Aksioni i INUK-ut në kryeqytet për prishjen e ndërtimeve pa leje në hapësirat publike, ka përplasur edhe dje, nëpërmjet rrjeteve sociale, kreun e bashkisë, Lulzim Basha, dhe ish-drejtuesin e saj për tre mandate, Edi Ramën. Edhe pse kryebashkiaku Basha i ka bërë ftesë Ramës për një debat publik, mesa duket askush nuk e shikon me vend përplasjen në publik në vend, por vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale. Kreu i qeverisë prej kohësh vazhdon të publikojë në rrjetin social “Facebook” foto të aksioneve të INUK-ut për prishjen e ndërtimeve pa leje në kryeqytet, ku një i tillë u publikua edhe dje. Por ndryshe nga ndërtimet e tjera normale, ajo e djeshmja, e publikuar prej Ramës, ishte pikërisht një lapidar, i cili ishte brenda ndërtimit pa leje. Bëhet fjalë për lapidarin e dëshmores Mine Peza, që ka dalë në dritë gjatë aksionit të INUK-ut pas prishjes së një objekti pa leje dykatësh, që shërbente si lokal qoftesh dhe si pikë bastesh. “Dy kate pa leje, lokal qoftesh e bastesh mbi shesh e trotuar dhe me gjithë lapidar brenda mu në mes të Tiranës!”, shkruan Rama. Por nuk ka vonuar reagimi i kryetarit të bashkisë, Basha, i cili në një status në “Facebook” shkruan se lokali qëndron në po të njëjtin vend prej 12 vitesh. “Ky dykatëshi që ‘zbuloi’ sot ish-kryetari 11-vjeçar i bashkisë, ka 12 vjet që qëndron aty. I lejoi 11 vjet të mbijnë në rrugë e trotuare përkundrejt tarifës korruptive. Sot krekoset si gjeli majë plehut se po i prish”, shkruan kryebashkiaku Basha. Më tej, në postimin e tij, kreu i bashkisë më të madhe akuzon qeverinë “Rama” se nuk ka krijuar asnjë vend pune, por mendon vetëm për shkatërrim. Basha shkon edhe më tej teksa shkruan se kreu i qeverisë ka favorizuar ndërtimet pa leje për klientelën e tij në Ksamil dhe në Velipojë. “Pa krijuar asnjë vend të ri pune, asnjë shpresë për të ardhmen. Vetëm mjerim, shkatërrim dhe propagandë bajate. Ndërkohë klientela e tij ndërton pa leje nga Velipoja në Ksamil”, shkruan Basha në profilin e tij në “Facebook”.
Aksioni
Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka nisur ditë më parë aksionin në kryeqytet për prishjen e rreth 700 objekteve të ndërtuara pa leje në rrugët e Tiranës dhe paralajmëron se aksioni do të vijojë deri në çlirimin e plotë të hapësirave publike në të gjitha rrugët e kryeqytetit. Deri më tani, në Tiranë janë shembur 700 objekte, ndërsa 37 persona kanë shkuar për ndjekje penale. “Aksioni ka nisur në Tiranë me prishjen e rreth 700 objekteve që kishin zënë hapësirat publike. Dhe aktualisht ky aksion po vazhdon tek “Ali Demi” dhe “Don Bosko”. Ndërhyrje kemi bërë edhe në sheshin “Nënë Tereza”. Aktualisht të gjithë inspektorët janë në terren në të gjithë Republikën e Shqipërisë për të bërë evidentimin e saktë të ndërtimeve pa leje dhe atyre të kundërligjshme, siç është rasti i shtesave që janë në kundërshtim me kushtet e planifikimit, me planet dhe lejet e ndërtimit. Nëse janë në kundërshtim me ligjin, sigurisht që po”, konfirmoi drejtoresha e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Dallëndyshe Bici.
Legalizimet
Kryeministri Edi Rama ka theksuar edhe një herë se do të legalizohen banesat e qytetarëve dhe jo ato që ai i quan mejhanet e “të fortëve” nëpër rrugë. Në një status në “Facebook”, Rama shkruan: “Jam në proces legalizimi thonë shpesh këta, por legalizohen shtëpitë e njerëzve jo mejhanet e ‘të fortëve’ nëpër rrugë”. Ndërkohë që vetëm pak ditë më parë, Rama theksoi edhe një herë që procesi i legalizimeve do të jetë falas, ndërsa ka sqaruar se ato objekte që janë ndërtuar në pronën e dikujt tjetër do të paguajnë në mënyrë që t’i jepet fund njëherë e mirë konfliktit mes pronarëve të objektit me pronarët e truallit. Nga ana e saj, Partia Demokratike akuzoi qeverinë se, ndërsa premtoi legalizimet falas, jo vetëm që nuk e mbajti këtë premtim, por po shkatërron pronat dhe djersën e shqiptarëve të ndershëm.