Rama Ne negociata per ndertimin e 3 aeroporteve

Rama: Ne negociata per ndertimin e 3 aeroporteve

Kryeministri Edi Rama e cilëson si antikombëtare marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2004 për dhënien me koncesion të Aeroportit të Rinasit, e cila ka hequr mundësinë e krijimit të aeroporteve alternative. Duke folur nga Vlora, ku u prezantuan kandidatët për këshilltarë të bashkisë së qytetit bregdetar, Rama deklaroi se pavarësisht kësaj situate, po negociohet për të ngritur dhe tre aeroporte të tjerë përkatësisht në Vlorë, Sarandë dhe Kukës, ku është i përfunduar prej vitesh. Aeroporti i Vlorës, tha ai, është pjesë e rëndësishme e dy projekteve për të cilat po punohet tashmë që kanë të bëjnë me sportin dhe turizmin. Rama ndërsa ka folur më tej për një tjetër projekt të nisur tashmë, Lungomaren, ka kritikuar opozitën që sipas kryeministrit, akuzon pa dhënë alternativa zgjidhje.

 

Aeroportet

 

“Për fat të keq, një qeveri socialiste ka bërë një marrëveshje tërësisht antikombëtare me koncesionin e dhënë për aeroportin e Tiranës, duke i dhënë ekskluzivitetin asaj kompanisë për të gjithë qiellin e Shqipërisë. E që të ndërtojë Shqipëria një aeroport tjetër, duhet të marrë leje nga ata. Ne po negociojmë. Negociatat janë në drejtimin e duhur. Ne nuk e lëmë Shqipërinë me një aeroport. Kjo është e sigurt”, - deklaroi nga Vlora kreu i qeverisë. Ai shtoi më tej se ekzistojnë tashmë dy projekte të mëdha për Vlorën për të cilat është i nevojshëm edhe aeroporti.

 

“Ambicia jonë është që t’i hapim rrugë dy projekteve të mëdha për Vlorën, për të cilat po punojmë ngushtësisht; një projekt me një grup të madh investitorësh nga Turqia dhe një projekt tjetër me një grup të madh investitorësh nga Emiratet e Bashkuara. Dy projekte zhvillimi fantastik për Vlorën. Deri sa të kemi sigurinë që i kemi gati për të nisur, nuk jemi duke bërë shumë publicitet. Gjithsesi janë dy projekte me orientim nga turizmi dhe nga sporti, si pjesë e zhvillimit turistik, të cilat janë të pakonceptueshme pa një aeroport.

 

Kështu që aeroporti është pjesë e projektit të përbashkët dhe ne po e negociojmë shumë fort me koncesionarin në Tiranë, për të bërë të mundur që të vazhdojmë me ndërtimin e aeroporteve; aeroportit të Kukësit, aeroportit të Vlorës dhe aeroportit të Sarandës. Janë tre aeroporte të domosdoshme, për të cilat ka interesim real”, - deklaroi ai. Rama foli edhe për projektin e Lungomares,që sipas tij, po sulmohet qëllimisht nga opozita. “S’durojnë dot për Lungomaren. Na dolën edhe gjarpërinj në rërë.

 

E kuptoni apo jo, që nëse ka një gjë që nuk ekziston në rërë është gjarpri. Po kush është budalla, e ha gjarprin komplet”, - tha ai duke shtuar se Lungomare ka pasur tre projekte brenda projektit, dy të financuara nga qeveria shqiptare dhe një nga Bashkimi Evropian. E ndërsa prezantoi angazhimet e qeverisë në mbështetje të projekteve në Vlorë, Rama bëri apel për votën ndaj grave duke e cilësuar si një nga vendimet më të rëndësishme, ndryshimet ligjore në Kodin Zgjedhor që përcaktojnë se 50 % e grave në këshillat bashkiakë do të jenë femra. “PS dhe LSI kanë realizuar një premtim programor. Burrat duhet të kuptojnë se pa gratë nuk kanë ku shkojnë.

 

Unë e kam kuptuar dhe besoj se Dritani e ka kuptuar”, - deklaroi Rama në takimin ku ishte i pranishëm dhe kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane për bashkinë e Vlorës, Dritan Leli. Më tej Rama theksoi se edhe vet e ka kuptuar që pa gruan nuk ka ku shkon. “Duke e pasur bindjen dhe nga eksperienca ime që sa herë pyes gruan asnjëherë nuk gaboj i falënderoj dhe njëherë të gjitha gratë dhe vajzat dhe i shpreh bindjen se me doktori do kenë një marrëdhënie të shkëlqyer”,­ u shpreh Kryeministri. Më tej ai ka kritikuar dhe fushatën opozitare e cila, sipas Ramës, nuk është fokusuar tek politikat për pushtetin vendor por tek ato qeveritare.

 

“Po bëjnë fushatë absurde a thua se SHQUP­i në 21 qershor do të vijë në qeveri. SHQUP­i flet për gjëra që nuk kanë lidhje fare. Thotë që do çojnë taksat më të ulëtat në Ballkan. Si do i çojnë? Ata bëjnë premtime për të peshkuar budallenj, që të besojnë se në 21 Qershor ju dhe votën atyre dhe do të kthehet prapa rrota e historisë dhe të gjitha politikat e qeverisë do të fshihen me një të rënë të lapsit”, - tha ai. Kryeministri Rama u ndal dje edhe në parkun Arkeologjik të Orikumit, i cili është përfshirë në Guidën turistike të Shqipërisë. Deri një vit më parë, Parku ishte lënë jashtë itinerarit turistik të vendit, për shkak të gjendjes së rrënuar, monumenteve të mbuluara nga ferrat, mungesës së udhërrëfyesit dhe çdo tabele informuese. Pas një projekti rehabilitues të Ministrisë së Kulturës, është rikthyer në një destinacion atraktiv i turizmit elitar.

 

Kryeministri: 22 qendra shëndetësore në zonat turistike

 

22 qendra të reja shëndetësore do të jenë në dispozicion të pushuesve dhe turistëve për të krijuar të gjitha mundësitë për mbarëvajtjen e gjithë sezonit veror. Projekti është prezantuar dje nga Vlora, nga kryeministri Edi Rama ndërsa ishte i pranishëm dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja. Qendrat do të jenë 24 orë të hapura për gjatë gjithë sezonit, kjo në mënyrë që vizitorët të marrin shërbimin mjekësorë pranë vendeve ka ata kanë zgjedhur të pushojnë.

 

“Në kohë zero kush ka nevojë për ndihmë mjekësore do ta marre atë, aty pranë pa pasur nevojë për të kaluar peripecitë që shtohen në periudhën e verës”, - deklaroi Rama. Ky shërbim i ofruar, sipas kryeministrit, është një mbështetje e drejtpërdrejtë dhe për operatorët turistik. “Kjo është një mbështetje e drejtpërdrejtë për operatorët për ofruesit e shërbimeve, për pronarët e hoteleve, të cilët këtë nisëm e bëjnë pjesë të promovimit të hotelit apo shërbimit të tyre”. – deklaroi ai. Kryeministri shtoi se qeveria ka sfidë rritjen e kapaciteteve në turizëm, ndaj sipas tij janë bërë ndryshimet e nevojshme ligjore çka do të mundësojnë investime strategjike të huaja.

 

22 qendra shëndetësore do të funksionojnë me shërbim 24 orë, me mjek dhe infermier dhe do të shtrihen në të gjithë vendin; 19 përgjatë vijës bregdetare nga Velipoja në Ksamil dhe 3 të tjera në Alpe (Valbonë, Razëm, Theth). Ky funksionim 24 orësh do të vijojë deri në fund të muajit gusht. Qendrat janë të pajisura me një set standard mjetesh mjekësore. Po ashtu, ato janë furnizuar me barna dhe materiale të nevojshme mjekësore, në vlerën e rreth 200 mijë dollarëve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama