Që nga minuta kur u këndua himni ynë kombëtar dhe i gjithë stadiumi ulërinte “vritini shqiptarët”, deri në minutën kur djemtë tanë dolën nga stadiumi nën një trysni të madhe psikologjike, përveçse edhe nën një dhunë të pashembullt antisportive.
“Keqardhje për përfshirjen e Olsit, një alibi e montuar. S’ka asgjë të vërtetë”
Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga SHBA-ja për incidentet e ndodhura dy ditë më parë në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kreu i Ekzekutivit u shpreh se “Që nga minuta kur u këndua himni ynë kombëtar dhe i gjithë stadiumi ulërinte “vritini shqiptarët”, deri në minutën kur djemtë tanë dolën nga stadiumi nën një trysni të madhe psikologjike, përveçse edhe nën një dhunë të pashembullt antisportive. Unë mendoj që edhe në këtë rast, ne si shqiptarë duhet të ndihemi mirë që nuk kemi asnjë lidhje me çka u shfaq në formën e vet më të egër dhe në formën e vet më negative, si një shëmbëlltyrë e së shkuarës, që ne jemi të vendosur ta lëmë pas dhe që ne e dënojmë duke qenë të bindur se futbolli nuk mund të bëhet instrument i politikës dhe se politika e shteteve nuk mund të udhëhiqet se çfarë ndodh në një fushë futbolli”.
Zoti Kryeministër, përpara se flasim për vizitën tuaj apo zhvillime të tjera në Shqipëri, 24-orëshi i fundit është mbizotëruar nga lajmet dhe komentet për ndeshjen e mbrëmshme Serbi – Shqipëri, ndërprerja e së cilës është cilësuar si një ngjarje e rëndë. Ju si e shihni atë që ka ndodhur?
Në radhë të parë, më lejoni që të jem krenar edhe në rastin që ju më jepni për të komunikuar për 24 orët e Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe për çka na dhuruan dje djemtë e kombëtares, të cilët për sa kohë pati futboll, praktikisht, ishin superiorë me lojë dhe me raste. Kështu që, për sa i takon Shqipërisë dhe për sa na takon ne shqiptarëve, besoj që s’kemi asnjë lidhje me çfarë ndodhi. Që, ishte një fatkeqësi e madhe për sportin më popullor në botë, por që ishte edhe një shfaqje jashtëzakonisht e shëmtuar dhe plotësisht e dënueshme, dhune dhe racizmi.
Zoti Kryeministër, rreth ndeshjes nuk kanë munguar as komentet e politikanëve. Kryeministri serb është cituar sot të ketë thënë, po citoj, se “shpalosja e flamurit në ndeshjen e së martës në Beograd ishte një aksion i organizuar dhe një provokim i rëndë politik. Apo se “synimi i ekstremistëve shqiptarë ishte që të shkelnin krenarinë e serbëve, por ne e ruajtëm fytyrën”. Ju keni planifikuar një vizitë në Beograd javën e ardhshme, a mendoni se ngjarja e mbrëmshme mund të hedhë hije mbi axhendën e vizitës tuaj? A pritet të ndikojë ajo gjatë vizitës tuaj?
Së pari, dua të ndaj me ju momentin e futjes në ekran të flamurit fluturues, të cilin unë e ndoqa bashkë me një grup njerëzish këtu, në Harvard, që ishin nga shumë vende. Ajo shfaqje provokoi ilaritet, në kuptimin që, të gjithë qeshën dhe iu duk diçka e bukur. Pra larg zonës së nxehtë të urrejtjes, larg zonës së nxehtë të historive të së shkuarës, askush nuk u ndje i provokuar nga shfaqja e atij flamuri, në atë moment. Por, fatkeqësisht, siç e thatë edhe ju, deri edhe autoritetet më të larta serbe thonë se janë ndier të provokuar. Dhe, përsëri, kjo është thjesht dhe vetëm për të shprehur keqardhjen e thellë që shfaqja e një flamuri në fushën e futbollit, në një fushë ku kishte mijëra flamuj serbë, të mund të përdoret si një alibi për të gjithë atë që ndodhi. Që nga minuta kur u këndua himni ynë kombëtar dhe i gjithë stadiumi ulërinte “vritini shqiptarët”, deri në minutën kur djemtë tanë dolën nga stadiumi nën një trysni të madhe psikologjike, përveçse edhe nën një dhunë të pashembullt antisportive. Unë mendoj që edhe në këtë rast, ne si shqiptarë duhet të ndihemi mirë që nuk kemi asnjë lidhje me çka u shfaq në formën e vet më të egër dhe në formën e vet më negative, si një shëmbëlltyrë e së shkuarës, që ne jemi të vendosur ta lëmë pas dhe që ne e dënojmë duke qenë të bindur se futbolli nuk mund të bëhet instrument i politikës dhe se politika e shteteve nuk mund të udhëhiqet se çfarë ndodh në një fushë futbolli.
