Radi Ne drite edhe mund ta harrosh erresiren

Radi: Në dritë edhe mund ta harrosh errësirën
I laureuar për drejtësi në “La Sapienza” të Romës më 1942, bashkëpunëtor i rregullt me organe të kohës, sidomos ato profashiste emri i të cilave iu kthye në akuzë, pas 45-ës, Radi bëri 10 vjet burg, u internua për 22 të tjerë, dhe për një dekadë ishte i dëbuar së bashku me shoqen e jetës dhe të vuajtjeve, Vitoren. “Mbas 45 vjet rrugash” siç tregon një nga bijtë e tij, Jozefi, i lindur në internim, për të treguar se “nuk kam vdekur” ai botoi brenda mundësive veprat “Muret e muzgut”, “Anëzave të Sharrit”, “Shpresa vdes e fundit”, përkthimet “Platoni, vepra”, dhe “Qytete dhe Fantazma” të Jovan Duçiqit, studimin “I pari Gjyq Special në Shqipëri”, memorialin “Shqipëria në vitet ‘30” dhe novelën “Apologjia e Sokratit në Tiranë”.


Jozefi që merret me grumbullimin dhe redaktimin e veprës së të atit thotë se ka në proces botimin e trilogjisë së jetës së Lazër Radit, këtij njeriu që kish ardhur si emigrant nga Prizreni në Shqipëri, për shkak të represionit sërb, më 1929, në moshën 13-vjeçare. Shkodra është një stacion i rëndësishëm në jetën dhe formimin e tij. Siç tregon Jozefi në këtë 10-vjetor, i ati nuk ka shkruar asnjë gërmë për diktaturën, ajo është kohë terri dhe sipas tij, njeriut s’i ka kuptim të shkruajë përveçse për vitet më me dritë të kësaj jete.

Sot bëhen 10 vjet nga vdekja e Lazër Radit. Keni menduar diçka si përkujtim?

10-vjetori i vdekjes së babait është një datë që kisha menduar ta përkujtoja ndryshe. Nuk realizoj atë çka kisha menduar për faktin e thjeshtë se kam marrë përsipër të grumbulloj dhe të redaktoj gjithë çfarë ai ka lënë nga trashëgimia personale në fushën e kulturës, si në përkthime, kujtime, vepra letrare, monografi në vepra postume. Një pjesë e veprës së tij, u botua në një periudhë shumë të vështirë të historisë së këtij vendi, më 1997. Duke parandjerë vdekjen dhe raportet familjare që ndryshuan në mënyrë drastike: i vdiq e shoqja, unë u detyrova të largohem familjarisht, ai vendosi t’i botojë ashtu siç ishin, edhe si një lloj hakmarrjeje ndaj asaj pamundësie për ta mbaruar atë punë që mendonte të realizonte.

Çfarë ka lënë në dorëshkrim, ju përmendni diku përkthimet e Frojdit, Jungut...

Lazër Radi mendonte se për shkak të indoktrinimit 50-vjeçar që kishte ndodhur, rinisë në mënyrë urgjente duhej t’i jepeshin ato vepra filozofike me të cilat ajo e kish pasur të pamundur që të komunikonte. Ndërkohë ai merret me Platonin, me Frojdin, me Jungun, duke i konsideruar tri pika referimi për komunikimin me rininë. Nëse Platonin e botoi thuajse të plotë më 1993, me Frojdin prej të cilit kish përkthyer ëndrrat dhe interpretimin e tyre, si dhe Jungu ai mendonte që të bënte një vepër të përbashkët. Gjë për të cilën nuk i premtoi koha, megjithatë këto përkthime tashti presin kohën e botimit...

Po dorëshkrimet e tjera çfarë përmbajnë?

Sipas meje, puna më e rëndësishme, pothuaj e gatshme për botim, është trilogjia e jetës e ndërtuar mbi tri qytetet e jetës së tij “Prizreni”, “Shkodra” dhe “Roma”. Besoj se “Shkodra” është e jashtëzakonshme. Ai ka qenë në gjendje të japë kohën në të gjitha detajet, aty ka personazhe nga më të ndryshmet të para në këndvështrimin e tij. Për shembull Skënder Luarasi, Ahmet Zogu, Migjeni, e plot personazhe të kohës. Aty është Shkodra në konfliktin e përjetshëm të dy botëve; është ai qytet që siç e quan ai: “...hyn një herë e s\'mund të dalësh kurrë prej tij...” është parë lëvizja komuniste në bërthamë, në një botë djemsh që kërkonin të ndryshonin botën, dhe çdo gjë që ishte jashtë asaj bote, ishte për ta e zezë...

Kur është shkruar kjo vepër?

Rreth viteve 1986-1989. Dmth ka brenda edhe pak autocensurë. E vërteta është se këtë vepër ia kërkova me detyrim, sepse ai kishte një mënyrë të shkëlqyer të të rrëfyerit të ngjarjeve të jetës së tij, aq herë i kishte rrëfyer, sa unë i kërkoja leje të rrëfeja detaje të jetës së tij!

Ai nisi të merret me vetveten pak vite pasi e patën demaskuar publikisht si armik i popullit, më 1982. Ishte një demaskim, si të thuash, spektakolar. Regjimi, mbasi i kishte mbushur burgjet, kishte ndërruar taktikë: kishin filluar një tjetër skenar, të përpiqeshin me të gjitha mjetet dhe mënyrat për të demaskuar figura të njohura në mënyrë që të shkaktonin një terror frike në popull... Ai me një gjakftohtësi që unë s’e kisha besuar se e kishte brenda vetes arriti ta kapërcente situatën, dhe t\'i kthente gati gjithë akuzat në favor të tij. I detyroi të gjithë të heshtnin përpara asaj çka tha.

E kur ndodhi kjo?

Ndodhi në Savër, në 21 tetor 1982. Për fat (të keq a të mirë) kam qenë edhe unë prezent në atë skenë masive të ndëshkimit, që më kujtonte diçka biblike. Fillimi ishte agresiv dhe shkatërrues kurse mbyllja e demaskimit qe e tillë sikur donin t’i thoshin tani s’kemi ç’ti bëjmë këtij njeriu, e kishim për detyrë ta bënim këtë dhe e bëmë.

Çfarë mbani mend nga ai “demaskim”?

Këtë ngjarje e kujtoj detaj për detaj, por do të përmend ndonjë prej tyre. U ngrit dikush nga salla (sigurisht i porositur) dhe pyeti: Le të na thotë ky Lazër Radi se ç’të keqe i ka bërë partia? Ai u ngrit edhe tha: Kjo parti s\'më ka ba absolutisht asnjë të keqe. Gjatë 40 viteve të kësaj partie kam qenë 10 vjet në burg, kam 22 vjet i internuar e 10 vjet i dëbuar. Nëse është ndokush nga ju që e quan të keqe kët gjë, unë nuk e quaj aspak të tillë, përkundrazi e quaj një favor të madh që më ka bërë ky shtet...

Shpesh e kujtonim këtë ngjarje në familje dhe ndër miq, dhe Lazri me humor thoshte një perifrazë të drejtorit të ndërmarrjes që gjatë hapjes së demakimit ndër të tjera i ishte drejtuar me fjalët: “Ky intelektual borgez me zemër të zezë...” të paktën si intelektual ende më njohin!

Ju thoni se Lazër Radi e dinte që do të dënohej, e do të paguante detyrimin ndaj fajit që kishte qenë gazetar dhe kishte shkruar për organe profashiste...

Shiko, Lazër Radi u kthye në Shqipëri mbasi ishte lauruar në “Sapienza” të Romës Doktor në drejtësi me 110/110, në fund të gushtit 1942. Në vitet 40-41 ai kishte bashkëpunuar me dy gazeta profashiste të asaj kohe, “Tomorri” dhe “Fashizmi”, gjithnjë brenda konceptit të tij politik se edhe të keqes më të madhe duhet t’i vjelësh atë çka është e dobishme për popullin tënd. Të mos harrojmë se miqtë e tij ishin Ernest Koliqi, Vangjel Koça, Hasan Dosti e të tjerë... Mbas këtyre shkrimeve ai pati një periudhë heshtjeje të gjatë në shtypin shqiptar. Kur u kthye nuk është se mori ndonjë flamur. Ai nuk ishte i përzier në ndonjë organizatë të kohës, as në ndonjë parti politike, por mbajti një qëndrim nacionalist, duke botuar një seri të gjatë artikujsh në gazetën “Bashkimi i Kombit” me pseudonimin Ushtima e Sharrit.

Si e përkufizoni këtë llojin e tij të nacionalizmit?

Ai nuk e pranonte konceptin e një ideologjie të vetme (për ndërtimin e shtetit). Ai mendonte dhe besonte që konceptet duhet të përplasen mes tyre për të dalë në shesh e vërteta dhe për t’u gjetur ato mekanizima mbi të cilat funksionon shteti. Mendonte se nuk funksionon shteti mbi bazën e një ideje të vetme, dhe të eliminimit fizik të kundërshtarëve, sepse një ide e vetme sjell regjime totalitare dhe ai ishte absolutisht kundër totalitarizmit, edhe pse në një periudhë të caktuar historike ai u gjend pranë një ideologjie që synonte të sundonte botën. Ai theksonte se ideologjive, çdo shtet duhet t’iu vjelë frutet e interesave të veta.

Pas ’90-ës çfarë hijesh do të riktheheshin në jetën publike të Radit?

Në fund të vitit 90, në gjetëm mundësi për t’i ikur odisesë së gjatë të gulagëve shqiptarë dhe të ktheheshim në Tiranë, prej nga na kishin dëbuar. Sigurisht 45 vjet rrugash, të kthehesh andej nga je nisur, nuk qe e kollajtë, sepse një pjesë e mirë e pikave të referimit ishin thyer. Megjithatë, Lazri gjeti mundësi të integrohej në jetën kryeqytetase dhe mori pjesë në jetën kulturore, politike, dhe asaj dashurie për të cilën kishte paguar: shtypit të shkruar. Veçanërisht daljet e tij në media dhe artikujt në shtyp nisën të ngjallin xhelozitë, e atyre që besonin se atij s\'i kishte mbetur më asgjë për të thënë.

Pikërisht kjo shfaqje e beftë e tij ngriti një ortek sulmesh, dhe kur nuk gjenin arsye me se ta sulmonin iu kthyen refrenit të idesë së fashizmit. Atëherë ai tha: A nuk iu mjaftuan miqtë e mi 45 vjet ndëshkim, vetëm për mendimet e mia, pasi asnjë lloj vepre penale, në dëm të asnjë personi nuk kam kryer? Konceptet e mia politike i kam paguar më shtrenjtë se çdo njeri tjetër, dhe s’kam pse frikem sot prej askujt për atë çka mendoj!

Pse u desh që t’i hynte politikës?

Kishte punuar me shtypin dhe një pjesë të mekanizmave djallëzore të shtypit i njihte mirë. Me një gjakftohtësi të habitshme vazhdoi në rrugën e vetë. Besonte se ky vend kishte një të ardhme ndaj edhe iu fut politikës, thjesht për të shërbyer. Në njëfarë mënyre edhe ne në familje na mbajti peng të idesë së shërbimit ndaj Shqipërisë. Për këtë ai mori pjesë në polemikat e vendosjes së peshkopit Janullatos; hyri në partinë e Unitetit Kombëtar megjithëse aty gjithçka ishte manipuluar nga pelivanë politikë që me aq zell i kishin shërbyer diktaturës. Ai mbajti dhe mbrojti linjën e vet dhe kur e pa se sa false ishte ideja e unitetit kombëtar, që përbënte edhe një ideal të hershëm të tij, u tërhoq.

Megjithatë gazeta “Kombi” i shërbeu si tribunë për të botuar shkrimet e para për Koliqin, Musine Kokalarin, e mjaft nga priftërinjtë e vrarë nga regjimi si dhe për të dëshmuar se “nuk kam vdekur”. Mbas kësaj, bashkë me një grup patriotësh idealistë, si Agim Musta, Hazir Shala, Ymer Dishnica, Mexhit Kokalari krijuan Lëvizjen Demokratike të Bashkimit të Shqiptarëve si dhe gazetën “Bashkimi i Kombit” e cila u botoi rreth pesëdhjetë e ca numra nën kujdesin e tij...

Ju keni lindur në Elbasan ndërsa prindërit ishin internuar në Kuç. Si është historia juaj, duket e ngjashme me historinë e shumë fëmijëve që vuajtën pasojat e origjinës?

Nëna ime ka dalë nga burgu në vitin 1955. U dënua në moshën 22-vjeçare si agjente e jugosllavëve. Një invencion. Ishin një grup grash që i kishin burrat nëpër burgje dhe bënë një protestë legale. I kapën dhe pas “bombës në Ambasadën Sovjetike” i përfshinë si gra të intelektualëve me dënime të përbindshme. Këto nuk janë aspak histori absurdi. Ai shtet në themel të programit të tij kishte ndëshkimin, nuk kishte rëndësi se kë. Në fund ai regjim ndëshkoi veten dhe të vetët si askush tjetër, ndëshkoi të gjithë ata që i kishin shërbyer.

Në vitet \'50 në Kuç të Kurveleshit, qe ngritur një kamp i krijuar enkas për intelektualët. Kam bërë një studim për këtë vend. Nga 100 persona të internuar 37 kishin mbaruar universitetet; 28 kishin mbaruar shkolla profesionale dhe gjimnaze; 10 ishin me 8-vjeçare, pak njerëz me shkollë fillore dhe 3-4 analfabetë, por ishin familje me emër të fshatrave të caktuar, si për të thënë që ishte pari e një fshati. Këta 100 vetë jetonin në mullirin e Kuçit, te Buronjat, të izoluar, pa asnjë lloj komunikimi me botën. Kur doli nga burgu, nëna ime s’kishte ku të shkonte më. Niset dhe shkon në Kuç të Kurveleshit. Pas nëntë muajsh erdha unë si një produkt i kësaj rrethane ndëshkimesh. Imagjino që prindërit s’kishin as shtrat, as dhomë, jashtë në natyrë, kishin krijuar një vend për krijuar intimitetin e familjes.

Në muajt e fundit të shtatzënisë ajo u detyrua që të vinte në Elbasan tek i ati i saj. Aty u linda unë. Pastaj është ajo peripecia nëpër kampe, por kjo ka pak rëndësi. Të dy prindërit e mi asnjëherë nuk na folën konkretisht për rrethanat dhe përse ishin të dënuar. Ata u përpoqën që ne ta asimilojmë gradualisht të vërtetën dhe asnjëherë të mos e jetonim atë si traumë.

Kjo ka qenë një fitore e jashtëzakonshme e tyre dhe e jona. Dmth, ne arritëm ta kuptonim në moshën e duhur se në çfarë rrethanash jetonim. Sot e kësaj dite unë nuk e përcjell atë kohë si traumë, unë gjej gjërat më interesante të asaj kohe dhe i mbaj për veten time, një lloj kapitali jo për ta denigruar, sepse koha denigron veten, por që unë gjeta elementët më pozitive për ta shpëtuar veten, dhe për të mos u ndjerë viktimë. Kjo falë edhe personalitetit të papërsëritshëm të tim eti...

Për çfarë do kishte shkruar Lazër Radi sot?

Lazër Radi sot do të thotë: “mision i pakryer” Ai desh të bënte shumë, po bëri aq sa mundi... Nuk ka bërë pak po të kihet parasysh koha dhe rrethanat në të cilat ai e ngriti jetën dhe veprën e vet...

I çuditshëm është fakti se ai nuk shkroi absolutisht asgjë për diktaturën. Edhe në debate mes miqsh ai thoshte: njeriu vlen të shkruajë për atë çka është pjesa më me dritë e jetës së tij. Në errësirë duhet ta mendosh dritën për të shpëtuar, në dritë edhe mund ta harrosh errësirën, mjaft që të luftosh që ajo të mos kthehet... Për atë pjesë të errët ku ti zhvelftësohesh si qenie, si njeri, si intelektual përse të shkruash?!

Ndoshta për këto shkruhet në trilogji?

Trilogjia është gjithë përpjekja e tij për të prekur dritën.


Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama