Pas përfundimit thuajse të operacionit të policisë së shtetit në Lazarat, ku u arrestuan dhjetëra persona, u asgjësuan parcela të tëra me kanabis sativa dhe u sekuestruan tonelata me lëndë narkotike, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka dalë para shtypit për të bërë një pasqyrim të punës në këto ditë dhe një vlerësim për qindra forca speciale që sollën rendin dhe sigurinë në fshatin rebel.
“Sot pas 5 ditësh luftë me një hordhi kriminelësh të lidhur ngushtë me pushtetin e djeshëm, ajo republikë e turpit nuk është më, – u shpreh Rama. – Sot pas 5 ditësh e netësh nën ankthin e madh, qytetarët e ndershëm të Lazaratit nuk janë më pengjet e një martese të shpifur e të stërzgjatur të krimit me politikën”.
Më pas Rama vlerësoi punën e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. “Dua të shpreh bindjen time të rikonfirmuar se sot, ky vend ka një Ministër të Brendshëm që prej kohësh i ka munguar dhe pa as më të voglin dyshim po udhëheq një transformim rrënjësor në policinë e shtetit dhe në marrëdhëniet mes policisë së shtetit dhe ligjit, publikut dhe vetë misionit të çdo polici të shtetit. Mirënjohje, falënderim dhe vlerësim i lartë për Ministrin e Brendshëm, drejtorin e policisë dhe drejtuesit e lartë të policisë që u përfshinë në këtë operacion që për shumë kënd ishte i pamundur dhe që shumë kush e konsideronte test”, – vazhdoi Rama.
Më tej, ish-kryeministri i bëri thirrje Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla që të bashkëpunojë në fazën e dytë të operacionit për zbardhjen dhe ndëshkimin e çdo veprimtarie kriminale
“Prokurori duhet të angazhojë veten e tij dhe të gjitha forcat e shëndetshme për t’i shkuar deri në fund fazës së dytë të operacionit që është zbardhja dhe ndëshkimi për çdo provë të zbardhur të gjithë kësaj veprimtarie kriminale, deri në sekuestrimin e qindarkës së fundit të gjithë pasurive që janë akumuluar në kurriz të njerëzve të kthyer në skllevër dhe Shqipërisë”, – përfundoi kreu i qeverisë.