Rama I kemi borxh te madh SHBA-ve

Rama: I kemi borxh te madh SHBA-ve

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi të martën se Shqipëria nuk u tërhoq nga operacioni ndërkombëtar në lidhje me demilitarizimin e arsenalit kimik të Sirisë, por mori vendimin e duhur, pasi është diskutuar me imtësi çdo gjë.

Kreu i qeverisë shqiptare, ka risjellë debatin e nëntorit të kaluar, ndërkohë që merrte pjesë në një aktivitet ku promovohej libri “Heshtja e dyfishtë” e gazetarit Carlo Bollino.

Rama, ka sjellë në vëmendje të gjitha kontaktet me ndërkombëtarët e në veçanti me aleatët e ngushtë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se konkluzioni final për të mos u përfshirë në operacion erdhi ngaqë Shqipëria mbeti e vetme në një operacion ku po tërhiqeshin shumë shtete të tjera.

“Angazhimi ynë në këtë operacion mjaft delikat meritonte pjesën e mbështetjes dhe investimit, por mbetëm të vetëm . Vetmia do të na dëmtonte imazhin tonë si vend, ku ne synojmë të investojmë mbi bukurinë dhe resurset turistike. Pikërisht ky ka qenë argumenti kryesor që çoi në përfundimin se nuk kemi mundësitë për tu angazhuar në këtë operacion”, deklaroi Rama, i cili ka folur për kontaktet e vazhdueshme me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, John Kerry dhe zyrtarë të tjerë të lartë të SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë, ndërkohë që ka mohuar kategorikisht kontaktet me palën ruse, vend i cili së bashku me SHBA mori përsipër angazhimin për të drejtuar procesin e shkatërrimit të arsenalit kimik të Sirisë.

Kreu i qeverisë shqiptare ka deklaruar se angazhimi i Shqipërisë për ta konsideruar pjesëmarrjen në operacion ka qenë një vendim normal, i drejtë dhe një detyrim ndaj aleatit  më të madh Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ne i kemi borxh të madh Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj është tejet e natyrshme qëndrimi për ta konsideruar angazhimin tonë”, deklaroi Rama, i cili theksoi se gjatë gjithë zhvillimeve ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Kreun e Kuvendit, Ilir Meta, dhe në konsultim permanent me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, Ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ekspertët shqiptarë dhe ajkën e shkencës amerikane për çështjen e sigurisë së operacionit.

“Nuk ka pasur asnjë rrezik, Kjo është e vërtetuar, por ne kemi diskutuar me imtësi të gjitha shqetësimet që vinin nga shoqëria. Ne nuk u tërhoqëm por morëm vendimin e duhur falë edhe ambientalistëve, deklaroi Kryeministri, Edi Rama”.

 

Meta: U spekulua mbi gatishmërinë e qeverisë

“Ka pasur spekulime të shumta mbi gatishmërinë e kryeministrit Rama mbi diskutimet për armët Kimike të Sirisë, dhe ky ishte dhe thelbi i tensionit”, tha kreu i Kuvendit Ilir Meta.

Sipas Metës, është keqkuptuar gatishmëria e kryeministrit Rama për të biseduar lidhur me këtë çështje, duke u menduar si një përgjigje pozitive. Sa i takon marrjes së përgjegjësive lidhur me këtë çështje, Meta tha se “kjo do të ishte një përgjegjësi që mund të mbahej, ku dhe vetë shqiptarët të bëheshin pjesë e saj”.

Meta tha se, “lidhur me këtë çështje dua të shpreh bindjen se themeli i gjithë këtij keqkuptimi dhe tensioni ka të bëjë pikërisht më faktin se gatishmëria e shprehur nga kryeministri pas kërkesës, propozimit apo kontaktit për të kontribuuar është paraqitur, keqkuptuar si një përgjigje PO e mirë menduar e thelluar dhe e studiuar. Në këtë hapësirë mendoj se këtu lëviz e gjithë ngjarja.”

“Kam qenë i bindur se nëse Shqipëria do të merrte përsipër një përgjegjësi, kjo e fundit do të ishte një përgjegjësi që mund të mbahej, ku dhe vetë shqiptarët të bëheshin pjesë e saj. Nuk duhen harruar se qeveria një ndër vendimet e para ka marrë heqjen e mbeturinave dhe në këto kushte situata është komplikuar. Në këto kushte askush nuk mund të fajësojë kryeministrin për frymën e tij të bashkëpunimit me aleatët. Të mos harrojmë se Shqipëria dhe Kosova është një përfituese e madhe nga angazhimi i të tjerëve në luftën për paqe. Kështu që kemi një keqkuptim. Çdo vendim do të kalonte në mënyrë transparentë. Do kalohej në parlament do diskutohej me shoqërinë civile”, tha kreu i Kuvendit Ilir Meta.

Të pranishëm në Teatrin e Komedisë janë kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, si dhe deputet të parlamentit shqiptar, dhe ambientalistë.

Në prezantimin e librit, gazetari Carlo Bollino shpjegon arsyet pse ky libër është titulluar “Heshtja e dyfishtë”.

Bollino i referohet heshtjes së protagonistëve kryesore, nga njëra anë një heshtje e qeverisë shqiptare, institucione, apo diplomacisë, dhe nga ana tjetër një heshtje edhe nga ana e negociatorëve amerikane.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama