- Nxitja e investimeve në bujqësi, qeveria dialog me invesitorët në një fermë bujqësore në Laknas, Tiranë -
TIRANË, 18 Nëntor /ATSH-B. Kastrati; E.Xhajanka/ - Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në një takim me investitorë në fushën e bujqësisë që u zhvillua sot në ambientet e fermës "UKA" në Laknas, Tiranë, njoftoi krijimin e fondit kombëtar të garancisë, me një vlerë prej 300 milionë euro në tre vjet, për kreditimin e bujqësisë.
"Në bashkëpunim me BERZH-in, e cila na ka asistuar për të krijuar këtë instrument, si dhe me bankat e nivelit të dytë në vend, nëpërmjet koordinimit të AZHBR-së, qeveria do të kreditojë sipërmarrjen bujqësore me një fond të posaçëm, prej 300 milionë euro në tre vjet, shifër kjo e parashikuar në buxhetin e shtetit për vitin 2016", deklaroi Rama.
Ai shprehu vendosmërinë e qeverisë së tij për ta parë bujqësinë si një ndër korsitë më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik e social.
Ndërsa deklaroi se kërkesa për financim është shumë më e madhe se mundësia e buxhetit të shtetit për ta financuar këtë sektor, Rama tha se gradualisht po krijohen kushtet për të financuar pa limit sipërmarrjet bujqësore.
Duke iu referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, sa i përket nivelit të kredive të këqija, kreu i qeverisë bëri të ditur se fshati dhe bujqësia janë më pak problematikët, çka sipas tij, flet për një prespektivë të mirë zhvillimi dhe konsolidimi të sipërmarrjes bujqësore.
"Ka një impakt shumë domethënës, që në kushtet e sotme, një nga problemet që ne kemi sa u përket financave, janë kreditë e këqija, të cilat falë një përpjekjeje serioze me BSH-në, nga një nivel kërcënues në 25% i ulëm arsyeshëm në rreth 20%. Por fakt interesant është se, pavarësisht se fshati dhe bujqësia duken pjesa më gri, edhe për shkak të informalitetit të madh, bankat asnjëherë nuk kanë patur probleme me kreditë e tyre. Këtë e vërtetojnë edhe agjencitë e krediteve që nuk kanë probleme të kësaj natyre me kreditë apo mikrokreditë e dhëna në fshat", theksoi kryeministri.
Panariti: Qeveria po rrit financimin për bujqësinë dhe fermerët
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti, gjatë takimit me sipërmarrës dhe investitorë që operojnë në fushën e bujqësisë, në fermën model të zhvillimit të biodiversitetit "Uka" në Laknas, në periferi të kryeqytetit, u shpreh se, "të investosh në bujqësi do të thotë një sipërmarrje e zgjuar dhe e qëndrueshme".
Duke nënvizuar se ky sektor po shton çdo ditë e më shumë kontributin e tij në ekonominë e vendit, kreu i Bujqësisë tha se, ky fakt është materializuar dhe në buxhetin e vitit 2016.
"Qeveria i ka kushtuar vëmendje zhvillimit të bujqësisë dhe mbështetjes së fermerëve, duke rritur fondet buxhetore për vitin që vjen më shumë se në vitin 2015´´, tha Panariti, ndërsa nënvizoi se kjo vëmendje dhe mbështeje do të marrë kuptim me rritjen e investimeve dhe sipërmarrjeve të reja në këtë këtë sektor".
Kreu i Bujqësisë, në këndvështrimin dhe të një akademiku të afirmuar tashmë në këtë fushë, u shpreh se sipërmarrjet janë të rëndësishme të adresohen në sektorët potencialë që ofrojnë resurset shqiptare tipike autoktone, të cilat rrisin konkurueshmërinë e prodhimit bujqësor shqiptar në tregjet e huaja dhe i bëjnë këto prodhime shumë të kërkuara nga konsumatorët.
Ai vuri në dukje se tashmë ministria e Bujqësisë ka përcaktuar dhe hartën e rajonalizimit të prodhimit bujqësor ndërsa apeloi se rritja e investimeve në bujqësi, është modeli i duhur në sipërmarrje të sukseshme. Duke u ndalur në objektivat e së ardhmes, ministri Panariti tha se, Shqipëria sot konkuron me eksportin e sherebelës në tregjet amerikane, ndërsa mollët tipike të Korçës, apo qepët e këtij rajoni janë shumë të kërkuara në Evropën Juglindore, etj. Shembuj të ketij modeli, vijoi ai, do të jenë në vëmendje të qeverisë për t'u mbështetur e zhvilluar.
Ministri Panariti tha se agropërpunimi dhe peshkimi do të marrin vëmendje më të madhe gjatë vitit që vjen ndërsa futja në produktivitet i tokave të lëna djerrë përmes zbatimit të projekteve me teknologji specifike, do të rrisë shfrytëzimin e përdorimit të tokave në të gjithë shtrirjen e tyre./m.m/