RRUGA E MUNDIMSHME DREJT PAVARËSISË III

RRUGA E MUNDIMSHME DREJT PAVARËSISË III
Pjesa e tretë

VIII.

Midis otomanizmës dhe shqiptarizmës, midis autonomizmit dhe indipendentizmit, mendimi kombëtar shqiptar u luhat gjatë, me dekada të tëra, madje edhe pasi Shqipëria ishte shpallur formalisht shtet i pavarur. Vetë Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me një program e një statut, me një kanun-name dhe një karar-name, shprehu një vullnet mesatar: mjafton që katër vilajetet shqiptare të bashkoheshin në një e të qeveriseshin prej një grand-veziri; mjafton që prej këtij bashkimi tokat shqiptare të mos u jepeshin fqinjëve, dhe paqja me Stambollin mund të rivendosej. Perandoria e cilësoi Lidhjen si një kuvend klerikësh dhe e refuzoi rregullimin administrativ që kërkohej.

Dhe atëherë Lidhja kërkoi kryengritjen dhe, sipas burimeve osmane, armatosi jo më pak se 10 mijë luftëtarë vullnetarë. Por zigzaget e mendimit politik shqiptar u shprehën edhe më vonë. Dukuria historike e alterimit vazhdoi deri në shekullin e 20.

 Ndërsa Naim Frashëri hyjnizonte një Shqipëri idilike të pashoqe në botë, i vëllai, Samiu, projektonte të gjitha reformat e një Turqie republikane të ardhshme: reformën e alfabetit, reformën e shekullarizimit, reformën e ferexhesë, reformën e sistemit politik. Një prej tribunave më të respektuara të Rilindjes, e përkohshmja “Albania” e Faik Konicës, gjithashtu do të ishte më së shumti zëdhënëse e një Shqipërie autonomiste.

Ndërsa Kongresi i Manastirit do të merrte vendimin historik për një alfabet të njësuar të shqipes me shkrim latin, siç kishte qenë prej librit të parë, “Mesharit”, Kongresi i Dibrës, po atë vit, do të pranonte të kundërtën, shkrimin shqip me alfabete orientale. Dukuria “Adhamudh” nuk është një shpikje shkrimtarësh. Së fundmi, Ekrem bej Vlora, pikërisht në ditët kur Shqipëria po shpallej e mosvarme, siç shkruan në kujtimet e tij, luftonte për perandorinë në Bregdetin shqiptar dhe i kujtonte kushëririt se po tradhtonte Sulltanin!

IX.

Por ç’ndodhte nëpër metropolet europiane, ç’mendohej për këtë vend, kur shqiptarët përpëliteshin midis otomanizmit dhe vetëdijes së tyre kombëtare? Zakonisht, midis tre faktorëve: kryengritjes popullore, mendimit politik shqiptar dhe diplomacisë së huaj, kjo e fundmja ka qenë më e nënçmuara, për të mos thënë më e penalizuara: të gjitha të këqijat shqiptarëve u kanë ardhur nga Avropi! Dëshmitë provojnë se projektet nuk kanë munguar. Qysh në vitin 1892, plot dy dekada para se Shqipëria të arrinte pavarësinë, një prej protagonistëve parësorë të botës italo-shqiptare, Francesco Crispi Glaviano, propozoi një projekt për pavarësimin e Shqipërisë, duke u mbështetur në përkrahjen e Italisë dhe duke llogaritur edhe kundërveprimin e perandorisë së Habsburgëve dhe doemos të Stambollit.

“Dossier Crispi” ruhet edhe sot në Arkivin Shtetëror të Italisë dhe ka statusin e një koleksioni rreptësisht të rezervuar. Në vitin 1997, kur Shqipëria rrezikoi vetveten deri në shthurje shtetërore, kjo dosje u hap për herë të parë fare pjesërisht për shtypin dhe autori u penalizua. Projekte të përafërta kishin Vjena dhe Parisi, Londra e Moska. Por projekte kishin dhe veprimtarët shqiptarë. Lef Nosi, njëri prej veprimtarëve të brezit të dytë të Rilindjes, në programin e tij me titull “Ana Kombëtare”, hartuar më 1908, parashihte një Shqipëri të pavarur nën suzerenitetin e një fuqie të madhe të huaj, si shtet monarkik me një princ të huaj në krye, së paku deri në daljen prej rrezikut që shoqërojnë mëkëmbjen. Dhe ky princ duhej të ishte europian dhe të trashëgohej në fron. Vetë Ismail Qemali promovoi disa ide për Shqipërinë e ardhshme: kantonalizimin sipas modelit zviceran, krijimin e një federate shqiptaro-greke, proteksionizmin perëndimor dhe tek e fundmja edhe rikthimin e autoritetit të perandorisë si një autoritet që vetëm formalisht mund të kishte vlerë, kur vendi ishte përfshirë në luftërat ballkanike.

