RENEA kap atentatorin e Tahirit

RENEA kap atentatorin e Tahirit

Vladimir Gjuta, shpallur në kërkim që prej muajit shkurt të këtij viti, kur u identifikua si një nga personat e dyshuar për vendosjen e bombave me celular në Tiranë, në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe pranë një stacioni autobusi, ku babai i ministrit do të parkonte makinën, është kapur mbrëmjen e djeshme nga Forcat “Renea”. Forcat “Renea” e kanë ndjekur që nga Tirana mjetin ku udhëtonte Gjuta, derisa e kanë arrestuar në tunelin e Kalimashit rreth orës 17:30.

Vladimir Gjuta, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar prej 4 muajsh, është arrestuar së bashkë me një shtetas nga Kosova, dhe një tjetër nga Kukësi në hyrje të tunelit të Kalimashit. Sipas burimeve policore, Vladimir Gjuta ishte nisur nga Tirana në drejtim të Kukësit. Policia kishte siguruar të dhëna në rrugë operative, se ai do të lëvizte drejt qytetit verior. Forca të shumta policore, forcat speciale si dhe ato “Renea” ishin vendosur në afërsi të tunelit më herët, në pritje të ardhjes së automjetit, në të cilin udhëtonte Vladimir Gjuta. Sapo ai ka hyrë në tunel, forcat policore kanë bllokuar hyrjen dhe daljen e tij, duke ngritur grackë ndaj Gjutës. Bashkë me të është ndaluar edhe drejtuesi i automjetit, me të cilin udhëtonte Gjuta.

Nga të dhënat e para mësohet se Vladimir Gjutaj po udhëtonte me një automjet tip “Opel” ngjyrë gri me targa Kosove Rks 04 540 EP si pasagjer, pasi automjeti drejtohej nga Blerim Thaçi 32 vjeç nga Prizreni. Makina e dytë tip Benz me targa AA 169 JG drejtohej nga Indrit Ademi 26 vjeç nga Kukësi. Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia të ndaluarve iu gjetën euro, lekë dhe 6 celularë.

Policia ka dyshime të forta se ai ishte nisur drejt qytetit verior për t’i bërë presion mbështetësve të Hasan Halilajt, që rikandidon nën siglën e LSI­së për një mandat të tretë në krye të Bashkisë së Kukësit. Mësohet se gjatë kontrollit nga policia, Vladimir Gjutës i është gjetur një letër ku ishin shënuar emrat e simpatizantëve të kandidatit Halilaj. Burime konfidenciale nga policia pohojnë se dyshohet se Gjuta ishte nisur në drejtim të Kukësit me qëllim presionin ndaj votuesve që mbështesin Halilaj.

Menjëherë pas arrestimit Vladimir Gjuta u transferua në Tiranë nga forcat e Policisë “Renea” dhe pritet të vendoset ë paraburgimin e Tiranës deri sa të dalë para gjykatës për masën e sigurisë. Brenda 48 orëve të ardhshme ai do të njihet me masën e sigurisë. Ai mbërriti në Drejtorinë e policisë Tiranë rreth orës 20:00 ku sipas procedurës do të merrej në pyetje në prani të avokatit të tij. Vladimir Gjuta u transportua drejt Tiranës, nën shoqërimin e forcave të shumta të policisë. Mbi Gjutën rëndojnë një mori akuzash, ku më e rënda mbetet ajo e pjesëmarrjes në grupe të strukturuara kriminale.

Vladimir Gjuta ishte një ndër 7 personat që nuk u arrestua dot, pas zbulimit të grupit që vendosi tritolin në farmacinë e Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Brendshëm. I shpallur në kërkim ndërkombëtar, Gjuta mendohej se vazhdonte të fshihej në kryeqytet. Për disa muaj me radhë u kontrolluan ambiente, ku dyshohej se ai mund të fshihej, por pa rezultat. Policia mendoi që të kryente arrestimin e tij ditën kur do të lëvizte nga kryeqyteti. Ndaj mesditën e së enjtes u vu në ndjekje të tij që prej nisjes nga kryeqyteti duke e arrestuar në hyrje të tunelit të Kalimashit.

Vendosja e tritolit ndaj familjes së ministrit Tahiri

Grupi kriminal i cili përgatiti vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të ministrit Tahiri përbëhej nga 7 persona. Të njëjtët persona akuzohen edhe për vendosjen e lëndës shpërthyese në stacionin e autobusit në rrugën “Muhamed Gjollesha”. Gjykata e Krimeve të Rënda, gati tre muaj pas arrestimit ka urdhëruar lirimin nga qelia të Ernest Gjutës, i afërmi i të dyshuarit si organizator i tritolvënies në farmacinë e babait të Ministrit Tahiri.

Lirimi i Ernest Gjutës ka ardhur me kërkesë të Prokurorisë, pasi nuk është arritur të gjenden prova të mjaftueshme që implikon atë në organizimin dhe vendosjen e tritolit në rrugën “Kongresi i Manastirit” dhe “Muhamet Gjollesha” mëngjesin e hershëm të datës 10 shkurt të këtij viti. Për këtë ngjarje vazhdojnë të qëndrojnë në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg” shtetasit Lumjan Matmuja, Kamber Bruka, Erjon Dule dhe Emirjon Gjuta.

Pakënaqësitë e Gjutajve ndaj ministrit Tahiri

Më datën 18 prill 2014, Saimir Tahiri, në cilësinë e ministrit të Brendshëm, i dërgoi Presidentit Nishani një listë me 65 vendime të gjykatave, mes tyre dhe vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, e cila caktoi detyrim paraqitje për shtetasin Vladimir Gjuta dhe “arrest në shtëpi” për shtetasin Baftjar Bruka, të akuzuar për tentativë vrasje të tre personave më datë 27 qershor 2013. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, këto vendime të gjykatave janë “më së paku të diskutueshme, në mos fort absurde, të cilat nga njëra anë kanë efekt shkatërrues mbi pritshmërinë e qytetarëve për drejtësi, por nga ana tjetër betonojnë kulturën e pandëshkueshmërisë duke ricikluar kriminalitetin dhe paligjshmërinë”. Ky veprim i ministrit nuk i pëlqeu aspak Vladimir Gjutës, i cili e konsideroi një si tendencë personale ndaj tij.

Në shtator 2014 Vladimir Gjuta, Lumjan Matmuja dhe Durim Gjuta, të cilët udhëtonin me dy automjetet “Benz” dhe “Audi”, u ndaluan në mes të kryeqytetit nga Policia e Tiranës. Ndalimi u justifikua me dyshimet se këta persona ishin të armatosur, por nga kontrolli nuk u gjet asgjë. Një tjetër përplasje ishte ajo 6 dhjetorit 2014, ku Policia e Tiranës deklaronte se forcat e komisariatit nr.1 rreth orës 18:00, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Vladimir Gjuta, i datëlindjes 04.01.1980, banues në rrugën “3 vëllezërit Kondi” Tiranë, me arsim 8 klasë, i dënuar disa herë më parë për “armëmbajtje pa leje”, “mbajtje të narkotikëve” dhe “kundërshtim të punonjësve të policisë”. Arrestimi i tij u bë, sepse më datë 6 dhjetor 2014, në rrugën “Dervish Hima”, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, kanë fyer, kërcënuar dhe goditur për motive të dobëta për shkak të detyrës punonjësin e policisë së qarkullimit rrugor shtetasin Agron Kadri Voga, i datëlindjes 19.04.1979, banues në Fushë­Krujë, me arsim të lartë.

Kërcënimi me sms i ministrit Tahiri

Emri i Vladimir Gjutës u përfol edhe në lidhje me kërcënimin me mesazh telefonik ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri. Sipas Policisë së Tiranës mesazhi kërcënues dyshohet t’i jetë dërguar ministrit në javën e parë të majit nga Vladimir Gjuta, i shpallur në kërkim nga policia për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Bashkim Tahiri. Ministrit i është dërguar në telefonin personal një mesazh me tekstin: “Nëse merresh me familjen Gjuta, do ta pësosh”. Gjithashtu, dyshohet se autori i mesazhit kërcënues është Vladimir Gjuta, i cili besohet se ka qenë në Tiranë në momentin e kërcënimit. Si uniformat blu, ashtu edhe organi i akuzës, shprehën tepër të rezervuara mbi rastin në fjalë, për shkak edhe të sekretit hetimor. Pas mesazhit kërcënues, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, rriti masat e sigurisë gjatë lëvizjeve të tij, duke shtuar numrin e automjeteve dhe të truprojave.

Ditën kur mori kërcënimin, Tahiri po zhvillonte një takim me tre oficerë të antiterrorit italian për rastin e Baftjar Brukës, nipit të Vladimir Gjutës, i cili dyshohet si një prej organizatorëve të vendosjes së tritolit te farmacia e babait të tij. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë së Shtetit ka prova dhe fakte që Gjutajt janë organizatorët e vendosjes së lëndëve eksplozive në farmacinë e babait të Saimir Tahirit, si dhe në stacionin e autobusit te rruga “Muhamet Gjollesha”, ku parkonte zakonisht makinën Bashkim Tahiri.

Mesazhi kërcënues ka ardhur para operacionit të kryer nga drejtoria e policisë së Tiranë në vilën “Gjuta” në Rrugën e Elbasanit, një biznes në pronësi të Vladimir Gjutës. Pikërisht pas këtij mesazhi ka pasur kontrolle policore në pronat e kësaj familjeje. “Nuk e ndjehem i kërcënuar, drejtësia do të bëjë punën. Unë vazhdoj detyrën pa asnjë shqetësim” , u shpreh ministri i Brendshëm në lidhje me mesazhin kërcënues që dyshohet se ka mbërritur në telefonin personal të tij nga Vladimir Gjuta.

Sulmet terroriste të drejtuara nga Vladimir Gjuta

Më 10 shkurt 2015, në orët e para të mëngjesit kanë ndodhur dy shpërthime në qytetin e Tiranës. Një shpërthim ka ndodhur rreth orës 02:53 në farmacinë në pronësi të shtetasit Bashkim Tahiri, pranë spitalit nr. 5 Tiranë dhe shpërthimi i dytë ka ndodhur rreth orës 03:55 në derën e banesës së shtetasit Alfred Numani, punonjës i policisë së Shtetit me detyre shef i sektorit të Krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së Korçës.

Nga të dy shpërthimet janë shkaktuara dëme të mëdha materiale. Këto rrethana rezultojnë nga procesverbali i këqyrjes së vendit të ngjarjes, në farmacinë e shtetasit Bashkim Tahiri, i cili është babai i ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri si dhe këqyrja e banesës së shtetasit Alfred Numani. Gjithashtu po më datën 10 shkurt 2015 rreth orës 6 e mëngjesit policia ka marrë njoftim dhe ka konstatuar një sasi tritoli të lidhur me një detonator dhe një aparat celular, që përbëjnë një paisje shpërthyese. Kjo sasi është gjetur pranë stacionit të autobusit urban, pranë kryqëzimit të Bulevardit “Zhan D’Ark”. Policia ka kryer shpërthimin e kontrolluar të pajisjes shpërthyese.

Vladimir Gjuta, me precedentë të shumtë penalë, i cilësuar si “Rambo”, dyshohet se ka aktivizuar bombën e vendosur në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai ka bërë një thirrje te numri që ishte tek lënda plasëse dhe menjëherë pas shpërthimit ka hequr kartën dhe e ka thyer. Deri në këtë pikë ka vepruar sipas “udhëzimeve” që kishin vendosur së bashku me shtetasin Emiljano Matmuja, por gabimin e ka bërë disa orë më pas. Sipas hetuesve Gjuta ka pasur në përdorim një tjetër kartë SIM, të cilën e ka vendosur në të njëjtin telefon që disa orë më parë e përdori për të aktivizuar bombën në farmaci. Prokuroria thotë se është provuar me anën e numrit të IMEI-t të aparatit të telefonit, se Gjuta tashmë i arrestuar, është urdhëruesi i shpërthimit në farmaci, ndërsa ai akuzohet për drejtim të grupit të strukturuar kriminal, që ka kryer vepra me qëllime terroriste. Nëse vërtetohen provat e akuzës, atëherë Gjuta rrezikon minimalisht 20 vite burg.

Prokuroria e Krimeve të Rënda për aktet terroriste të 10 shkurtit nxori 7 urdhër arreste, ndërsa në pranga u vunë Lumjan Matmuja, Ernest Gjuta, Emirjon Gjuta, Kamber Bruka, Erjon Dule si dhe në kërkim u shpallën Baftjar Bruka dhe Vladimir Gjuta. Pas tre muajsh gjykata liroi Ernest Gjutën, ndërsa ende në kërkim mbetet Baftjar Bruka. Sipas medieve italiane Baftjar Bruka, është kreu i një grupi xhihadistësh që planifikojnë sulme terroriste në Itali. Sipas mediave italiane Bruka është koka e një grupi xhihadistësh që po bashkëpunon me një sirian të quajtur Ahmed Dughaim. Ky i fundit ka qenë luftëtar në vitin 2012 në Lindjen e Mesme. Sipas hetuesve italianë, Bruka dhe siriani kanë rënë në prenë e hetimeve të kryera nga autoritetet ku dyshohet se ato kanë planifikuar një sulm terrorist në Venezia. Sipas hetuesve, Venezia mund të jetë destinacioni i final i Brukës, pasi në këtë qytet ai ka mbledhur një rrjet terroristësh shqiptarë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama