Çështja e punësimeve në administratë sjell përplasjen e radhës mes Kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve të grupit parlamentar të socialistëve. Kryeministri, në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura, ka diskutuar në mesditën e djeshme të grupit socialist për ecurinë e punësimit në administratë dhe po kështu për rregullat e reja që do të ndiqen për këtë çështje. Burimet bëjnë të ditur se në mbledhjen me dyer të mbyllura, Rama ka theksuar se socialistët nuk do të kryejnë spastrime në administratën shtetërore, duke mos ndjekur dhe shembullin e demokratëve tetë vite më parë në drejtimin e ish-kryeministrit Berisha.
Sipas Kryeministrit, ruajtja e administratës dhe forcimi i meritokracisë në konkurse jo vetëm që është një kërkesë e BE-së, por vjen edhe si nevojë për konsolidimin një administrate me të cilën është abuzuar shumë të shkuarën. Kryeministri ka theksuar se përpara muajit korrik, rekrutimi në administratën qendrore nuk do të mund të kryhet dhe pas kësaj periudhe konkurrimi do të jetë i bazuar mbi rregulla të forta dhe transparencë maksimale.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PS-së, Rama ka theksuar se ligji i ri për nëpunësin civil, që pritet të hyjë në fuqi pas muajit korrik, do të ketë në thelb dhe administrimin e të gjithë procesit të rekrutimit dhe po kështu të shpalljes së fituesit nga ana e Departamentit të Administratës Publike, duke i bërë konkurset në grup dhe në fund, sipas renditjes, i takon vetë aplikantit të zgjedhë se për cilin institucion që ka shpallur vakancën do të punojë. Në këtë mënyrë, sipas Ramës, ministritë dhe titullarët e tyre nuk do të kenë vend në procesin e seleksionimit të punonjësve të tyre të ardhshëm. Por kreu i qeverisë ka theksuar se punësimi vijon të mbetet një nga prioritetet kyç të qeverisë që ai drejton. Rama shprehu bindjen se me masat e fundit që qeveria ka marrë për lehtësimin e biznesit privat, deri në fund të këtij viti do të ketë një rritje të numrit të shqiptarëve që punësohen në sektorin privat. Sipas tij, fillimi i procesit të shlyerjes së borxhit për biznesin është një lëvizje, e cila i jep mundësinë sektorit privat që të rigjallërohet, duke rritur dhe aftësitë e tij për punësim.
Nga ana tjetër, mbështetja e industrive të caktuara me masa dhe paketa speciale do të krijojë, sipas Kryeministrit, një sferë më të gjerë punësimi në sektorin privat në Shqipëri. Ai përmendi edhe paketën e masave lehtësuese që qeveria po përgatit për biznesin fason në vend, të cilin e konsideroi si një veprim të nevojshëm për rritjen e kapaciteteve të këtij sektori në vend. Po kështu, kreu i qeverisë deklaroi se një punë e madhe po bëhet dhe për tërheqjen e investitorëve të huaj, kontributi i të cilëve ka qenë i vogël në vitet e shkuara, në kuadër të procesit të punësimit. Sipas Kryeministrit, qeveria po përgatit legjislacionin për ta bërë sa më të lehtë zgjerimin e bizneseve të tyre edhe në Shqipëri.
Qershori - Në këtë muaj, qeveria shqiptare do të futet për provimin e radhës për statusin e vendit kandidat, ku administrata publike do të jetë kriter që do të vlerësohet
Korriku - Deri në këtë muaj, punësimet në administratën qendrore janë të bllokuara, si pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për aktin normativ të nëpunësit civil
Shtatori - Pritet të jetë muaji në të cilin procesi i rekrutimit në administratën publike do të fillojë sipas rregullave të reja, që janë përgatitur aktualisht
Harito
Në administratë punësohesh fillimisht si specialist
Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, shpjegoi dje në tryezën me temë “Perspektiva europiane e Shqipërisë”, rregullat e reja që imponon për administratën publike ligji i amenduar për nëpunësin civil. “Ligji i përfolur dhe i komentuar sjell një ndryshim esencial, sepse në radhë të parë ndryshon mënyrën sesi futesh në administratën publike. Futesh vetëm në rang specialisti, nuk mund të hysh direkt si drejtor, sekretar i përgjithshëm. Pra, sistemi i karrierës futet gradualisht dhe kështu krijohet stabilitet në administratë”, theksoi ajo, duke shtuar se ky ligj sjell edhe konsolidimin e administratës.