Radika pjese e nje projekti Serbi Maqedoni per lume te lundrueshem

Radika, pjese e nje projekti Serbi Maqedoni per lume te lundrueshem

DIBER E MADHE- Projekti “Fusha e Lukovës” e ka çuar peshë jo vetëm vëmendjen e shqiptarëve në Dibër të Madhe, por edhe të çdo shqiptari brenda e jashtë kufijve. Padyshim që çështja “Radika”, ndiqet me interes nga maqedonasit, por edhe nga ndërkombëtarët. Disa zëra flasin për ekzistencën e një projekti studimi për Fushën e Lukovës për mundësinë e ndërtimit të një HEC-i të ri, e ndërsa zëra të tjerë mohojnë ekzistencën apo mundësinë e realizimit të një projekti të tillë.

Por përtej replikave pro dhe kundër ekzistencës së këtij projekti për ndërtimin e një hidrocentrali në Fushën e Lukovës duke devijuar rrjedhën e lumit Radika, vëmendja hidhet edhe diku gjetkë. Mbase interesi i Maqedonisë për devijimin e rrjedhës së lumit Radika është diçka më shumë se sa thjesht nevojat energjetike të vendit.

Për këtë i referohemi një dyshimi të ngritur nga kryetari i komunës së Dibrës së Madhe në Maqedoni, Rruzhdi Lata. Bëhet fjalë për një projekt të mëparshëm Serbi-Maqedoni për ndryshimin e rrjedhës së lumit Radika duke kaluar ujërat e lumit të shumërpërfolur në një kanal ujor gjigand, i cili të mund të bëhet i lundrueshëm.
 
PROJEKTI I LUMIT TË LUNDRUESHËM
Ujërat e lumit Radika sipas këtij projekti Serbi-Maqedoni parashikohet të kalojnë në një kanal të madh ujor ku bashkohen Danubi, Morava, Vardari dhe lumi Aksios në Greqi.
 
Sipas këtij projekti bëhet e mundur dalja e Serbisë, përmes kanalit ujor i cili kalon në Luginën e Preshevës, në Selanik dhe në detin Egje.
 
Kjo bën të mundur lundrimin e anijeve nga kryeqyteti serb deri në portin e madh grek të Selanikut. Sipas kreut të Komunës së Dibrës së Madhe, Rruzhdi Lata, ky propozim është bërë gjatë vizitës së fundit të kryeministrit serb, Ivica Daçiç në Shkup, ku ai shpalosi edhe projektin e rrugës ujore, që kalon përmes Maqedonisë.
 
“Ky propozim i Qeverisë serbe iu parashtrua zyrtarisht Qeverisë maqedonase, gjë që dëshmon edhe hapat e para në rrugën e përpjekjeve për zbatimin e një megaprojekti, i cili mund të jetë ambicia më e madhe infrastrukturore që mund të jetë imagjinuar ndonjëherë në Ballkan”, tha Lata.
 
Sipas kreut të Komunës së Dibrës së Madhe, projekti për studimin e fizibilitetit tashmë ka filluar, ndërsa na thotë se në zyrën e tij janë paraqitur edhe përfaqësues të kompanisë energjitike “ELEM”, si dhe të Bankës Botërore në Maqedoni, por janë refuzuar nga Këshilli i Komunës.
 
“Devijimi i Radikës nuk është thjesht për interesa ekonomike të Maqedonisë për ndërtimin e një HEC-i, por shkon edhe më gjerë. Përgjatë rrjedhës së Radikës mund të ndërtohen 4-5 hidrocentrale të vegjël, dhe kjo mund të bëhet pa qenë nevoja e devijimit të rrjedhës së lumit. Ne u ofrojmë këtë alternativë që të ketë zhvillim energjitik në Maqedoni, por nuk lejojmë të ketë dëm ekonomik në kurriz të Dibrës së Madhe. Ministri maqedonas i Mjedisit na premtoi se ky projekt nuk do të kalonte në mbledhjen e qeverisë, por zëdhënësi i qeverisë maqedonase më pas tha se ky projekt do të realizohet. Dhe kjo padyshim ngjalli reagim, dhe asnjë shqiptar nuk e pranon këtë”, tha kryekomunari i Dibrës së Madhe.
 
