Rama Incidenti nuk do te mi prishe planet per viziten ne Beograd

Rama: Incidenti nuk do te m'i prishe planet per viziten ne Beograd

Ndihem i trishtuar dhe i zhgënjyer nga çfarë ndodhi si dhe nga reagimi i autoriteteve serbe. Është e pabesueshme”, u shpreh Rama, i cili shtoi se pretendimet e disa zyrtarëve serbë se vëllai i tij, Olsi Rama, është përgjegjës për dronin, nuk do ta pengojnë dhe ndikojnë në planet e tij për të vizituar Serbinë më 22 tetor. Ne nuk duhet të nxitemi nga ajo lloj politike e së kaluarës dhe urrejtje e së kaluarës. Ne nuk duhet të nxitohemi nga ajo që ndodhi në një lojë futbolli”, tha Rama pas mbajtjes së një fjalimi në Universitetin e Harvardit. “Unë jam shumë i vendosur për të shkuar përpara. Nuk arrij ta kuptoj sesi dikush ka futur një dron brenda në stadium, kur dihet se edhe shallet me simbole shqiptare nuk u lejuan të futen në stadium”, deklaroi kreu i qeverisë. Sipas Ramës, është e qartë se objekti fluturues mund të ketë ardhur nga jashtë stadiumit. “Ne nuk do t’i përgjigjemi në të njëjtën mënyrë të vjetër një rajoni që ka vuajtur aq shumë nga kjo mënyrë e vjetër, nga një rajon që ka gjetur më në fund paqe, ne jemi në paqe jo sepse u bëmë engjëj, por sepse ne jemi të gjithë të bindur se Europa është destinacioni ynë dhe ne duam të jemi pjesë e familjes europiane”’ u shpreh Kryeministri Rama.

Intervista

Në një intervistë telefonike për televizionin “France 24″ për gazetaren e “Paris Direct”, kreu i qeverisë u shpreh se qeveria serbe zgjodhi të bëhet palë me tifozët huliganë, të cilët dhunuan në fushë lojtarët tanë të kombëtares dhe kjo vetëm se mbi stadium u valëvit flamuri kuqezi me hartën e Shqipërisë së Madhe, nëpërmjet komandimit me dron. Sa i përket idesë nëse do të ndryshojë qëndrim për vizitën e tij në Beograd, e parashikuar më 22 tetor, Rama u shpreh se nuk ka kthim prapa. “Mua më vjen keq për gjithçka ndodhi në stadium, sepse u takonte autoriteteve serbe të përgjigjeshin për sigurinë në stadium gjatë gjithë zhvillimit të ndeshjes, dhe më vjen akoma më keq që, në vend që të dënonin dhunën dhe të distancoheshin nga ky spektakël i papranueshëm për Europën, qeveria serbe zgjodhi me retorikën e saj që të ndjekë tifozët serbë dhe të atyre që shkatërruan imazhin e futbollit dhe imazhin e vendit të tyre. Kurse ne zgjodhëm rrugën tjetër, rrugën e të sjellit si europianë, zgjodhëm të mos i përgjigjeshim retorikës nacionaliste dhe brutale, zgjodhëm që të vazhdonim rrugën tonë drejt së ardhmes dhe që të vazhdojmë punën për paqen, kooperimin dhe për dialogun midis gjithë vendeve të rajonit ku mbas 100 vitesh, është në vitin e saj të parë pa asnjë konflikt. Ndaj dhe ky kthim mbrapa është i papranueshëm, ashtu sikurse këto diskutime të ngritura nga hiçi të një flamuri që provokon nderin e një kombi”, deklaroi Kryeministri. Më tej kreu i qeverisë është përgjigjur edhe në lidhje me përfshirjen e vëllait të tij, Olsi Rama, në aktin e ngritjes së flamurit me simbolet shqiptare gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri. Duke folur mbi pretendimet e palës serbe mbi incidentin e ndodhur dy ditë më parë në stadiumin e Beogradit, kreu i ekzekutivit u shpreh se “është qesharake që njerëzit të kapen pas një flamuri, i cili fluturoi mbi një stadium ku valëviteshin mijëra flamuj serbë dhe ku nuk kishte asnjë tifoz shqiptar, sepse na u ndalua që tifozët shqiptarë të ishin të pranishëm, pikërisht për të evituar që ndeshja të degradonte. Dhe, mbi të gjitha, duhet theksuar, gjithashtu, se deri në atë moment, kishin ndodhur edhe shumë gjëra të tjera, dhe unë kam parë gjithnjë në Europë, që kur këndohet himni i një kombi mbahet qetësi, ndërsa në stadium himni ynë u shoqërua nga thirrjet ‘vdekje shqiptarëve’”, thekson kreu i qeverisë.

Ambasadori Boçka

Ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Ilir Boçka, ka konfirmuar në një konferencë se ambasada shqiptare është duke u marrë me organizimin e vizitës së Kryeministrit Edi Rama më 22 tetor. Sipas tij, kjo vizitë duhet të mbahet larg kësaj ngjarjeje. Ai mohoi që shteti shqiptar të ketë lidhje me atë që ndodhi në stadium mes ndeshjes Serbi-Shqipëri. Mësohet se ambasadori Boçka ka tentuar të sqarojë edhe një herë situatën, kur tha se Shqipëria i ka mbajtur këto qëndrime duke u bazuar në qëndrimet e palës serbe. Sipas tij, tashmë e rëndësishme është ndërtimi i marrëdhënieve të mira mes Serbisë dhe Shqipërisë, kjo në të mirë të të gjithë rajonit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama