Rama- opozites Bete turizem me parate e shqiptareve vendosem ne shina ekonomine e rrenuar

TIRANË, 5 Nëntor /ATSH/ - Kuvendi i Shqipërisë po vijon punimet në seancë plenare ku po diskutohet projektligji "Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2014".

Kryeministri Edi Rama, nga foltorja e Kuvendit, akuzoi opozitën për fabrikime shpifjesh, sa i përket mënyrës së shpenzimeve të buxhetit të shtetit për këtë vit. Me gjuhën e shifrave, Rama bëri krahasime të shpenzimeve të bëra prej tij, me ato të bëra nga paraardhësi i tij në detyrë, duke konkluduar në diferenca të theksuara në "favor" të ish kryeministrit.

Por akoma më i ashpër u tregua me ish kryeparlamentaren Jozefina Topalli, për të cilën tha se "vetëm me udhëtimet e saj jashtë vendit, ajo u ka kushtuar shqiptarëve plot 180 mijë euro dhe 15 mijë $, plus 160 mijë $ udhëtime brenda vendit".

Në vijim, Kryeministri iu përgjigj opozitës duke evidentuar shpenzimet e buxhetit të shtetit të përkthyera në larje borxhesh, përmbyllje investimesh të papërfunduara, në investime të reja në sektorë të ndryshëm si shëndetësi, arsim, infrastrukturë rrugore, etj.

"Në 2014 të ardhurat u rritën me 398 milion$, shifër kjo më e madhë se sa ç'keni mbledhur ju si të ardhura të rritura në pesë vitet më të mira tuajat. Ne shlyem 340 milion $ borxhe të fshehura, të marra me dhunë nga kompanitë e kontraktuara për punime apo shërbime publike dhe fatmirësisht filluam procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit dhe qytetarit", theksoi Rama.

Ai dekaroi se nëpërmjet sistemit fiskal të aplikuar, në 2014 , 13.500 infermierë e 3.300 mjekë kanë përfituar nga ulja e taksave. Gjithashtu, lista e barnave të rimbursueshme u shtua me 56 alternativa të reja. Sa i përket investimeve në siguri, Rama vuri në dukje rritjen e pagave të policisë në masën 25 % dhe garantimin e statusit të posaçëm të kujdesit shëndetësor, ç'ka e cilësoi si vitin e kthesës historike të Policisë së Shtetit.

Ahmetaj-opozitës: Ne kemi mbledhur aq sa ju keni tentuar të mblidhni në pesë vite

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj deklaroi sot se "kur e morën detyrën, mungonin në buxhetin e shtetit mbi 200 milionë dollarë; kur e morëm prisnim që në thesar të paguheshin (por nuk paguheshin nga qeveria e atëhershme) 90 milionë dollarë fatura, mes tyre edhe fatura të medikamenteve dhe fatura të rëndësishme të spitaleve të cilat e kishin të kthyer atë shërbim në një shërbim non-eksiztent për qytetarin".arben-ahmetaj

Ministri shtoi se në të njëjtën kohë kishte një situatë rritjeje të borxhit që kishte shpërthyer me kohë mbi 60% dhe mbi të gjitha kishte një faturë afërsisht 726 milionë dollarë borxhesh që nuk i ishin paguar ndërmarrjeve , kompanive private apo edhe për faturat e shërbimeve publike, borxhe të cilat nuk ishin llogaritur në borxhin publik të atëhershëm.

Sipas tij, ekonomia kishte marrë të tatëpjetën dhe rrezikonte me datë. "Nëse ne nuk do të kishim ndryshuar asgjë dhe të vazhdonim të numëronim çdo ditë në të njëjtën mënyrë siç keni numëruar ju, në 23 tetor të 2015, nuk do të kishte para për të paguar rrogat, pensionet apo shërbimet publike", deklaroi Ahmetaj.

Duke iu drejtuar opozitës, ministri nënvizoi se "ne kemi mbledhur aq sa ju keni tentuar të mblidhni në pesë vite. Pra shuma e rritur e juaja në pesë vite, u mblodh për një vit nga administrata fiskale dhe nga kjo qeveri, për të treguar efektivitetin që keni pasur në administrimin e taksave".

Lidhur me uljen e taksave, Ahmetaj vuri në dukje se "taksa progresive ishte patjetër një nga flamurët e betejës sonë dhe ishte shumë e rëndësishme dhe faktet tregojnë që nëpërmjet heqjes së taksës së sheshtë ne i kemi kthyer klasës së mesme gati 4 miliardë lekë të cilat munguan në buxhet, por ne i zëvendësuam me mirëadministrim, dhe 4 miliardë lekë kaluan në konsum". Edhe përsa i përket taksës së biznesit të vogël, ministri shtoi se mbajtëm premtimin duke i hequr taksën dhe tatim fitimin për biznesin e vogël e përgjysmuam në 7.5 për qind.

Kodheli: Mbrojtja trashëgoi 14.3 milionë lekë borxhe, shlyem 90 %

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli pasqyroi në diskutimin e saj çdo zë që ka konsumuar buxhetin në dispozicion të dikasterit që ajo drejton, për vitin 2014. Sipas saj, një konsum i konsiderueshëm i është bërë këtij buxheti nga borxhi shumë i lartë i akumuluar ndër vite dhe iI trashëguar nga qeveria paraardhëse".

"Kemi trashëguar një borxh prej 14.3 milionë lekë i akumuluar që nga viti 2008, por i papublikuar, i cili është është shlyer në masën 90% të tij", evidentoi Kodheli.Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli Foto ATSH (ARKIV)

Ajo tha në Kuvend se ministria e Mbrojtjes ka menaxhuar me efikasitet të plotë buxhetin e 2014-ës, duke përmbushur detyrimet, si në kuadër të FA-së në NATO, ashtu edhe në aspektin e përmirësimit të shërbimit, pregatitjes ushtarake, infrastrukturës, motivimit të personelit, arsimimit dhe trajnimit të tij.

"Një zë i shpenzimeve në këtë buxhet ishte motivimi i personelit dhe arsimimi, ku janë rishikuar pagat në disa sektorë prioritarë dhe janë bërë ndryshime në trajtimin e disa prej profesioneve të vështira. Aktualisht 150 studentë dhe ushtarakë studiojnë në akademitë dhe shkollat më të njohura në botë", tha ajo.

Nikolla: Realizuam 96% të investimeve të parashikuara për vitin 2014

Lindita-Nikolla-KuvendEdhe për ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla niveli i lartë i boxhit të trashëguar, në shifrën 30 milionë euro, ka penguar ndjeshëm realizimet e investimeve të parashikuara për vitin 2014. Sipas saj, me 30 milionë euro mund të ndërtoheshin 36 shkolla të reja, 98 kopshte dhe do rikonstruktoheshin dhjetra godina të tjera.

Megjithatë, vijoi ajo, investimet në të gjitha nivelet e sistemit arsimor, por edhe në sektorin e sportit kanë qenë të ndjeshme. Ajo përmendi ndër të tjera financimin me 5 miliardë e 647 milion lekë në sistemin e arsimit të lartë, financimet në sport, 10 milionë euro, 444 milionë lekë, ristrukturimin e stadiumit "Elbasan Arena", krijiimin e bibliotekave dixhitale, ngritjen e klasave të inteligjencës, ndërtimin e 44 terreneve sportive dhe përfitimin e shërbimit të internetit nga 1350 shkolla në shkallë vendi.

Të tjerë zëra shpenzimesh në buxhetin e ministrisë së Arsimit për 2014-ën, siç u deklarua nga Nikolla, janë rimbursimi i teskteve shkollore për 120 mijë nxënës të kategorive në nevojë, fillimi i dixhitalizimit të sistemit parauniversitar, shërbimi i transportit për nxënës e mësues, fondi i ekselencës, etj. "Realizimi i investimeve të parashikuara për vitin 2014 është në masën 96 % ose 44% më shumë se një vit më parë", konkludoi ministrja e Arsimit dhe Sportit.

vijon...

/m.m/ /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama