Rama Do te ndertohet xhamia pa pallat

Rama: Do te ndertohet xhamia pa pallat

Kryeministri Edi Rama, në ditën e Kurban Bajramit, duket se mori publikisht “bekimin” e komunitetit për të vijuar ndërtimin e xhamisë së madhe në Tiranë, pa pjesën e kullave të biznesit. Në një kohë kur dukej se vendimi i Këshillit të Rregullimit të Territorit i marrë një javë më parë për heqjen e kullave të biznesit nga pjesa e xhamisë do të shkaktonte “ftohje” mes Ramës dhe Komunitetit Mysliman, kjo gjë nuk ndodhi. Dje, dakordësia e Komunitetit Mysliman ndaj ngritjes së xhamisë, pavarësisht faktit se kullat e biznesit nuk do të jenë pjesë, u pa qartë gjatë vizitës që Kryeministri zhvilloi në komunitet me rastin e Kurban Bajramit. I pritur nga kreu i Komunitetit Mysliman, Selim Muça, Rama tha pas vizitës se është arritur kompromisi me këtë komunitet për të vijuar me nisjen e xhamisë. Madje Kryeministri deklaroi se ai familjarisht do të jetë donator modest në këtë projekt, nisur nga nevoja e një kulti të tillë fetar në Shqipëri. Një vizitë, Rama zhvilloi dje dhe në selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ku e konsideroi si tepër të rëndësishme festën e Bajramit për shqiptarët.

Zgjidhja për xhaminë

Pritshmëritë e një problematike që mund të ndodhte mes kreut të qeverisë dhe Komunitetit Mysliman për çështjen e xhamisë së madhe, ranë dje në takimin e parë që Rama si Kryeministër zhvilloi me Selim Muçën. Sipas Kryeministrit, me ndërtimin e xhamisë së re pa pallatet do të shpëtohet dhe lulishtja. “Ishte kënaqësi që për herë të parë si Kryeministër erdha këtu dhe urova ‘Gëzuar!’ në këtë ditë kaq të shënuar, mikun tim Selim Muça, si dhe të gjithë përfaqësuesit e lartë të Komunitetit Mysliman. Folëm për xhaminë e re dhe i sigurova edhe një herë që nga një pallat me xhami do të kemi një xhami pa pallat. Jam i bindur që së bashku do të ngremë një tjetër pikë referimi në qytet. Pikë referimi e munguar për besimtarët myslimanë, pikë referimi që me ndryshimin e bërë do ta kthejmë në një vlerë të shtuar edhe arkitektonike, edhe urbanistike, një zonë të qytetit, ku sigurisht do të shtohet një xhami, por me ndryshimin e bërë nuk do të humbasë i gjithë parku”, tha Rama. Kryeministri shtoi më tej se për ndërtimin e kësaj xhamie ai do të kontribuonte personalisht dhe familjarisht, pavarësisht se shuma do të jetë modeste. “Familjarisht do të jemi edhe ne në radhën e donatorëve modestë të këtij tempulli”, theksoi Rama duke e quajtur një projekt shumë të rëndësishëm, atë të ndërtimit të xhamisë së madhe.

Vizita në Kryegjyshatë

Rama zhvilloi dje një vizitë në selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë, nga ku përçoi mesazhin e tolerancës fetare që karakterizon shqiptarët. “Jemi një vend i pasur edhe për faktin se kemi Komunitetin Bektashi, ku është gjithmonë një kënaqësi e qetë që të vish të takohesh, të urosh dhe të marrësh rrezatimin e të gjithë qetësisë së këtij komuniteti përmes përfaqësuesve të vetë të nderuar. Kështu që edhe një herë; Gëzuar këtë ditë kaq të shënuar dhe kaq të posaçme, veçanërisht për të gjithë besimtarët myslimanë, por që është një ditë e posaçme për të gjithë shqiptarët. Jam i bindur që njësoj si unë, edhe ju të gjithë merrni urime nga të katër anët, pa dallim përkatësie fetare”, tha Rama.

 

Opozita
Kryetari i bashkisë deklaroi se institucioni që ai drejton e kaloi sprovën
Presidenti Nishani
 

“Gëzuar këtë festë që na sjell çdo herë në vëmendje gjënë më madhore të jetës; dashurinë e Zotit ndaj njerëzve, mëshirën e tij të pakufishme ndaj tyre, si dhe detyrimet që rrjedhin prej kësaj dashurie dhe asaj mëshire. Mposhtja e egoizmit, të kuptuarit e efektit rrënues të mendjemadhësisë, frenimi i materializmit, arritja e vetëkontrollit gjatë udhës plot peripeci dhe plot rreziqe të jetës, duke synuar në këtë mënyrë gjithmonë barazinë, vëllazërimin, paqen, begatinë, janë në themel të të kuptuarit të Kurban Bajramit”, thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit.
 

Basha tërhiqet nga projekti: Është çështje e qeverisë me Komunitetin Mysliman Shqiptar

 Në ditën e Kurban Bajramit, Bashkia e Tiranës është tërhequr përfundimisht nga çështja e ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Tiranë, pasi sipas kryebashkiakut Lulzim Basha tashmë, kjo çështje, është mes qeverisë dhe Komunitetit Mysliman. Ndërsa sa i përket përfshirjes së bashkisë në këtë debat, Basha deklaroi se institucioni që ai drejton e kaloi me sukses provën e tij. “Xhamia ishte një sprovë e madhe që bashkia, pas dekadash harrese e kaloi me sukses. Siç e dini, pas kësaj, ka pasur një vendim që i ka pezulluar punimet dhe tashmë çështja është mes Komunitetit Mysliman dhe qeverisë dhe uroj me gjithë zemër që projekti të ecë përpara”, tha dje Lulzim Basha, në një prononcim për mediat, menjëherë pas vizitës që kreu i PD-së dhe njëherësh edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zhvilloi dje në selinë e Komunitetit Mysliman. Me rastin e Kurban Bajramit, Basha përcolli dhe urimet e tij për besimtarët myslimanë shqiptarë. “Çdo besimtari mysliman në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe të gjithë shqiptarëve kudo në botë dua t’u uroj gëzuar Kurban Bajramin. Kjo ditë sjelltë sa më shumë gëzim, hare, shëndet dhe harmoni, për secilin prej jush dhe për çdo shqiptar. Kjo është një ditë ku kremtohet dashuria për Zotin dhe njëri-tjetrin, si një forcë më e madhe se dashuria për vetveten. Si kjo ditë duhet të kujtojmë, se janë aktet e mira jo me qëllim përfitimi personal por për familjen, miqtë, shoqërinë dhe mbarë vendin. Dua të falënderoj me këtë rast të gjithë besimtarët, imamët dhe klerin që bënë të mundur kremtimin e kësaj feste edhe në kushte jo të mira moti”, u shpreh dje kreu i PD-së Lulzim Basha.


Takim i rastësishëm i kreut të PD-së me Topin
Ish-Presidenti: Jo ngatërrim të biznesit me objektet e kultit


Kremtimi i festës së Kurban Bajramit në selinë e Komunitetit Mysliman shënoi dje dhe një takim të rastësishëm mes krerëve të dy partive të djathta, Lulzim Basha i Partisë Demokratike dhe Bamir Topi i Frymës së Re Demokratike. E ndërsa Topi shfaqet i pakompleksuar nga takimi i papritur me Bashën, kreu i PD-së është treguar i kujdesshëm në fotot e publikuara nga zyra e shtypit. “E urova zotin Basha patjetër, është njerëzore, ne kemi raporte normale”, u shpreh kreu i FRD-së, Bamir Topi i pyetur rreth këtij takimi. Ndërsa lidhur me debatin për xhaminë e re, Topi tha se, ata që kanë vendimmarrjen, kanë edhe përgjegjësinë. “Në rast se ka një mision për të ndërtuar një institucion fetar kjo në mënyrë absolute nuk duhet të ngatërrohet me një biznes. Ata që janë në vendimmarrje, duhet t’i ndajnë këto gjëra. Sot besimtarët të falen në rrugë është totalisht e papranueshme”, tha dje kreu i FRD-së.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama