Dy ministrat shqiptarë të qeverisë maqedonase, Valon Saraçini, ministër i Ekonomisë dhe Abdylaqim Ademi, minister i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ndodhen në Tiranë për tu takuar me kryeministrin Edi Rama. Të pranishëm në këtë takim do të jenë edhe ministri shqiptar i Energjetikës, Damian Gjiknuri, ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
Takimi është njoftuar nga kryeministria dhe pritet të nisë në orën 09: 45 minuta. Temë e diskutimit pritet të jetë devijimi i ujrave të lumit Radika nëse implementohet projekti për ndërtimin e hidrocentralit në Fushën e Lukovës. Një ditë më parë ministri Ademi duke folur ekskluzivisht për A1 Report nga Shkupi deklaroi se, është 90% i bindur se, projekti për ndërtimin e hidrocentralit nuk do të realizohet.
Sipas tij, "për shkak të ndikimit që mund të ketë devijimi i ujit nga lumi Radika, në vetë rrjedhën e lumit, si dhe ne ekosistemin dhe biodiverzitetin e këtij rajoni, ky projekt nuk mund të bëhet." Nga ana tjetër edhe kryeministri shqiptar Edi Rama u shpreh dje se nuk ka projekt as nga qeveria maqedonase as ajo shqiptare dhe as nga Banka Botërore. Dje në Parlament ai akuzoi opozitën se po manipulon.
Ndërkohë Banka Botërore është duke bërë ende vleresime për projektin e paraqitur që prej vitit 2011, e sipas të cilit, sasia e ujrave që parashikohet të devijohen në kaskadën e Mavrovës do të jetë më e vogël se 2 metra kub për sekondë, që sipas burimeve të Bankës Botërore është më e ulët se sa parashikon marrëveshja për administrimin e ujrave midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Banka Botërore thotë se projekti, që ende nuk është miratuar nga Bordi i Drejtorëve, ka ndeshur në vështirësi për shkak të konsideratave mjedisore dhe kundërshtimeve nga banorët në Maqedoni, meqë ai pritet të ndërtohet në një park kombëtar.