Kryeministri, Edi Rama ka vizituar sot zonën hidrokarbure Molisht-Shpirag, ku në bazë të Marrëveshjes Hidrokarbure, ka përfunduar faza e parë e kërkimit nga dy kompani të huaja.
Gjatë kësaj faze ka përfunduar shpimi i pusit Shpiragu-2 ndërsa është në proces shpimi i pusit Molishti-1. Investimi në këtë zonë deri tani kap vlerën e mbi 200 milionë dollarëve ndërsa shpimi për kërkimin e hidrokarbureve shkon afro 3500-4000 metra nën tokë. Pas shpimit të pusit Shpiragu-2, në tetor-nëntor 2013 u krye testimi, nga ku rezultoi në zbulimin e naftës dhe gazit në sasi te konsiderueshme.
Nga drejtuesit e kërkimeve, Rama u informua se aktualisht operacionet hidrokarbure janë përqendruar për përfundimin e shpimit të pusit Molishti-1 dhe se parashikohet edhe shpimi i 3 puseve të tjerë, me investim prej 200 milionë dollarë. Kërkimet në këtë zonë kanë filluar që në vitin 2001, kur u shpua pusi Shpiragu-1, i cili vërtetoi praninë e hidrokarbureve në strukturën e Shpiragut.
"Ky është lajm shumë i mirë, por nga ana tjetër, ne jemi të vetëdijshëm që duhet të bëjmë hapa shumë të shpejtë për të ristrukturuar të gjithë sektorin. Në mënyrë që aktorë të një rëndësie kaq të lartë saç, jeni ju, jo vetëm që të ndihen mirë brenda kufirit të zonës, por edhe në raportohet me sektorin. Sepse e dimë që sektori ka qenë jashtëzakonisht problematik”, u shpreh Rama.
“Jashtëzakonisht jo transparente, i kapur nga interesa dhe fije që e kanë dëmtuar perspektivën e këtij sektori, por që dhe kanë dëmtuar të ardhurat e popullit. Në këtë vijë paralele, ju duke shpuar dhe nxjerrë ne duke garantuar rrugën e transparencës do bëjmë të mundur që përfitimi reciprok të jetë i plotë. Aq më tepër që cilësia e naftës këtu është spektakolare.”
Ministër i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri tha se cilësia e naftës që nxirret nga kjo zonë është shumë e mirë dhe mund të rrisë prodhimin e Shqipërisë deri në 50%. Duke marrë parasysh edhe cilësinë, Gjiknuri tha se në terma financiare do të kemi një rritje prej 70%.