Rade Sherbexhija - Bekim Fehmiu i paarritshem ne Jugosllavi

Rade Sherbexhija - Bekim Fehmiu, i paarritshem ne Jugosllavi
Intervistë me aktorin e “Eyes Wide Shut” dhe regjisorin e njohur serb Sherbexhija. Si e ka njohur Shqipërinë dhe artistët me origjinë shqiptare të ish-Jugosllavisë; teknikat e punës së tij; si u bë i njohur në Botë dhe sekretet e artistëve të mëdhenj

Intervista lihet dy herë në mes. Njëherë organizatorët na ngrenë pupthi sepse duan të improvizojnë një takim Kardinale dhe Sherbexhija në tapetin e kuq. Kthehemi sërish!-thotë dhe qesh. Herën e dytë mësyjnë një grup, i një media të huaj. Janë më të shkathët. Kthimi është i vështirë, por vendi që gjejmë për të vazhduar është i mrekullueshëm. Larg syve kureshtarë. Për fat të keq koha është e kufizuar. Ai po ashtu. Rade Sherbexhija ishte i ftuari i nderit në Durrës përkrah Klaudia Kardinales dhe Frensis Coppola. Ky serb me pasaportë kroate është 65 vjeç dhe me një karrierë të shquar që ia ka admiruar çdo ballkanas. Është aktor, regjisor dhe muzikant dhe ka interpretuar me shumë artistë të njohur të Hollivudit ndërsa ka arritur të jetë dhe në cast-in e filmit Eyes Wide shut, që ishte i fundit për të famshmin Stanley Kubrick. Filmi që e bëri të njohur ishte “Hanna’s War” (1988) dhe pastaj roli i një argjendari armen dhe sidomos prodhimi maqedon “Përpara shiut”, kurse në Hollivud filmat “Mission: Impossible II”, “Mighty Joe Young”,” The Saint”, “Eyes Wide Shut”,”Snatch”, “EuroTrip”,” The Quiet American (2002)”,” Shooter and a cameo in Batman Begins”. Në Durrës është në promovimin e një filmi bashkë me të birin, që debuton. Është i sjellshëm. Modest.

Në karrierën tuaj të gjatë që nis që para më shumë se tridhjetë vjetësh, keni bashkëpunuar me disa nga kineastët më të mëdhenj të historisë dhe interpretuar përkrah shumë aktorëve të mëdhenj. Së fundi, interpretoni në një film me birin tuaj. A keni ndonjë mbresë të veçantë në këtë bashkëpunim?
“Po. Për hir të vërtetës, dua të them se kam punuar vërtetë me regjisorë të mëdhenj të kinematografisë bashkëkohore dhe ndaj shumë përvoja me ta. Por, vjen një ditë që mund të bashkëpunosh dhe me birin tënd, që sapo ka filluar rrugën e kinematografisë. Dua t’ju them se ishte një nga atraksionet më të mëdha dhe pavarësisht se mund të ketë probleme të mëdha, jam argëtuar shumë. Ai, është si të them, në jetë shumë i heshtur dhe i mbyllur, por kur punon është sikur del llava. I humbet kontrolli dhe punon pandalur. Kemi dhe sherre shumë, kuptohet, por që të gjitha zbuten në fund, ngaqë kemi një qëllim të përbashkët”.

Si të vjen roli zakonisht? Sapo i shikon vendos menjëherë që me pamjen e parë apo të duhet një fare kohe pas mëdyshjeve?
“Thua si jam para një roli? Po shiko, është kështu. Si të them thjeshtë: Unë kam marrë shumë skenarë në jetën time profesionale. Ngandonjëherë dua të them se ka të mira dhe i ndjej menjëherë, por si zakon e kam që në përgjithësi ua jap fillimisht miqve të mi që t’i lexojnë dhe të gjykojnë dhe pastaj ua jap agjentëve të mi ti shohin dhe të vendosin në terma të tjerë sepse tek e fundit janë ata që vendosin. I besoj gjykimit profesional të tyre”.

Eshtë vështirë për një aktor me origjinë ballkanike të marrë role në Botën e madhe të filmit?
“Dua t’ju them se për këtë pyetje do të flas për vete. Personalisht jam në situatë të mirë kështu si ka rrjedhë jeta ime sepse gjithnjë kam arritur të marr role. Unë kam luajtur në shumë filma amerikanë si aktor mbështetës dhe madje në disa prej tyre si në Salt Pacific edhe role kryesore, pa përfshirë këtu shumë filma ballkanas, ku zakonisht kam pasur role primare. Të themi të vërtetën, prej pak kohësh rrallë kam marrë role të mira sepse në moshën time është e kuptueshme, por kur isha i ri atëherë më ofroheshin role në filma amerikanë dhe ndaj jam i kënaqur. Ajo që dua të them është se mbetem i kënaqur...dhe dua të shtoj se një profesionisti të mirë gjithnjë i afrohen role nëse di të punojë si duhet”.

A është e vështirë të interpretosh nën drejtimin e emrave më të njohur të kinematografisë? Ke ndjerë kompleks në këto përballje?

“Jo. Nuk kam pasur kompleks madje edhe kur kam punuar me Stanley Kubrick. Unë jam kështu si jam dhe dua të them se kështu edhe dua të mbetem. Kam bërë disa role me njerëz të jashtëzakonshëm. Dhe, kur kam pasur role në filma me regjisorë të mëdhenj nuk e fsheh se jam përballur edhe me personazhe prepotentë, apo me arrogantë. Gjithsesi, ajo që më ka mbetur është se njerëzit e mëdhenj, të themi si Kubrick janë njësoj të mirë, modestë dhe të sinqertë. Në të vërtetë, njerëz që ke kënaqësi që punon me ta, kurse ata që janë të vegjël mbeten të tillë...”.

Si ka ardhur Shqipëria në jetën tënde. Kush janë njohuritë e tua më të hershme për të?

“Fizikisht, kjo është hera e parë që jam në Shqipëri dhe arsyeja është filmi i tim biri, ku jam protagonist, por kontaktin me të kujtoj se e kam pasur prej shumë viteve të shkuara. Sa dija më parë? Dija atë që dihej atëhere tek ne në Ish-Jugosllavi: Një vend i errët, i ndrydhur, despotizëm dhe izoluar plot me bolshevizëm...e gjëra si këto”.

E njihni gjuhën shqipe. Tek filmi Përpara shiut, ju interpretoni një pasazh shqip?

“Pak. Të themi dobët. Nuk e flas dot. Por filmin, që përmendët, e kam përgatitur me shumë ndihmë. Por, të kthehemi te pyetja juaj: Ngaqë s’kam pjesë e ndonjë partie komuniste ose e një organizate apriori i kam dashur dhe respektuar shumë shqiptarët, sepse kam pasur kontakte të mrekullueshme me ta. Kujtoj përshembull Faruk Begollin dhe Enver Petrovcin dhe shumë aktorë të tjerë, që s’më vinë tashti ndërmend apo t’i kujtoj menjëherë. Ajo që njoh nga shqiptarët dhe nga kujtimet me ta është se janë njerëz të ndershëm, të respektueshëm dhe shumë të drejtë. Shumë të ndershëm, madje dhe kjo është arsyeja që më formoi dhe nderimin për ta...”.

Po Bekim Fehmiun, si e kujtoni. Në vitet e fundit komunikonte me vështirësi?

“Ah. E kujtoj si një njeri të veçantë dhe të jashtëzakonshëm. Dua të them se kam kujtime jashtëzakonisht të mira dhe e them me bindje se ishte aktori në mos më i miri i ish-Jugosllavisë, një nga më të mirët e tij. Në vitet e fundit, që ju përmendni, ai ishte thellësisht i plagosur dhe asnjëherë s’tha asgjë kundër popullit në përgjithësi. Por, si të gjithë ne, ishte nën regjimin e Sllobodan Millosheviçit, një nga politikanët më monstruozë që ka ekzistuar, për atë që bëri jo vetëm ndaj popullit serb por edhe të gjithë rajonit.

Do kujtohet gjatë ky monstër që bëri atë gjakderdhje dhe mbylli kontaktet me njerëzit dhe vetëm tashti filluam dhe kemi mundësi për të lëvizur dhe për ta njohur njëri-tjetrin më shumë. Unë dua të kujtoj me këtë rast, një kolegun tim, Mirko, që ishte një njeri i ndershëm dhe e pyeta njëherë sesi ishin kosovarët, serbët dhe shqiptarët. Të gjithë popujt kanë të drejtë, më tha. Kush ka më të drejtë?-i thashë duke e ngacmuar. Ka pasur gjithnjë trazira, dhe gjithnjë ka qenë kështu: kush vend ka pasur më shumë serbë apo shqiptarë, në një moment të caktuar, ai ka aluduar për të drejtën.

Kjo ka qenë pak a shumë dhe jo fakti nëse kosovarët janë ekstremistë. Në këto vraga kështu ka ardhur Millosheviçi por nuk mundesh të flasësh keq për popujt sepse në shekuj: kosovarët, shqiptarët dhe serbët e donin njëri tjetrin dhe jetonin mirë mes tyre. Por Bekimi, duke iu kthyer pyetjes, do ta mbaj mënd për atë fuqi të jashtëzakonshme shpirtërore dhe mënyrën e veçantë sesi jetonte. E nderoj shumë këtë aktor të madh, që vendosi të mbyllë jetën në atë mënyrë...si në antikitet”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama