Rama Ndjekje penale per biznesmenet qe nuk sigurojne punonjesit

Rama: Ndjekje penale per biznesmenet qe nuk sigurojne punonjesit

Kryeministri Rama ka paralajmëruar arrestime për biznesmenët  apo drejtuesit e kompanive që nuk sigurojnë punonjësit e tyre, por i mbajnë në punë të zezë. Një fenomen i tillë është i patolerueshëm dhe duhet të marrë fund. Deklaratën e ka dhënë gjatë konferencës së organizuar në kuadër të Konventës së Shërbimeve Sociale, ku ndër të tjera tha se këtë vit shifrat e të punësuarve janë pozitive, kjo edhe për shkak të formalizimit.

“Dua të ndalem në aspektin e formalizimit të punës që është mjaft i rëndësishëm. Kemi një shifër që as në ëndrrën më optimiste nuk e kemi parë të arritshme në vitin e parë qeverisës, që flet për 81 352 të rinj të punësuar. Një pjesë janë të punësuar rishtas falë skemës mbështetëse të punësimit  dhe një pjesë tjetër janë nxjerrë nga puna në të zezë. Është shifër e konsiderueshme për të forcuar bazën e punësimit në vend.

Kam dëgjuar se nuk janë hapur vende pune, por fakti është që janë 81 352 të punësuar, dhe në gjuhën e botës normale këto quhen vende pune, ashtu sikundër puna në të zezë është veprimtari e dënueshme penalisht. Dhe për këtë arsye, ndërhyrjet që po bëjmë në legjislacion, qoftë me punësimin rishtas në të zezë të personave, do të jetë e barabartë me ndjekje penale të personit përkatës dhe drejtuesit të kompanisë përkatës”,- tha kryeministri Rama

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj u bëri thirrje 184 komunave demokrate që të mos vonojnë më pagesat e ndihmës ekonomike dhe të shtresave në nevojë. Fondet janë dorëzuar në kohë dhe nuk ka motive që paratë të mbahen peng  për arsye politike.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama