Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë intervistës së dhënë për N1 në Serbi i është rikthyer sërish asaj që ndodhi në Beograd më datë 14 Tetor në stadiumin e Partizanit. Kryeministri shqiptar shprehet se Ballkani është gjaknxehtë dhe se ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë cilësohet si një derbi.
“Le të jemi të sinqertë kur këtu luan Partizani dhe Crvena Zvezda në Serbi, ajo duket si një luftë. Në Ballkan është derbi ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë. Pra, duhet marrë lehtë dhe nuk duhet të bëjë shumë bujë. Kur Shqipëria luan me Greqinë, çdo gjë është pak a shumë e njëjtë në rrugë dhe në stadium, atmosfera është shumë e zjarrtë. Ne jemi Ballkani dhe jemi gjaknxehtë.
Kjo gjë nuk mund të ndryshohet dhe, kur luajmë kundër njëri-tjetrit, ne duhet ta marrim vetëm si një ndeshje futbolli “, tha Rama gjatë intervistës për televizionin serb N1 info.
Më pas kryeministri shqiptar është ndaluar te akti i dytë i asaj që ndodhi në Beograd, ndeshjes së kthimit mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila do të zhvillohet më 2015 në Shkodër, sipas premtimit të Ramës.
Kryeministri shqiptar theksoi se ai do të largohet nga stadiumi nëse dëgjohen thirrjet “vritini serbët”.
“Do të largohem nga stadiumi nëse dëgjoj thirrje ‘vritini serbët’. Në Beograd kjo ndodhi, tifozët vërshuan kundër shqiptarëve, por askush nuk u largua nga stadiumi” tha kreu i ekzekutivit shqiptar.
Ndërsa përsa i përket dronit të lëshuar me flamurin shqiptar në stadiumin e Partizanit, Rama tha se ngjarja ishte e papërshtatshme dhe se kjo zbuloi se sa e paqëndrueshme është paqja në Ballkan.