Rama Mesha e 4 nentorit 1990 ndau te shkuaren nga e ardhmja

Përkujtohet në Shkodër 25-vjetori i meshës së parë pas '90
Edi-Rama_konference1SHKODËR, 4 Nëntor /ATSH/ - U përkujtua sot në Shkodër, në një ceremoni të veçantë në varrezat katolike të këtij qyteti, 25- vjetori i mbajtjes së meshës së parë pas rrëzimit të diktaturës komuniste, e cila u kremtua nga Dom Simon Jubani.

I pranishëm në këtë ceremoni përkujtimore ishte Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe personalitete të larta të politikës, komuniteteve fetare, artit e kulturës, si dhe drejtues të pushtetit lokal.

Duke folur në këtë ceremoni Kryeministri Edi Rama e krahasoi meshën e 4 nëntorit 1990, me një rreze drite që ra atë ditë mbi varrezat e Rrmajit, (varrezat katolike të qytetit të Shkodrës).

"Ditën e 4 Nëntorit 1990, është hapur qielli dhe një rreze drite ka rënë mbi këto varreza. Ka qenë një moment i paharrueshëm dhe rrezja e dritës që çau qiellin për të shqoqërur fjalën e e Dom Simon Jubanit, ka qenë momenti i parë i çlirimit nga ankthi dhe i përjetimit të jashtëzakonshëm të së vërtetës, se e shkuara ishte kredhur në të shkruarën dhe se ardhmja sapo kishte filluar të merrte frymë këtu, në këtë tokë të bekuar të këtyre varrezave", u shpreh Rama.

Ai përmendi faktin se Shqipëria është në krye të listës së gjithë botës së krishterë, për numrin e martirëve, dhe kjo vetëm në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe prej tyre i përkisnin klerit katolik të Shkodrës.

Duke lidhur simbolikisht këtë fakt me vendin ku u mbajt mesha 25 vjet më parë, ai theksoi se "ajo që ndodhi atë nëntor këtu, nuk mund të ndodhte askund tjetër veçse këtu. Ky vend është shumë më tepër se sa një varrezë. Është një kopësht shpirtëror dhe një lëndinë jo për vaje por për lutje në paqe dhe në shpresë".

Kryeministri vlerësoi se çdo monument në fushën e varrezave të Rrmajit, është më shumë se sa varri i dikujt. "Çdo varr këtu është si një stacion në historinë e kishës, të kulturës, të arteve dhe në historinë shpirtërore të Shkodrës që është padyshim jo pjesë, por një pjesë pa të cilën historia e Shqipërisë do të humbte kuptimin", nënvizoi kreu i qeverisë, Edi Rama.

/b.k//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama