën në pyetje familjarë të zotit Santo, të cilët thanë se të vetmet probleme të tij kanë qenë për shkak të punës së tij, në bankë, apo në shoqëritë e tjera. Në pyetje janë marrë edhe bashkëpunëtorë të afërt, për projektet në Kosovë, apo edhe për shoqëritë e tjera në fushën e sigurimeve dhe medias.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama