Në ditën e katërt të vizitës së tij në Kinë së bashku me delegacionin shqiptar që e shoqëron, kreu i qeverisë është ndalur në Shangai, ku ka takuar përfaqësues të sipërmarrjeve të bizneseve të ndryshme, ku u ka prezantuar atyre modelin e ri ekonomik që po ndjek vendi ynë. Ka qenë vetë Kryeministri Rama, i cili nëpërmjet një statusi në rrjetin social Twitter, ka shkruar për një partneritet me shtetin e Kinës në fushën e ekonomisë. “Në Shangai me sipërmarrje të mëdha kineze për të prezantuar Shqipërinë që po rilind, modelin tonë të ri ekonomik, qeverisjen partnere të biznesit dhe për t’u njohur me interesat, prioritetet, si edhe kërkesat e tyre”, shkruan kreu i ekzekutivit. Rama ka postuar edhe foto të tjera nga ceremonia e organizmit të pritjes së tij dhe delegacionit shqiptar nga sipërmarrësit e bizneseve në Shangai. Ky takim i djeshëm vjen në kuadër të motos së qeverisë për investime të reja kineze në Shqipëri. Madje, kreu i qeverisë, nuk ka ngurruar as të postojë një foto të realizuar në ashensor prej xhami të një prej ndërtesave më të larta në Shangai, aty ku u takua me sipërmarrësit e biznesit në këtë vend.
Vizita e delegacionit shqiptar ka qenë e fokusuar pikërisht në çeljen e marrëdhënieve të reja mes dy shteteve në fusha të ndryshme të ekonomisë, duke u fokusuar së tepërmi në atë të energjisë, si dhe investimeve në infrastrukturë. Vetë kreu i qeverisë, Edi Rama, si dhe homologu i tij kinez kanë firmosur një sërë marrëveshjesh dypalëshe me njëri-tjetrin, të cilat krijojnë lehtësi për palën kineze për të rritur investimet në shtetin shqiptar. Gjatë takimit me Kryeministrin kinez, Li Keqiang, Rama u njoh me nismën për t’i dhuruar qeverisë shqiptare një grant prej 10 milionë juanësh, që do të shkojnë për financimin e projektit të transformimit të sistemit të mësimdhënies përmes inovacionit. Po ashtu, me interes nga pala kineze shihet dhe projekti madhor i Portit të Shëngjinit. Kryeministri Rama, gjatë vizitës në Kinë, mbajti një fjalim në Universitetin e Financës dhe Ekonomisë të Tianjinit. Në fjalën e tij, ai theksoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të ndryshuar modelin ekonomik të vendit, që më parë është mbështetur në prurjet e emigrantëve dhe sektorin e ndërtimit. Edhe ministrat Lindita Nikolla, Damian Gjiknuri, si dhe Arben Ahemtaj kanë dhënë intervista në shqip në një prej kanaleve të radios së jashtme në Kinë, ku kanë vënë theksin te risitë e bashkëpunimit ekonomik me Kinën, më konkretisht atë të investimeve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë në vend. Për ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, ndihma financiare e qeverisë së Kinës për arsimin është një gjest për t’u falënderuar.
Ftesa
Rama u fokusua së tepërmi tek energjia dhe investimet në infrastrukturë