Është prezantuar sot në Tiranë raporti përfundimtar për reformimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor ku përpara të pranishmëve kanë folur kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe kryetari i komisionit Arjan Gjonça.
Kryeministri Rama në fjalën e tij e ka konsideruar reformën e arsimit të lartë si themltare për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Ai gjithashtu theksoi se anëtarët e këtij komisioni pavarësisht bindjeve të tyre politike i ka bashkuar interesi i të ardhmes së arsimt të lartë, duke e cilësuar si një moment emancipues për qeverisjen në Shqipëri.
“Kënaqësi dhe krenari legjitime sot pasi përfundoi një fazë themeltare e një reforme themeltare për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Kemi në dorë një produkt të realizuar nga një grup njerëzish pa dallim politik dhe partiak. Anëtarët e komisionit janë njerëz që kanë votuar kundër nesh, sepse në këtë komision njerëzit i ka bashkuar interesi i të ardhmes së arsimit të lartë në Shqipëri, rruga akademike dhe një përkushtim që është cilësi e të gjithë njerëzve që pavarësisht përkatësive poltike, kur vjen puna tek gjëja që kanë zgjedhur të bëjnë, janë të gatshëm që të kontribuojnë. Ky është një moment emancipues për qeverisjen në Shqipëri, risi që me siguri do ndiqet më pas edhe në plane të tjera, do kthehet në normalitet për çdo qeveri”,është shprehur Rama.
Sipas Ramës, rezultatet përfundimtare që do të dailn në muajn dhjetor pas akreditimit të universiteteve shtetërore dhe private, pritet të jenë njësoj negative si me Maturën Shtetërore. Rama ka thënë se univeristeten në Shqipëri nuk mund të trajtohen si disa të nënës dhe disa të njerkës, por do të trajtohen njësoj të barabartë pa marrë parasysh nëse janë privatë apo shtetërorë. Kryeministri ka dekaruar se çdo universitet shtetëror që nuk plotëson kushtet e kërkuara do të mbyllet.
“Ne e kemi filluar procesin për vlerësimin e universiteteve, kemi kontraktuar një nga agjencitë më të mira ndërkombëtare që përfundon punën në dhjetor. Nuk them asgjë të re, duhet të jeni të përgatitur se në dhjetor do të kemi rezultate të ngjashme me Maturën Shtetërore, mos edhe më tronditëse për universitetin. Kemi bashkëjetuar me një farsë të një suksesi imagjinar duke hapur një hendek me të ardhmen. Kjo reformë i jep fund shprehjes së atij të nënës dhe atij të njerkës, se shtetërori është trajtuar si i nënës, privati si i njerkës. Atij të nënës i pranohet dembelizmi, parazitizmi, hajdutëria dhe i jepet mundësia të jetojë dhe të vërë dhjam duke harxhuar paratë e publikut, ndërsa atij të njerkës ti lejohet të mbijetojë si të dojë në kurriz të publikut. Gjëja më e rëndësishme nga ku fillon kjo reformë, është fakti se i jepet fund qasjes së arsimit si mall që blihet, i jepet fund trajtimi të studentit si klient që duhet të paguajë mallin që kërkon”, tha Rama.
“Duke vendosur në thelb parimin e arsimit si një e mirë publike që duhet të garantohet nga të dyja universitetet, të dyja të kenë mundësi të barabarta konkurrencë dhe meritë, jo akreditim për privatin dhe pranim pas kushte të shtetërorit, por akreditim për të gjithë pa përjashtim. Do mbylli derën nëse nuk plotëson kushtet çdo universitet shtetëror. Kjo në respekt të çdo nxënësi dhe prindi që paguan. Ne nuk mundi t’i trajtojmë nxënësit dhe prindërit si klientët e Sudes dhe Vebi Alimucës. Kjo është tradhti kombëtare, do i japim fund me çdo çmim, shumë e rëndësishme t’i japim fund, qeveria nuk mund t’ja punojë pas shpine popullit të vetë”, shtoi ai.
Rama ka komentuar edhe reagimet e shumta kundër kësaj reforme duke u shprehur se: “Përgjithësisht reagimet vijnë nga ata që janë mësuar me mamin shtet, që pinë qumësht në sisën e shtetit pavarësisht se sa dhe çfarë bëjnë, por qajnë. Dhe që të ndalojnë të qarat shteti thotë hë çfarë do.”
Kryeministri Rama ndër të tjera ka falenderuar edhe Rektorin Dhori Kule, që pavarësisht kundërshtimeve politike midis tyre, kanë gjetur rrugën për të bashkëpunuar në këtë reform të rëndësishme.
Unë me Dhori Kulen jam kundërshtarë politik, por jam i kënaqur që ai është përfshirë në këtë proces dhe kemi komunikuar shpesh për këtë proces. Në këtë punë nuk ka miq dhe armiq, por vetëm përkushtim për ti dhënë mundësi gjeneratës tjetër që kur të kujtohet të mos na mallkojë. Kjo reformë na garanton nga mallkimi i tyre. Falënderim të posaçëm armikut tim të dashur Dhori Kule, me të cilin kemi ndarë debate në Këshillin Bashkiak si kundërshtarë, por sot i detyrohemi mirënjohje”, ka deklaruar Rama.