TIRANË, 3 Nëntor /ATSH- I. Vata/ -Kryeministri Edi Rama deklaroi se shqiptaret në çerek shekulli humbën tërësisht shqisën e zanateve, por ka gjithmonë një moment dhe sot me partnerët gjermane në rrugën pa kthim drejt arsimit profesional, celëm kosinë alternative të zanateve, për gjithë ata të rinj që për arsye nga më të ndryshmet nuk ndjekin universitetin.
Kryeministri Rama ne nje status të tij ne Facebook pasditen e së martës, shprehet: "Sot në Parkun e Biznesit të Tiranës për konferencën "Profesionet më të kërkuara në Shqipëri-Ekonomia shqiptare ka nevojë për aftësi të mira", së bashku me partnerët tanë gjermanë në rrugën pa kthim drejt një arsimi profesional të besueshëm, që siguron aftësim te vërtetë dhe punësim real."
"Në thuajse çerek shekulli tranzicion, ne humbëm tërësisht shqisën e zanateve dhe e transformuam të gjithë rrugën e investimit në dije, në një rrugë me një korsi të vetme, që ishte korsia e arsimit të lartë. Bëmë gjithçka mundëm për të ndërtuar një piramidë iluzionesh, duke iu krijuar praktikisht, të gjithë të rinjve dhe po ashtu, edhe prindërve, idenë se çdokush mund të bëhej jurist, ekonomist apo inxhinier dhe se kishte ikur koha kur njerëzit mund të jetonin me "ambicien e vogël" të të qenit zejtar, apo të të pasurit të një zanati. Sidoqoftë, ka gjithmonë një moment për të filluar dhe tashmë është çelur korsia alternative e zanateve, për gjithë ata të rinj që për arsye nga më të ndryshmet nuk ndjekin universitetin. Jo një korsi zanatesh si një rrugë dytësore, pra, e dorës së dytë, por një korsi zanatesh, e cila të bëhet zgjedhje për të gjithë ata që duan të kenë arsim cilësor që siguron aftësi e punësim, si edhe padyshim një hyrje të sigurtë në rrugën e tregut të lirë, ku eksperienca e vendeve nga marrim shembull tregon se në këtë rrugë mund të lindin sipërmarrës shumë të suksesshëm", shprehet Rama. /a.ke/f.n/