Shtypi ndërkombëtar sot, duke iu referuar burimeve nga Serbia, thotë se vëllai juaj është arrestuar përkohësisht nga policia serbe dhe më pas është liruar, i dyshuar për lidhje me objektin fluturues. Cili është komenti juaj për këtë?
Përsëri keqardhje dhe përsëri shprehje e një ndjenje mjaft keqardhëse për të gjithë ata që janë bërë pjesë e këtij manipulimi. Që nuk tregon asgjë tjetër, përveçse përpjekjen për t’u kacavjerrë dhe për t’u kapur pas një alibie tërësisht të montuar. Dhe për ta përdorur atë, më kot, si një “gjethe fiku” për të fshehur lakuriqësinë me të cilën u shpalos dje në stadium urrejtja e së shkuarës dhe ajo urrejtje që, praktikisht, e ka penguar boll rajonin tonë që të shkojë përpara. S’ka asgjë të vërtetë në të gjithë këtë, por ka vetëm një argument më shumë për të vërtetuar se sa larg realitetit dhe sesa larg qëllimeve tona të përbashkëta ishte ajo ç’ka u shfaq dje dhe ajo ç’ka u komentua sot, fatkeqësisht edhe nga autoritete të larta në Serbi. Por Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të bien në këtë nivel. Shqipëria dhe shqiptarët janë të vendosur të jenë modeli i paqes, të jenë modeli frymëzues i të vështruarit nga e ardhmja, të jenë lokomotiva e transformimit të rajonit tonë nga një arenë luftërash, gjakderdhjesh, konfliktesh, urrejtje 100 vjet me radhë në një oaz bashkëpunimi dhe zhvillimi ekonomik e social për të gjithë popujt tanë.
Zoti Kryeministër, është mbushur tashmë viti që qeveria juaj erdhi në pushtet, por klima politike pak ka ndryshuar në vend. Ju keni sot një shumicë dominuese në Parlament dhe ndonëse ju jeni shprehur pozitivisht për rolin që duhet të luajë opozita në vendin tuaj, ka kritikë që thonë se ju nuk keni bërë një përpjekje serioze për të siguruar bashkëpunimin e saj. A mendoni se reformat në Shqipëri mund të ecin pa një bashkëpunim me opozitën dhe si mund të arrihet ai?
Unë mendoj se reformat në Shqipëri nuk do të ndalen, por sigurisht, nuk e vë në diskutim që bashkimi me opozitën për reformat e mëdha të modernizimit të shtetit është një element i domosdoshëm dhe absolutisht, një element europianizues për politikën shqiptare. Thënë kjo, unë besoj se opozita i ka pasur dhe i ka të gjitha hapësirat e nevojshme për të luajtur rolin e saj. Ndërkohë që, sigurisht, unë i mirëkuptoj edhe kritikat ndaj nesh edhe pse nuk jam dakord me to.
Zoti Rama, ju jeni shprehur në favor të një reforme në drejtësi, e cila duhet të bëhet bashkë me opozitën. Por ndërkohë ju keni ngritur një komision hetimor për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, veprim i cili shihet nga opozita si një përpjekje për të vënë nën kontroll këto institucione qendrore të drejtësisë? Cili është komenti, reagimi juaj në këtë rast?
Unë nuk komentoj opozitën. Unë jam i mandatuar për të drejtuar qeverinë dhe qeveria flet me punë. Puna e qeverisë janë reformat, janë vendimet, janë hapat në të cilat duhet udhëhequr vendi, ndërsa puna e opozitës është, sigurisht, të flasë.
Një çështje tjetër e mprehtë në Shqipëri që ka lindur gjatë këtyre kohëve të fundit është ajo e Bankës së Shqipërisë. Lidhur me guvernatorin e ardhshëm, ju keni deklaruar se keni pasur një bashkëpunim mjaft të mirë me Presidentin Bujar Nishani. Por, a mendoni se rrezikohet një ngërç në këtë pikë, duke qenë se Presidenti ka hapur një konkurs për guvernatorin e ardhshëm, ndërkohë që sipas ligjit, guvernatori duhet të zgjidhet ndër anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës?
Unë nuk dua të paragjykoj të ardhmen, dua vetëm të uroj dhe të besoj se bashkëpunimi me Presidentin do t’i japë Shqipërisë, së shpejti, guvernatorin e duhur për Bankën e Shqipërisë.
Pritet që ky guvernator të jetë i huaj apo shtetas shqiptar? Edhe për këtë ka pasur debate?
Për mua, e rëndësishme është që guvernatori i Bankës së Shqipërisë të jetë në lartësinë e një sfide të madhe, për ta nxjerrë Bankën e Shqipërisë nga kriza që kaloi, më të pavarur, më të fortë dhe padyshim, më largpamëse dhe të sigurt. Unë besoj që paragjykimi lidhur me nënshtetësinë nuk na ndihmon, por na pengon. Ndërkohë që pa as më të voglin dyshim, duke vendosur standardin, sigurisht që ne jemi të hapur qoftë për kandidatë të huaj, qoftë për kandidatë shqiptarë, nëse ka të tillë që e përmbushin këtë standard.
Zoti Rama, ka një debat kohët e fundit në Tiranë, lidhur me përgjime të kryera nga SHISH, të cilat dolën në dritë pas një kontrolli të ushtruar nga disa deputetë të Parlamentit, të Partisë Socialiste. Çfarë ka ndodhur në të vërtetë me përgjimet?
Nuk kam asnjë koment për këtë çështje.
Është hera e dytë që nuk keni koment, por ndërkohë shtypi dhe vetë deputetët tuaj kanë nxjerrë emra, madje dhe nivele të larta drejtuese në Shqipëri, që mendohet se janë përgjuar. Në qoftë se ka shkelje ligjore, si do të veproni?
Nuk kam asnjë koment për këtë çështje.
Zoti Rama, prej dy ditësh në Boston, me ftesë të një prej universiteteve me prestigjioze të botës, atij të Harvardit. Cili është synimi i kësaj vizite atje?
Ne jemi këtu, sepse ne bashkëpunojmë me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar të Universitetit të Harvardit. Një qendër me prestigj botëror, që na shoqëron në piketimin e hapave për reformat rrënjësore, në funksion të rritjes ekonomike, të mirëqenies sociale dhe të transformimit të Shqipërisë në vendin që të gjithë duam; në një shtet modern dhe në një realitet funksional.
Presidenti me përfaqësues të ekipit kombëtar dhe drejtues të FSHF-së
Nishani: Simbolet tona u fyen, thirrje shoviniste dhe raciste
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti sot në një takim miqësor përfaqësues të Ekipit Kombëtar të Futbollit dhe drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në takim, Presidenti, pasi u uroi mirëseardhjen, u ndal në situatën e rëndë me të cilën ekipi i futbollit shqiptar u ndesh në stadiumin e Beogradit. “Lojtarët shqiptarë shkuan pa paragjykime si sportistë dhe profesionistë, por u ndeshën me fyerjen e simboleve tona kombëtare, me thirrje shoviniste dhe raciste, me dhunën e huliganëve dhe pjesëtarëve të stafit të sigurisë në stadium, situatë që e përballuan me dinjitet të lartë. Ata rrezikuan shumë në emër të dinjitetit dhe simbolikës që mbartin ngjyrat e flamurit kombëtar si shenjë e identitetit dhe integritetit shqiptar”, deklaroi Nishani në takim. Ne, shqiptarët dimë të jemi të virtytshëm pa qenë shovenë, dimë të sfidojmë rrethanat, të vetëdijshëm në përkatësinë tonë evropiane dhe në sjellje po aq dinjitoze. Ne besojmë se sporti dhe kultura duhet t’i afrojnë më shumë popujt. Asgjë nga ato me të cilat sportistët shqiptarë u ndeshën dje në stadiumin e Beogradit nuk kanë lidhje dhe ngjashmëri me standardet europiane dhe familjen europiane ku duhet të shkojnë të gjithë popujt dhe vendet e Ballkanit. Mosreflektimi ndaj dhunimit të simboleve tona kombëtare, ndaj dhunës huligane është mundësi e madhe që shëmti të tilla të përsëriten”, theksoi më tej Presidenti Nishani. Kreu i shtetit iu drejtua më pas lojtarëve se “Shqipëria, kombi, ju janë mirënjohës për profesionalizmin, integritetin dhe guximin, cilësi këto që ju nxorën faqebardhë. Ju faleminderit nga zemra!”.
PD
Bumçi: Beogradi të distancohet dhe të ndëshkojë përgjegjësit
Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit të PD-së, Aldo Bumçi, dënoi aktet e dhunës dhe shprehjet ksenofobe antishqiptare që u shfaqën në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë.
“Është për të ardhur keq që një ndeshje futbolli, e luajtur nga ana jonë me sportivitet, me fair-play dhe korrektësi maksimale, serbët e pranishëm në stadium e kthyen në një arenë të betejës politike me djegien e flamurit të NATOS-s, e me lëshimin e mesazheve ksenofobe përmes thirrjeve antishqiptare. PD e dënon dhunën e ushtruar dje në stadiumin e Beogradit ndaj lojtarëve tanë të kombëtares. Ne u kërkojmë autoriteteve serbe të hetojnë rastet e agresionit në kundërshtim me rregullat e UEFA-s, dhe të vënë para ligjit përgjegjësit. I kërkojmë Beogradit të distancohet nga ekstremizmi i shfaqur dje, dhe të japë sot mesazhet e duhura për bashkëpunim, për fqinjësi të mirë, e për të ecur përpara në rrugën e integrimit europian. Ndërkohë, Partia Demokratike përgëzon lojtarët tanë të kombëtares, që shkuan në Beograd për të luajtur futboll dhe ia dolën të mbrojnë deri në fund jo vetëm vlerat sportive, por dhe simbolin kombëtar”, deklaroi Bumçi.