Jo pak nofka i kanë ngjitur Televizionit Publik Shqiptar për të përcaktuar gjendjen e tij të prapambetur për nga zhvillimi teknologjik dhe për nga modeli i vjetër i të punuarit dhe administruarit. Mënyra e funksionimit, politika që ndjek, shërbimet që ofron TVSH janë vënë nën akuzë herë të drejtpërdrejtë si "institucion i propagandës", e herë nën shënjestrën e kritikës rutinë si "institucion gërdallë" e "vegjetues". Radio-Televizioni Publik Shqiptar po përgatitet për një proces me rëndësi që e ka raportuar tashmë në strukturat e larta, si komisionet parlamentare. Është fjala për dixhitalizimin e rrjetit të transmetimit, një proces që ka një faturë të lartë, kërkon kohë dhe predispozitë të institucionit për ndryshim. Mbi të gjitha: ndryshim të mentalitetit. Për këto flet në intervistë Drejtori i Përgjithshëm i Radio-Televizionit Shqiptar, Petrit Beci.
Z. Beci, jemi në dijeni që Radiotelevizioni Shqiptar po harton një projekt për aplikimin e rrjetit dixhital të transmetimit. Në ç'fazë jeni me të?
Dixhitalizimi i Radiotelevizionit Shqiptar është pjesë integrale e gjithë sistemit të dixhitalizimit mediatik të Shqipërisë. Është marrë një vendim nga mekanizmat evropianë që të gjitha mediat evropiane duhet të jenë të dixhitalizuara deri më 2012. Qeveria shqiptare ka krijuar para një viti e gjysmë një komitet ad-hoc, që udhëhiqet nga Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë Genc Pollo, Ministri i Ekonomisë, Transportit dhe Energjitikës, Ministri i Financës dhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Kryetarja e KKRT-së, përfaqësues të mediave private, përfaqësues nga shoqata e konsumatorëve dhe ERTI, që po përgatit strategjinë dhe bazën ligjore për dixhitalizimin e sistemeve të transmetimit, do të kalojë në parlament.
Ndërkohë, ne kemi ecur vetë që të ndihmojmë shtetin. Së fundmi, kemi rënë dakord parimisht me Televizionin Kinez, presim një grup ekspertësh, të cilët do të përcaktojnë saktë hartën e shpërndarjes sonë, çfarë duhet në prodhim. Këta ekspertë do të bëjnë përfundimisht një projekt të saktë të cilin do t'ia dorëzojmë qeverisë. Shpresojmë në një investim të qeverisë kineze.
Për ta bërë më të kuptueshëm këtë proces, çfarë ndodh me dixhitalizim e RTSH-së?
Çdo shtet ka hartën e tij të sistemit dixhital dhe çdo shtet ka sasinë e frekuencave, brenda kufirit të vet. Shqipërisë i janë caktuar 8 frekuenca dixhitale. Me ligjin që ekziston sot, RTSH-së i janë dhënë dy frekuenca dixhitale. Pra, ne jemi sot, në dy kanale analoge, TVSH1 dhe TVSH2. Nesër këto janë dy frekuencat dixhitale që do të ketë ky institucion. Ekziston mundësia që në investimet që do të bëhen, njerëzit të shohin brenda paketës dixhitale të RTSH-së, për 2 frekuenca deri në 24 kanale, të cilat me zhvillimin e teknologjisë bëhen edhe më shumë.
Mendohet që shtimi i kanaleve të ketë një model të larmishëm për mbushjen e tyre?
RTSH do të ketë një kanal të parë klasikun dhe një kanal të dytë alternativ. Po kështu edhe Radio. Sistemi i sinjalit dixhital ka të njëjtën mënyrë shpërndarje të sinjalit, bashkohen antenat e Radios dhe Televizionit. Te kanalet tematike, do të ketë kanale që merren me politikën, një kanal që trasmeton parlamentin, konferencat për shtyp. Do të ketë një kanal të specializuar për muzikë, për lajme, do të kete një kanal të specializuar për teatro, për film. Ndoshta gaboj që i them që tani përcaktimet sepse është një periudhë e dytë për mbushjen e kanaleve.
Si do t'iu ofrohet njerëzve ky shërbim?
Sistemi ynë i transmetimit të publiku do të jetë pa pagesë. Njerëzit nuk do të blejnë kartë për t'i parë këto 24 kanale. Mund të qëllojë që në sistemin satelitor dixhital të RTSH, të jenë të koduara programe të caktuara. Mund të ndodhë që edhe brenda sistemit tokësor të ketë programe të koduara. Kjo do të vendoset më vonë. Ajo që ngatërrohet shpesh është problemi i taksës që merr RTSH. Kjo nuk është taksë për RTSH-në, është taksë për aparatin. Shqiptarët duhet të kuptojnë që taksa e aparatit në Shqipëri është në një shumë jo të konsiderueshme.
Sa shkon fatura e dixhitalizimit Radio-Televizionit Publik?
Dixhitalimi kërkon një periudhë afatgjatë. Ka dy sisteme dixhitalizimi, sistemi i shpërndarjes dhe sistemi prodhues dixhital. Në qoftë se sistemi i shpërndarjes ka një kosto relativisht fikse, sepse llogariten sesa shpërndarës duhen, sistemi i prodhimit është i lirë, sepse varet sesa investon. Për prodhuesin do të duhen minibusë, autobusë, jo vetëm kamera që prodhojnë lajmet.
Te sistemi i shpërndarjes varet se çfarë sistemi do të blesh. Ka teknologji të lirë, të mesme, por ka edhe teknologji të shtrenjtë. Sistemi i shpërndarjes mendohet të ketë një kosto që shkon deri te 22-25 milion euro. Sistemi prodhues ka minimum, por nuk ka tavan. Mund të bësh 10 studio të reja, mund të blesh 10 autobusë, etj.. Nuk ka asnjë instrument në Shqipëri që të përcaktojë mekanizmat e saktë, prandaj nuk mund të themi një shifër fikse.
Çfarë pune ka bërë deri më tani RTSH për këtë proces?
Janë bërë ndërhyrje në sistemin marrës. Janë blerë kamera, autobusë, janë marrë pulte dixhitale, figure, zëri, fonie, ndriçimi, janë blerë robotë, pajisje ndriçimi, janë vënë sisteme dixhitale ekranesh, plazma, videoprojektorë. Është bërë sistemi i njëhsuar i montazheve. Megjithatë duhen shtuar kapacitetet, duhen blerë pajisje të reja, që janë akoma më cilësore. Për mua, problemi kryesor është dixhitalizimi i arkivit. Ka pasur shumë teknologji. Ka filluar me celuloid, ka vazhduar me aparatura AMPEX, ka vazhduar me BOCH, me BETA, tani është me dixhital. I gjithë ky sistem duhet të kalojë në një sistem tjetër, i cili të magazinohet nëpër servera të mëdhenj dhe që është i shfrytëzueshëm në çdo tavolinë kompjuteri.
Që ta bësh këtë punë, duhet të kthesh në gjendje të hedhshme, gjithë materialin filmik, AMPEX dhe BOCH, sepse sistemi BETA dhe DV CAM është i hedhshëm. Por në sistemin e filmit mungon aparatura cilësore, në sistemin e Ampex-it nuk ekziston fare, për të bërë hedhjen në dixhital. Ky është një proces i cili ka një kosto shumë të madhe dhe kërkon specializim të jashtëzakonshëm të punonjësve. Kjo është një nga kostot më të mëdha për institucionin e RTSH.
Ju duhet të investoni edhe në njerëz që e njohin këtë punës?
Ka një skemë të përgjithshme. Gjatë dixhitalizmit të gjithë punonjësit kalojnë në test, duke filluar nga administrata, sepse ndryshimi i teknologjisë sjell edhe ndryshimin mental. Pak a shumë sistemi këtu ka filluar gradualisht të kuptohet. Problemi i mediave kryesore në Evropë, sidomos në rajon, është mosha mesatare e punonjësve, e cila është shumë e lartë. Ne kemi patur parim kryesor që të gjithë njerëzit që punësojmë t'i marrim të rinj. Problemi kryesor i dixhitalizmit është trajnimi i njerëzve. I gjithë sistemi kalon në trajnim. Ata që do të përshtaten do të vazhdojnë punën. Në të kundërt do të gjejë zgjidhje shteti bashkë me ne. Ata që janë në prag pensioni do mbrohen nga shteti për një periudhë të caktuar kohe, pjesa tjetër do të largohet.
A i keni këto kapacitete në RTSH?
Në RTSH mungon cilësia e njerëzve që dalin në ekran. Ne kemi një sistem real pagese, ndërsa sistemi i pagesave në median private nuk është sipas kërkesë-ofertës dhe ka një monopolizim të atyre që dalin në ekran. RTSH ofron shumë më tepër, shumëllojshmëri programesh dhe shumë programe edukuese që media private nuk i çon nëpër mend t'i prodhojë. Me gjithë erën e re që pret RTSH, vazhojmë të shohim një televizion publik shtetëror të politizuar, të kontrolluar nga qeveria aktuale.
A do të ketë ndonjëherë zgjidhje për ruajtjen e balancave, për një informim jo të njëanshëm politikisht në këtë ekran?
Ky është një problem që zgjidhet me ligj. Ligji aktual lë hapësira për keqinterpretime.
Në fillim të dhjetorit kemi edhe një vizitë të përfaqësueses së EBU-së (Unionit Evropian të Transmetimit) në Shqipëri. Cili është qëllimi i kësaj vizite?
Është një vizitë që drejtoresha e përgjithshme e EBU-së bën në të gjitha mediat aksionere, ku bëjmë pjesë edhe ne. Ajo ndjek procesin e dixhitalizimit dhe vëzhgon raportet e arkëtimit të institucionit tonë. mArkëtimet në vendin tonë janë të vogla, ato duhet të ngrihen. Shqiptarët paguajnë 600 lekë të vjetra në vit për këtë shërbim. Duhet të bëhet një politikë e tillë nga shteti që të mblidhet rregullisht kjo taksë dhe të rritet pak, sepse është e ulët. Po ashtu, bizneset duhet të paguajnë për çdo aparat që kanë në përdorim.