Rama Pittella 2016 viti i hapjes se negociatave per anetaresim te Shqiperise ne BE

te-edi-rama-nuk-shkojn-euml-kryebashkiaket-e-djatht-euml_hd3-350x197TIRANE, 3 Nëntor /ATSH/ - Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i së majtës europarlamentare, Gianni Pittella, në përfundim të takimit të sotëm në selinë qeveritare, deklaruan se, viti 2016 do të jetë viti i hapjes së negociatave për anëtarsim të Shqipërisë në BE. Gjatë konferencës së përbashkët për mediat, Rama bëri të ditur se, në fokus të bisedimeve me eurodeputetin e majtë, ishin procesi i reformave, vecanërisht ajo në drejtësi dhe cështja e krizës së refugjatëve të larguar nga konflikti i armatosur në Siri.

Ndërsa falenderoi grupin e posacëm të ekspertëve vendas dhe të huaj për hartimin e paketës së reformës në drejtësi, e cuar tashmë pranë Komisionit të Venecias, në pritje të reagimit Rama u shreh shpresëplotë për një konfirmim të rëndësishëm deri në fillim të muajit dhjetor.

Sa i përket cështjes së refugjatëve të ikur nga konflikiti i përgjakshëm, ashtu si në Samitin e Brukselit, Rama shprehu gatishmërinë e plotë të qeverisë që drejton për të marrë përgjegjesitë dhe rolin që i takon në përballimin e krizës, ashtu si vendet e tjera të Ballkanit, anëtare ose jo të BE-së.

"Siç e theksova edhe në Samitin e Brukselit, Shqipëria është e përgatitur të marrë përgjegjësinë dhe të luajë rolin e saj si gjjithë vendet e tjera të Ballkanit dhe të bëjë gjithcka për të lëhtësuar sado pak këtë krizë dhe për t'iu gjendur pranë një aleati të madh", deklaroi kreu i ekzekutivit.

Eurodeputeti Pittella, pasi rikonfirmoi deklaratën e kryeministrit se 2016 do të jetë viti i hapjes së negociatave për anëtaresim të Shqipërisë në BE, shprehu vlerësim për punën e deritanishmë të qeverisë në drejtim të përmbushjes së reformave si kusht për përafrimin me BE-në.

Ai u shpreh mirënjohës ndaj Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit, të cilat po japin gjithë gatishmërinë për përballimin e krizës së refugjatëve që pritet të përfshijë dhe vendin tonë.

"Per vendet e Ballkanit, që nuk janë pjesë e BE-së dhe po marrin përgjegjësi në përballimin e kësaj krize, ka një domethënie të madhe nga pikpamja politike", nënvizoi Pittella. /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama