Kryeministri Edi Rama komentoi sot për herë të parë akuzat e ngritura nga Prokuroria e Përgjithshme kundër kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika, i cili akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe vendimesh zyrtare në lidhje me dy pallate të ndërtuara në Vlorë.
Rama tha se ndjehet mik me Gjikën dhe se personalisht do t’i qëndrojë pranë në çfarëdolloj situate, por se ai nuk mund të ofrojë mbështetje politike për të dhe i kërkoi drejtësisë të bëjë punën e vet deri në fund.
Akuzat e ngritura nga prokuroria, tha ai, janë të rënda dhe duket se janë të faktuara.
“Të gjithë duam të shpresojmë që akuza të tilla të rënda të mos jenë të vërteta. Por ne jemi të detyruar nga 1 milionë votat që na votuan për të luftuar korrupsionin dhe për këtë kërkojmë që Drejtësia të bëjë punën e vet”, – tha rama.
“Duhet të jetë e qartë për të gjithë, ne nuk do të bëhemi mburojë politike për korrupsionin, as sot dhe as kurrë. Ne duam një Shqipëri të drejtë dhe kjo vlen jo vetëm kur akuzohen kundërshtarët tanë, por edhe kur akuzohet njëri prej nesh,” vijoi Rama.
“Si socialist dhe mik i Shpëtim Gjikës do të jem personalisht pranë tij edhe sikur ai të dalë fajtor,” tha Rama. “Por si kryeministër, unë vetëm mund ta inkurajoj prokurorinë dhe drejtësinë të bëjë punën e vet deri në fund,” tha më tej kryeministri.