Zëri i qytetarëve po ndjehet dhe protestat kundër këtij projekti që është në fazë studimore, u organizuan në të dy anët e kufirit, por edhe nga shqiptarët në SHBA.
 
KOSTOT FINANCIARE DHE MJEDISORE TË PROJEKTIT
Edhe pse ende nuk ka asgjë konkrete apo të qartë lidhur me projektin e shumëdiskutuar së fundmi për devijimin e lumit Radika në mënyrë që të ndërtohet një HEC i ri në Fushën e Lukovës, flitet jo vetëm për kostot financiare të projektit, por ajo që shfaq më shumë rëndësi janë kostot që rrezikojnë të rëndojnë mbi Dibrën e Madhe, si dhe Shqipërinë.
 
Projekti “Fusha e Lukovës” flitet se arrin vlerën 130 milionë euro, ndërsa është kërkuar edhe mbështetja e Bankës Botërore. Por sipas kryetarit të Komunës së Dibrës së Madhe, vlera e këtij projekti shkon më shumë se 200 milionë euro.
 
Ajo çka përbën më shumë interes jo vetëm për shqiptarët, por edhe për shoqatat mjedisore e ekologjike, është dëmi ekonomik e natyror që rrezikohet t’i shkaktohet Dibrës së Madhe dhe florës e faunës së kësaj zone. Sipas kryekomunarit Lata, rreth 45 % e llojeve natyrore të faunës dhe florës së Maqedonisë janë përgjatë rrjedhës së lumit Radika, dhe ndryshimi i rrjedhës do t’i shkaktonte një dëm të konsiderueshëm këtij biodiversiteti.
 
Por pasojat janë edhe më të mëdha kur flitet për dëmin ekonomik që i shkaktohet Dibrës së Madhe dhe qytetarëve të saj, pasi uji i Radikës është i pijshëm, sepse nuk ka ndotje.
 
“Kjo është një grabitje shumë e madhe që i bëhet Dibrës së Madhe. Nëse rrjedha e Radikës devijohet, atëherë Dibra duhet edhe një herë të shpërngulet, ashtu siç ndodhi në lëvizjen e vitit 1914, ku Dibranët u vendosën në Tiranë e Elbasan”, tha Lata.
 
Projekti i përfolur për ndërtimin e një kapaciteti hidroenergjetik në lokalitetin fusha e Lukovës në Dibër ku Banka Botërore paraqitet si kreditues kryesor, këto ditë ka shkaktuar shumë polemika edhe në Shqipëri. Kjo për arsye se si pjesë kryesore të projektit parashikohet marrja e një pjese të ujit të Lumit Radika drejt kapacitetit hidroenergjetik që do të ndërtohet në Fushën e Llukovës, si dhe bartja sërish e një pjese të këtij uji drejt kapaciteteve tjera energjetike në Mavrovë, respektivisht devijimit të saj drejt Lumit Vardar.
 
Thënë më thjesht, një pjesë e ujit të Radikës në vend që të përfundojë në Lumin Drini i Zi që derdhet në Detin Adriatik, ai përmes sistemit të kanaleve do të përfundojë në Lumin Vardar, që derdhet në Detin Egje.
 
Ky spostim i ujërave sipas ambientalistëve dibranë dhe pushtetit lokal, do të ketë ndikim katastrofal për florën dhe faunën e rajonit më të gjerë, ndërsa në Shqipëri do t’i ulë edhe më shumë prurjet e ujit në kaskadat hidroenergjetike në lumin Drin.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama