Tiranë, 13 Nëntor /ATSH/ - Rritja e shkëmbimeve tregtare me Gjermaninë, e investimeve gjermane në Shqipëri si dhe forcimi i bashkëpunimit për arsimin profesional me qëllim rritjen e cilësisë së krahut të punës, kanë qenë fokusi i vizitës një ditore të kryeministrit Edi Rama dje në Gjermani.
Rezultatet e kësaj vizite i bëri të ditura vet kreu i Qeverisë, nëpërmjet një postimi në faqen e tij në "Facebook".
Në kuadrin e programit të takimeve për të zhvilluar edhe me landet gjermane marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, Rama është takuar me Kancelarin e landit të Hessen, Volker Bouffier si edhe me Kryetarin e Parlamentit rajonal Norbert Kartmann.
"Është folur edhe për krizën e refugjatëve dhe ndërveprimin mes Gjermanisë dhe vendeve të rajonit për ta përballuar me efikasitet më të lartë këtë krizë", bën të ditur Rama.
Kryeministri thekson se "Shqipëria nuk është e prekur nga flukset e refugjatëve që vijnë prej zonave të luftës në Lindjen e Mesme apo Afrikën e Veriut, por mbetet e gatshme të luajë rolin e saj brenda një plani të mirëstudiuar të BE".
Për sa i takon azilkërkuesve shqiptarë, Rama nënvizon se ka një përgjysmim të kërkesave dhe tendenca e rënies vazhdon.
"Por ka shumë rëndësi që Gjermania ka ndërmarrë hapa të mirëpritur qoftë për të lehtësuar aksesin në tregun e punës atje të punëkërkuesve të ligjshem, qoftë për të mbështetur më fort vendet e Ballkanit në rrugën e rritjes ekonomike", shkruan Kryeministri rreth vizitës së djeshme në Gjermani./b.k/