Kryeministri i vendit Edi Rama ka zgjedhur rrjetin social Facebook për të reaguar ndaj protestës së zhvilluar dy ditë më parë nga opozita ku u vu re një pjesëmarrje masive njerëzish. Përmes një postimi në faqen e vet zyrtare, Rama shprehet se ata që ankohen për taksat janë njerëz që nuk i kanë paguar kurrë ato dhe se sipas tij 95 për qind e shqiptarëve paguajnë sot më pak se një vit më parë. Rama ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës për rritje të çmimeve, përkundrazi sipas kreut të qeverisë është rritur konsumi.
“Ankohet për rritje çmimesh kush dëgjon propagandën e pushtethumburve! Çmimet s’janë rritur, përkundrazi: Eshtë rritur konsumi”, thotë ai.
Rama më tej bën me dije se aksioni kundër vjedhësve të energjisë do të vijojë, madje do të ashpërsohet, duke shtuar se ata që ankohen për aksionin e ndërmarrë nga qeveria janë njerëz që asnjëherë nuk kanë paguar energjinë elektrike.