Rama Forca e qeverise dhe e koalicionit matet me rezultate

Rama-deklarateTIRANË, 13 Nëntor/ATSH-Gjergji Mima/ - Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me projektligjin e qeverisë për të kriminalizuar shpifjen. Në një prononcim pas takimit të njësisë së koordinimit të koalicionit qeverisës në vilën qeveritare 31, kryeministri Rama sqaroi se qeveria nuk është tërhequr nga ky projektligj.

"Lidhur me propozimin e qeverisë dhe konkluzionin e gabuar se qeveria është tërhequr, risqaroj se për asnjë çast asnjëherë dhe kjo është e verifikueshme nga prononcimet e mia, nuk ka pasur dhe nuk do të ketë nisëm për të cënuar qoftë dhe në formën e një nisme ligjore, lirinë e plotë të fituar të shtypit në vite të tëra betejash dhe përpjekjesh", tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë, "nisma ka lidhje vetëm me një gjë, me ata që paguhen me taksat e qytetarëve shqiptarë si të zgjedhur dhe funksionarë. Askush nuk mund të përdorë votat e njerëzve dhe taksat e popullit për të shpifur", tha Rama.

Duke folur për mediat, Rama nënvizoi se, "kurrë nuk do të cënohet asgjë për çka ka të bëjë me fushën e lirisë së medias".

"Sa i përket shpifësve që marrin flamurin e lirisë së shtypit, le të vazhdojnë të bëjnë atë që janë mësuar të bëjnë", tha kryeministri Rama.

Ndërsa lidhur me protestën e tregtarëve përpara Kryeministrisë, Rama tha se, nuk duhet të lejojnë që të përdoren. "Mos u përdorni. Mos lejoni që mashtrues ordinerë t'ju përdorin duke ju thënë se, po ju vjen një e keqe e madhe nga ligji për procedurat tatimore", theksoi Rama.

"E kundërta është e vërtetë", nënvizoi kryeministri, "do të ketë një lehtësim të tregtarëve dhe tregjeve. Jo vetëm nuk do të ketë rritje taksash për ta, por do të ketë edhe ndryshim rrënjësor të taksave".

Ndërsa për takimin e sotëm, Rama tha se "çdo të premte mbledhim njësinë e koordinimit të koalicionit qeverisës. Sot ka qenë në fokus progres- raporti më i mire ndonjëherë për Shqipërinë. Ky progres-raport e vendosi Shqipërinë qartësisht në nivel pozitiv".

Sigurisht, tha Rama, "jemi në fund të një viti dhe në prag të një projekt-buxheti të ri, për të cilin kemi diskutuar për disa sektorë dhe do të vijojmë të diskutojmë edhe për ë tjerë".

Kryeministri theksoi se, "do të ketë forcim të linjës së reformave dhe vendosmëri për të çuar përpara reformat përpara. Mos prisni asgjë nga ato që fantazoni, komentoni dhe analizoni. Zgjedhjet e parkohshme janë pjesë e kësj fantazie".

Sipas kreut të qeverisë, "forcën e koalicionit dhe qeverisë e përcaktojnë rezultatet, ecuria e reformave dhe progresi i bërë. Referojuni, progres-raportit, marrëveshjes me FMN, Eurobondit etj. Kush ka pritur që reformat të japin rezultate për dy vite, domethënë që nuk kupton asgjë dhe nuk ka punuar asnjë ditë".

Duke folur për dorëheqjen e z. Naço nga posti i ministrit të Drejtësisë, Rama tha se, "Ministri i Dretësisë ka shprehur arsyet e dorëheqjes. E kam falenderuar dhe është zgjedhur menjëherë ministri i ri për të vijuar me punën për reformën. Kam thënë që s'bëj ndryshime në qeveri, por jo që asnjë ministër nuk ka të drejtë të dorëhiqet.

Këto deklarata kryeministri Rama i dha pas takimit të njësisë së koordinimit të koalicionit qeverisës në vilën qeveritare 31 me Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.

Të pranishëm në takim ishin edhe ministrat Saimir Tahiri, Ilir Beqja dhe Damian Gjiknuri. Në këtë takim merrnin pjesë edhe Erjon Braçe, kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Spartak Braho, kryetar i Komisionit të Sigurisë, si dhe dy krerët e grupeve parlamentare të PS-së dhe LSI-së, Gramoz Ruçi dhe Petrit Vasili. /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama