Rama Burg per ke nderton pa leje. Blushi Nuk eshte burgu mundesia me e mire

Rama: Burg per ke nderton pa leje. Blushi: Nuk eshte burgu mundesia me e mire

Kuvendi ka miratuar me 84 vota pro dhe një kundër projektligjin për disa ndryshime në kodin penal. Diskutimi gjatë së sotme seancës plenare  i disa ndryshimeve në kodin penal që parashikon sanksionimin  e dënimit me burg ndaj personave që ndërtojnë pa leje, ka sjellë debate dhe diskutime në seancë e sotme plenare. Ka qenë fillimisht deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho që ka kërkuar që amendamentet e ndryshimeve në kod të rishikohen, pasi nuk përcaktohen qartë kriteret mbi bazën e të cilave do të ndërmerren dënimet ndaj ndërtimeve pa leje. Më pas, deputeti socialist, Ben Blushi gjithashtu ka mbështetur vendimin e Brahos duke theksuar se në ligjin në fjalë nuk përcaktohet qartë se kush do të dënohet dhe a do të dënohet njësoj: një person që ndërton pa leje me një fshatar që i ka rënë muri i shtëpisë dhe duhet ta rregullojë.

“Amendamenti konsideron njësoj një fshatar në Ibë që i ra shtëpia jo për fajin e vet para tri ditësh, që është i detyruar të rregullojë murin, por për shkak se komuna nuk jep leje ndërtimi janë bllokuar lejet e ndërtimit për arsye nevoje njësoj si për ata industrialistët e mëdhenj të Tiranës. Amendamenti i fut të dy në një thes. Është e drejtë mendoni ju?! Që dikush në një fshat të dënohet pse ndërton në tokën e vet, sepse amendatementi nuk përcakton se ku fillon e mbaron faji nëse je në tokën time apo të tjetrit. Është e padrejtë, pa dashur të kthej në polemikë, që fjala burg më shqetëson, jo vetëm mua por shumicën këtu, dhe po e përdorim pak si pa masë kohët e fundit.  Nuk besoj se burgu është mundësia më e mirë për të korrektuar. E kanë provuar 50 vjet shqiptarët. Kush thyente ligjin shkonte në burg, nuk jemi më aty Ka instrumente të tjerë shteti didaktik, verbale, pastaj gjoba dhe pastaj burgu për t’i korrektuar ”, tha Blushi.

Ndërkohë, kryeministri i vendit, Edi Rama ka kërkuar me këmbëngulje ashpërsimin e sanksioneve ndaj personave që ndërtojnë pa leje, si e vetmja mënyrë për t’i rikthyer ligjshmërinë shtetit. Duke folur nga foltorja e kuvendit, kreu i qeverisë u ka bërë thirrje deputetëve, edhe atyre që janë treguar skeptikë, që të votojnë pa asnjë mëdyshje ndryshimet në kodin penal që parashikojnë sanksionimin  dënimit me burg për personat që ndërtojnë pa leje. Sipas kryeministrit, masat që synohen të merren janë adoptuar në vende të tjera që nuk kanë këtë nivel problematike që ka Shqipëria, ndërsa sipas Ramës në kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria ngërçi nuk mund të zgjidhet me gjoba e këshillime, por vetëm me burg.

“Janë dy masa që sot po merren dhe do të adoptohen edhe në legjislacione të tjetra në vende që nuk kanë një problematikë kaq të tmerrshme sa ne, qoftë me energjinë apo ndërtimet pa leje. Një problem që nuk zgjidhet me gjoba  a këshillime. E njëjta situatë është edhe për shkeljen e gjobave në qarkullim. Në vende që kanë një problem me ligjshmërinë tregohet se ata kanë avancuar duke rënduar sanksionet shumë më tepër se ne. Përpara pak ditësh në një Parlament europian është vendosur sanksionimi me gjobë 800 euro për përdorim të fishekzjarrëve”, tha Rama.

Duke e cilësuar operacion e ndërmarrë nga OSHEE në bashkëpunim me policinë  e shtetit kundër personave që kanë vjedhur apo abuzuar me faturat e energjisë elektrike si një histori suksesi, Rama kërkoi të ashpërsohen sanksionet jo vetëm ndaj ndërtimeve pa leje, por edhe ndaj shkeljeve në ndërtimet me leje, të cilat sipas tij janë të panumërta në vendin tonë duke u shndërruar në një kancer që e ha nga të gjitha anët.

“Në vendet e BE nuk ka leje ndërtimi që të zbatohen duke shkelur kushtet e lejes dhe sanksionet për shkelje si kjo, jo me kate si në Shqipëri, por më të vogla, jo vetëm që shkojë në burg shumë vetë, por ndërtesa nuk ka shanse të vihet në funksion”, tha Rama, duke shtuar se ‘nëse nuk sanksionojmë dënime të qarta, fenomeni vetëm do vazhdojë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama