Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Asamblenë e Përgjithshme të Rinisë se Dita Kombëtare e Rinisë është një simbol i fuqisë së rinisë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve dhe historinë. Kreu i qeverisë deklaroi së historia botërore njeh shumë lëvizje që i kanë hapur rrugën, aty ku deri një sekondë më parë s’dukej se kishin rrugë, ëndrrave, shpresave dhe mundësive të reja.
“E tillë ishte lëvizja e 8 dhjetorit i dha zë ëndrrës për të jetuar në liri dhe demokraci, nga përmasa e një imagjinate të formësuar vit pas viti pa zë dhe brenda vetvetes. Ne jemi sot në një kohë të re dhe 24 vjet më parë askush nuk e përfytyronte që Shqipëria, ku të vetmit të huaj që mund të hynin ishin marksist- leninistët, të bëhej vendi që ku do të zhvillohej një asamble e tillë", tha Rama.
Rama tha se në vitin 1990 ra “Perdja e Hekurt” edhe për Shqipërinë, që kapi në surprizë lindjen dhe perëndimin.
“Doli efekti surprizë i shembjeve që çliroi shpresën që ndërtohet për njerëzit, me njerëzit dhe nga njerëzit. Kjo është vetëm njëra anë, pasi ajo që vjen më pas, reflekton aspiratën e kësaj lëvizje që shtypi diktaturën”, u shpreh kryeministri.
"Rëndësinë e këtij procesi historik e bënë njerëzit e zakonshëm"
Kryeministri vlerëson rëndësinë e këtij procesi historik, që sipas tij u përcaktua nga ajo që bënë njerëzit e zakonshëm, të cilët përmes politikës patën mundësinë që të bënin së bashku atë që vetë nuk mundën ta bënin dot.
“Ajo që vlen të thuhet në momentin kur jemi midis apo pas një momenti revolucionar është se, përmbajtjen dhe cilësinë e përmbajtjes së një procesi historik, e përcakton cilësia e pjesëmarrjes së njerëzve të zakonshëm në këtë proces”, tha Rama.
“Politika që sot shihet padrejtësisht si një fuqi e diskretituar, është e pazëvendësueshme për t’u dhënë jetë ëndrrave të njerëzve, pasi u jep mundësi atyre që të bëjnë së bashku atë që vetë nuk e bëjnë dot, e që së bashku të bëhen pjesë e një përpjekje që ndryshon qeverinë dhe qeverisjen”, shtoi kryeministri.