Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare në Durrës, edhe pse është inauguruar në vitin 2011 nga qeveria “Berisha”, ka qenë jashtë funksionit. Por, pas dy vjetësh, kjo qendër tashmë funksionon me kapacitet të plotë, duke pasur në vëzhgim dhe monitorim të gjithë hapësirën detare të vendit tonë. Ka qenë kjo arsyeja e vizitës së djeshme të ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, në këtë qendër operacionale, e cila, pas takimit me stafin dhe me drejtues të Shtabit të Përgjithshëm, ka parë nga afër pajisjet në këtë sallë.
Ministrja e Mbrojtjes, Kodheli, duke u ndalur te rëndësia e këtij sistemi jo vetëm për ecurinë e punës së Ministrisë së Mbrojtjes apo Ministrisë së Brendshme, por edhe për informacionet që duhet të shkëmbejmë me partnerët tanë ndërkombëtarë, theksoi se tashmë ne nuk jemi më pa sy. “Ne nuk siguronim dot ruajtjen dhe sigurinë e Shqipërisë dhe qytetarëve të saj në raport me fqinjët, por tashmë në një kohë rekord vendi ynë është më i sigurt”, tha Kodheli. Vendosja në funksion të plotë të këtij sistemi, vijoi më tej ajo, është realizuar me gjysmën e fondit të parashikuar nga qeveria e mëparshme. Sipas një dokumenti që gazeta “Shqip” disponon, rezulton se mes Flotës Detare dhe ministrit të atëhershëm, Arben Imami, ka pasur konflikt në lidhje me “vënien në gatishmëri tekniko-operacionale të sistemit të integruar të hapësirës detare”.
“Komanda e forcës detare, përmes kësaj shkrese, sjell në vëmendjen Tuaj, se sistemi i integruar i vëzhgimit të hapësirës detare, në këto momente gjendet jashtë parametrave të gatishmërisë tekniko-operacionale (80% jashtë gatishmërie). Kjo gjendje është shkaktuar për dy arsye kryesore: a) Moszhvillimi dhe si pasojë moslidhja e një kontrate për mirëmbajtjen e sistemit në vitin 2012 nga ana e MM-së. b) Zgjatja e paarsyeshme dhe e paargumentuar për një periudhë më tepër se katërmujore (prill-gusht), e procedurës së prokurimit, të zhvilluar në vitin 2013 në Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe të parregullsive të konstatuara gjatë zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, të cilat pengojnë lidhjen e kontratës nga ana e komandës së Forcës Detare me shoqërinë fituese”, thuhet në letrën e Flotës Detare, drejtuar Kodhelit. Për shkak të shkeljes së procedurave të tenderimit, Flota Detare nuk pranoi të zbatonte kontratën.
“Znj. Ministre e Mbrojtjes! Për sa më sipër rekomandojmë:
1- Verifikimin nga ana Juaj të ligjshmërisë së procedurës së prokurimit ‘Kontratë e klasifikuar’ me objekt ‘mirëmbajtja e SIVHD-së’, zhvilluar në MM në periudhën prill-gusht 2013.
2- Mbas kryerjes së procedurës së verifikimit, lutemi rikonfirmimin e ligjshmërisë së urdhrit të MM, Nr. 307/2 ‘për lidhje dhe zbatim kontrate’ me shoqërinë fituese, ose në rast të kundërt rekomandojmë revokimin e këtij urdhri dhe anulimin e procedurës së prokurimit;
3- Në rast rikonfirmimi të urdhrit të lartpërmendur, rekomandojmë gjithashtu ndryshimin e tij në lidhje me afatin e kohëzgjatjes së vënies në gatishmëri tekniko-operacionale të sistemit brenda limitit kohor 45-60 ditë kalendarike dhe jo 4 muaj siç është parashikuar në ofertën e shoqërisë”, thuhej në letër. Pas këtij konstatimi, Kodheli urdhëroi një procedurë tjetër tenderimi, ku sistemi radar u bë tashmë funksional me gjysmën e çmimit të parashikuar në tenderin e parë, nga 82 707 091 lekë, me 48 233 166 lekë.