Për fat të mirë futbollistët shqiptarë nuk kanë të njëjtin shtat si kryeministri i tyre. Përndryshe kjo do ta shqetësonte skuadrën zvicerane më tepër se ç'është ajo tashmë. Edi Rama, 51 vjeç, 2 metër e 1 centimetër, ish-lojtar i kombëtares së basketbollit, artist i njohur ndërkombëtarisht me ekspozita në Paris, New York, Venecia, São Paulo, për njëmbëdhjetë vjet kryetar i bashkisë së Tiranës dhe nga shtatori i vitit 2013, ai është Kryeministri i Republikës së Shqipërisë.
Këtë mëngjes të butë pranvere ai kalon nëpër dhomën e Konferencave që ndodhet në ndërtesën e qeverisë e që të kujton një palestër, për t'u ulur në një tryezë prej druri masiv që ka përpara flamurin kombëtar me një shqiponjë të zezë me dy kokë. I ulur Edi Rama duket disa centimetra më pak. Edi Rama ndoshta ka dhimbje shpine prej sportit, ose ka një Hangover (gjendje pas dehje) prej Artit, ose është me një humor depresiv nga politika. Në çdo rast, parapritja e tij e mban intervistën në kufijtë e limiteve.
Das Magazin -- Cilën skuadër do të mbështesni ju të shtunën që vjen në Kampionatin Europian - Shqipërinë I apo Shqipërinë II?
Edi Rama: Pa diskutim Shqipërinë I. Paçka se dy vëllezër janë kundërshtarë, vërtetë bizare. (Granit Xhaka luan për Zvicrën dhe vëllai i tij Taulanti për Shqipërinë). Situata pasqyron disi historinë e kohëve të fundit të dy vendeve. Më kujtohet një ndeshje në Zvicër, e cila praktikisht për faktin se stadiumi ishte i mbushur aq shumë prej shqiptarëve, dukej sikur Shqipëria luante në shtëpinë e saj.
Das Magazin: Kush fiton?
Edi Rama: E pra, kualifikimin për Kampionatin Europian ne e arritëm falë suksesit tonë. Në fushat jashtë Shqipërisë, kemi luajtur shumë fort. Por është e qartë, Zvicra ka një skuadër me shumë përvojë. Me një barazim 1-1, ne do të mbetemi të kënaqur.
Das Magazin: Nga aq shumë futbollistë me rrënjë shqiptare të Zvicrës, cilët do t'i deshët në ekipin tuaj?
Edi Rama: Unë do të doja t'i shihja të dy vëllezërit të luajnë së bashku për Shqipërinë. Ata më kujtojnë mua shqiponjën dykrenore në flamurin tonë: Njëra duket në Shqipëri, tjera në Zvicër.
Das Magazin: Futbollistët tuaj më të mirë janë me origjinë pothuajse të gjithë nga Kosova. Përse kjo gjë?
Edi Rama: Ndoshta sepse ata kishin mundësi më të mira që të zhvilloheshin si sportistë. Populli i Kosovës ka një histori shumë më të gjatë të emigracionit: breza e gjenerata të tëra që jetojnë jashtë vendit të integruar në shoqëritë e tyre përkatëse. Natyrisht ata që jetojnë në Zvicër apo Gjermani, në këto vende, sporti për futbollistët afron kushte shumë të mira profesionale për të mësuar. Emigrimi nga Shqipëria ka nisur shumë më vonë.
Das Magazin: Kosovarët versus Shqipërisë me skuadra kombëtare. A është kjo një temë për ju?
Edi Rama: Nuk e kuptoj pyetjen.
Das Magazin: Ne flasim për tema të tilla. Partitë e djathta thonë se janë shumë emigrantë në skuadrën tonë kombëtare dhe shumë pak "zviceranë" - në kuptimin e zviceranëve me gjak të pastër.
Edi Rama: Ndoshta se orët dhe e djathta ekstreme janë të vetmet gjëra reale, origjinale në Zvicër? Nuk shpresoj të jetë kështu.
Das Magazin: A është futbolli një lidhje për popujt?
Edi Rama: Oh, futbolli mund t'i ketë të dyja: të jetë një urë fantastike, por edhe një e keqe përçarëse. Ju kujtohet ajo që ndodhi në vjeshtën e vitit 2014 në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë. Bashkë me homologun tim serb na u desh që të tejkalonim me shumë kujdes divergjencat. Unë isha Kryeministri i parë shqiptar që e vizitoja pas 68 vjetësh Beogradin! Me keqardhje ndodhi diçka e paparashikuar, kur një fans i kombëtares tonë hodhi në stadium një dron me flamurin tonë kombëtar shqiptar...
Intervistë me Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë bërë nga Bruno Ziauddin dhe Mikael Krogerus (Revista Dd Magazin)