Kostoja - Projekti i paraqitur pritet të kushtojë rreth 80 milionë euro dhe të prodhojë 160 milionë kilovat/orë energji elektrike në vit
Mavrov - Rezervuari parashikohet të ndërtohet në Parkun Natyror të Mavrovos dhe do të ketë madhësi që do të variojë nga 0.1 në 1.5 kilometra katrore
Ndikimi - Radika është kontribuues i Drinit dhe heqja e 2 metrave kub ujë për sekondë, ose 63 milionë metër kub në vit, ndikon në HEC-et tona
Shqipëria, Kosova dhe Greqia do të duhet të pyeten në lidhje me devijimin e ujërave
Banka Botërore është aktualisht duke shqyrtuar kërkesën e Maqedonisë për financimin e projektit të devijimit të ujërave të lumit Radika për një hidrocentral të ri dhe për të shtuar furnizimin me ujë në tre hidrocentrale ekzistuese në kaskadën Mavrovo. Lajmi bëhet i ditur nga dokumentet e publikuara në faqen zyrtare të Bankës Botërore në internet. Projekti i detajuar synon të marrë në lartësinë 1500 metra mbi nivelin e detit mesatarisht 2 metra kub ujë në sekondë nga baseni kullues i Adriatikut dhe ta transferojë këtë sasi në basenin kullues të Egjeut. Projekti parashikon ndërtimin e një hidrocentrali të vogël me fuqi 5 MW me digë dhe një rezervuar të aftë për të magazinuar 39 milionë metra kub ujë. Rezervuari parashikohet të ndërtohet në Parkun Natyror të Mavrovos dhe do të ketë madhësi që do të variojë nga 0.1 në 1.5 kilometra katrore. Energjia totale e prodhuar nga hidrocentrali i ri 5 MW dhe nga rritja e prodhimit në tre hidrocentralet ekzistues poshtë rrjedhës pritet të arrijë në 160 milionë kWh në vit. Diga e projektuar është 320 kilometra e gjatë dhe 70 metra e lartë.
Marrëveshja e kufirit me Kosovën radika river
Banka Botërore vëren në raportin e saj se marrëveshja për delimitimin e kufirit mes Maqedonisë dhe Kosovës e arritur në vitin 2009, ia dha të gjithë zonën ujëmbledhëse të Lukovës, Republikës së Maqedonisë. Pavarësisht kësaj, BB thotë se Maqedonia, Shqipëria dhe Greqia do të duhet të japin leje për vijimin e këtij projekti. BB thotë gjithashtu se projekti ka potencial për të shkaktuar ndikime të rëndësishme negative në mjedis nëse nuk menaxhohet mirë. “Gjatë periudhës së operimit [projekti] do të shkaktojë devijimin e ujit nga rrymat dhe përrenjtë në sipërfaqe nëpër kanale dhe tunele, do të ndryshojë hidrologjinë vendëse dhe do të shkaktojë ca devijim uji (mesatarisht më pak se 2 metra kub në sekondë), nga baseni i Adriatikut në atë të Egjeut”, thotë dokumenti i BB.
Politika OP 7.50
Banka Botërore ka një set politikash paraprake, mes të cilave është politika operacionale 7.50. Kjo politikë e vendosur në vitin 2001, sanksionon që çdo projekt i Bankës Botërore që prek ujëra që i përkasin më shumë se një vendi, nuk mund të financohet për sa kohë një vend nuk ka rënë dakord mbi të. Kjo politikë sanksionon që para se të financohet projekti, palët e interesuara të marrin njoftim dhe të japin opinionin e tyre për pasojat që mund të kenë nga zbatimi i projektit. “Për shkak të devijimit të sasive të vogla të ujit (më pak se 2m³/s) përgjatë ujëndarëses nga baseni i Adriatikut në Basenin e Egjeut, politika operacionale 7.50 e Bankës Botërore mund të aktivizohet. Një njoftim formal do t’i dërgohet palëve të prekura (Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe, për shkak të rritjes së prurjeve përmes Greqisë te baseni i Egjeut, një njoftim duhet t’i dërgohet edhe Greqisë gjithashtu”, thuhet në projektin e BB, i firmosur më 1 dhjetor 2012. Sipas politikës operacionale të BB, nëse një vend refuzon, BB mund të ofrojë mundësi për ndërmjetësim mes palëve për të zgjidhur mosmarrëveshjet me mirëkuptim. Qëndrimi i qeverisë shqiptare mbi këtë çështje është i paqartë. Kryeministri Edi Rama deklaroi në “Twitter”: “Lumi Radika, shumë zhurmë për asgjë! 1. S’ka projekt 2. S’ka gjasë të ketë fillim të njëanshëm 3. S’ka shans të lejojmë prekjen e interesit tonë!”. Ndërkohë, dokumenti i Bankës Botërore i aksesueshëm në faqen e internetit, e ka titullin: Lukovo Pole Water Regulation and Renewable Energy Project (LPREP). Ky projekt është në fazën e konceptimit, por ndërkohë qeveria e Maqedonisë gjatë vitit 2012 ka kaluar procedurat e konsultimit publik dhe hartimit të vlerësimeve të ndikimit në mjedis. Për këtë projekt, kanë hyrë në veprim një seri parakushtesh që Banka Botërore ka para se të financojë një projekt dhe parakushti i mirëkuptimit me vendet e prekura, në këtë rast, Shqipëria, Kosova dhe Greqia është një prej tyre. Dokumentet mbi projektin janë hartuar deri në nëntor të vitit 2012. Ndërkohë, media në Tiranë ka publikuar një dokument që sugjeron se qeverisë shqiptare i ka ardhur njoftimi nga qeveria e Maqedonisë për të kërkuar leje për devijimin e prurjeve. Ministria e Ekonomisë në Shqipëri thotë se çështja është diskutuar me autoritetet maqedonase në kuadër të shqetësimeve të popullsisë, por nuk ka kërkesë zyrtare për leje nga Shkupi për devijimin e kësaj sasie uji.
Regjimi i ujërave
Lumi i Radikës është kontribuues i Drinit dhe heqja e dy metrave kub ujë për sekondë ose 63 milionë metër kub në vit, do të prekë sasinë e ujërave që mbërrin në hidrocentralet shqiptare mbi Drin, Fierzë, Koman, Vau i Dejës dhe Ashtë. Në kaskadën e Drinit shpenzohet zakonisht 1 deri në 1.4 metra kub ujë për çdo kilovat/orë energji të prodhuar. Heqja e 63 milionë metra kub në kushte teorike sjell pakësimin e potencialit prodhues energjetik të Shqipërisë me 50-60 milionë kWh në vit, të cilat kanë vlerë tregtare aktuale prej 2.5 deri në 3 milionë eurosh, nëse marrim çmimin minimal prej 5 cent për kWh. Por efekti real i heqjes së kësaj sasie uji nga rrjedha natyrore e Drinit varet edhe nga shumë faktorë të tjerë. Shqipëria mund të përballet edhe me mosmarrëveshje me kompaninë që ka ndërtuar me koncesion hidrocentralet e Ashtës, pasi në kontratën e firmosur mes palëve, qeveria del garant se sasia e ujit që mbërrin në këto hidrocentrale nuk do të preket gjatë kohës së vijimit të koncesionit. Gjithsesi, projekti i Lukovës vështirë se mund të zbatohet pa lejen paraprake të Shqipërisë, Kosovës dhe Greqisë.