X.

Rruga e mundimshme drejt pavarësimit nuk u lehtësua as me fillimin e shekullit të ri. Kur perandoria osmane hyri në krizën e vet të fundme, lëvizja xhonturke, e njohur në popull si Hurrijeti, që shpërtheu në vitin 1908, i shtoi befasisht mirëbesuesit e një Turqie të re, që në njëfarë mënyre do të republikanizohej dhe do të njihte federalizimin e vet, duke e bërë Shqipërinë shtet të pavarur brenda saj. “Klubi i Selanikut”, i stigmatizuar prej Çajupit si kryeqendër e turkomanëve, nuk lindi prej imagjinatës.

Një prej lëvizjeve më të mëdha përparimtare osmane, “Itiha ve Teraki”, “Bashkim e përparim”, kryesohej prej dr. Ibrahim Temos dhe arkivat e kësaj lëvizjeje të madhe ruhen tërësisht në Shqipëri. Shpresat për një Turqi liberale tek një pjesë shqiptarësh nuk u shuan madje edhe pas ndarjes së vendit të tyre nga perandoria, kur nisi beteja midis simpatizantëve të festekuqve dhe atyre të princërve perëndimorë. Ndërsa kuvendet shqiptare mblidheshin e rimblidheshin në Pejë e në Deçan; ndërsa kryengritjet e malësorëve në Veri shpeshtoheshin gjithnjë e më shumë, ndërsa në Kurbin shpërthente një prej rebelimeve më të mëdha antiosmane – thuajse asnjëherë e përmendur në histori – vetëdija otomane vazhdonte të peshonte shumë midis shqiptarëve.

XI.

Ta shohësh historinë e shtetit në një mënyrë të tillë, prapavajtëse dhe me një kriticizëm të ashpër realist, do të thotë t’i përgjigjesh dhe pyetjes se çfarë e vonoi nacionalizmin shqiptar, idenë shqiptare, lëvizjen kombëtare, Shqipërinë shtetërore. Dhe përgjigjja nuk është e vështirë: ishte pikërisht otomanizimi i thellë i Shqipërisë që ndërlikoi fatin shtetëror të saj. Armiku më i madh i perandorisë osmane ishte mbiemri dhe mbiemrat patronimikë të Arbërisë paraosmane ose u zhdukën, ose mbijetuan tek arbëreshët, ose u përshtatën sipas mënyrës osmane: Skurajt u bënë Uzgurlinj e Zguraj; Topiajt u bënë Topia-dan e Toptanë, Dukagjinët u bënë Dukagjinzade. Fisnikëria e vjetër arbërore mërgoi në “Felix Italia” bashkë me ikonat, dorëshkrimet, kambanat, kronikat dhe gjenealogjitë.

Elita e re që u krijua trashëgoi një titulaturë ushtarake tipike orientale. Në dy shekujt e fundmë, titujt perandorakë u pëlqenin e prijësve të krishterimit roman: tetë medalje do të pranonte Prengë Bibë Dodë pasha nga sulltani, ashtu si vetë Pashko Vasa do të quhej Vaso pashë Shkodrani. Vetëm në vitin 1923 shteti shqiptar vendosi me ligj heqjen e titujve osmanë: bej, aga, pashë; dhe rikthimin e mbiemrit. Shqiptarët e patën më të lehtë të pavarësohen prej perandorisë osmane se prej otomanizmit vetë.

XII.

Shqipëria erdhi në ditëlindjen e vet shtetërore, kur bota së cilës i takonte kishte shkuar drejt një ideje tjetër: Paneuropës, idesë utopike të Europës së sotme. Ishte shqiptuar ideja e Shteteve të Bashkuara të Europës, ishte shkruar “Odeja e gëzimit”, ishte kompozuar simfonia e nëntë. Kishte lindur eurocentrizmi. Pikërisht atëherë shqiptarët vendosën të bëhen etnocentristë, aq sa mund të ishin etnocentrisë shqiptarët romantikë, që, përkundër asaj që ndodhi, e shihnin Shqipërinë zonjë si një nuse të mezipritur në kontinent e në rajon. Midis eurocentrizmit, etnocentrizmit dhe mbijetojave të otomanizmit Shqipëria navigon edhe sot, pas 100 vjetësh. Por shekulli i 21-të pa dyshim është shekulli i shqiptarëve. Kurrë pozita e tyre në mjedisin ndërkombëtar nuk ka qenë kaq e promovuar sa sot. Sa sot, kur gjithnjë e më shumë vendin e indipendencës po e zë ajo që quhet interdipendencë, kur vendin e pavarësisë po e zë identiteti.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama