Rama Nese preket KQZ zgjedhjet do te kontestohen pa u mbajtur

Rama: Nese preket KQZ, zgjedhjet do te kontestohen pa u mbajtur
Lideri i opozitës, Edi Rama, ka paralajmëruar Kryeministrin Sali Berisha se nëse do të prekë KQZ-në, ai do të jetë përgjegjësi direkt për dështimin e zgjedhjeve, të cilat do të kontestohen edhe nga ndërkombëtarët, që para se ato të mbahen. Në një intervistë në emisionin “Top Story” në “Top Channel”, Rama rrëfeu edhe historinë e ribashkimit me Ilir Metën…

Zhvillimet e fundit në KQZ, mund të konsiderohen prej jush si një argument më shumë për të treguar një tentativë të pushtetit për të kontrolluar zgjedhjet?

Ne nuk kemi nevojë për argumente plus. Jo vetëm që PS me LSI duhet të bashkoheshin, por bashkimi është një hap i natyrshëm për t’i dhënë fund një anomalie në sistemin politik shqiptar, pasi gjithë ajo që ka ndodhur me KQZ është një shprehje brutale e së vërtetës që zgjedhjet janë të kërcënuara dhe që kërcënimi vjen nga i njëjti person dhe e njëjta parti. Kjo është një arsye e mjaftueshme për të kapërcyer të shkuarën të gjithë së bashku dhe që më 23 qershor të ndryshojmë fytyrën e këtij vendi. Jo më larg se dje, Banka e Shqipërisë thotë se në vitin e shkuar dhe në tremujorin e parë të këtij viti, kemi një rënie dramatike të pagës reale të shqiptarëve dhe Banka thotë se paga reale ka rënë 9,4% me vitin e kaluar. E çfarë do të thotë kjo? Që ka rënë fuqia blerëse e shqiptarëve, ajo që kemi thënë gjithmonë për një propagandë të shfrenuar të rritjes së pagave, që nuk është shoqëruar me rritje të fuqisë blerëse.

Në fjalën e tij, guvernatori Fullani tha se një mundësi përmirësimi ishte falja e kredive të këqija të 1990-s për biznesin dhe individët. Si e gjykoni këtë propozim?

Ne jemi shumë të përqendruar te nevoja për t’i lënë stabilitet sistemit tonë financiar, është një stabilitet në prag të një kërcënimi të madh dhe me këtë duhet bashkërendim i të gjitha forcave, duhet konsensus, sepse ekonomia shqiptare sot po mbërrin aty ku kemi thënë që 2009-n, në krizë.

Nisma për ndryshimin e anëtarit të LSI-së në KQZ erdhi 24 orë pasi kjo forcë mbështeti në këshillin bashkiak, Lulzim Bashën. Mendoni nëse duhet të ketë më dilema Meta për pushtetin lokal?

Nuk besoj se ka dilema të tilla. Është një proces i shpejtë tranzicioni, që ka të bëjë me struktura që duhen ridizajnuar në bazën e shumicave të reja që tani janë edhe në nivel vendor e shumë shpejt këto shumica do të veprojnë për të vendosur vullnetin sovran në funksion të një vendimmarrje që s’do të jetë asnjë rast penguese, por vijimësisht në funksion të vullnetit të qytetarëve.

Ka pasur debate përse LSI nuk ka ende një vendim politik për pushtetin lokal. Vendimi që ju thoni është edhe qëndrimi zyrtar i LSI-së?

Nuk po flas për një vendim, por për një funksionim të natyrshëm. Këtu nuk ka pjesë marrëveshjeje, pasi ky është funksionimi i natyrshëm i një shumice që përfaqëson tashmë shumicën e shqiptarëve. Sot ka pasur një deklaratë, si asnjëherë tjetër të shkoqur, të thënë troç nga Brukseli, në lidhje me atë që ndodh me KQZ-në, që do të thotë se edhe bashkësia ndërkombëtare e ka sosur durimin. Anëtari i KQZ mund të hiqet vetëm kur kryen një vepër penale apo vdes. Askush nuk ka vdekur, ai që ka vdekur është vetëm pushteti i Saliut.

Votimi për anëtarin e KQZ është shtyrë për të hënën. U tha që PD nuk ka votat e mjaftueshme, me gjithë deputetët e PS-së që i janë bashkangjitur. A do të tentoni gjetjen e një kompromisi?

Nuk ka kompromis për marrëveshjen që është sanksionuar mbi shumicën e cilësuar. Kthehemi pastaj te tre ligjet dhe sot është shembulli më i ri që problemi nuk është te ligjet që kemi, por si zbatohen. Drejtohemi nga një personazh që ligjin e konsideron si një letër pa vlerë, kur është në nevojë, për të arritur vlerë monetare apo politikë të shtuar.

Kjo marrëveshje me LSI-në thatë që garanton votën e shqiptarëve. Dikur akuzonit LSI-në se bashkëpunoi në vjedhjet e votave në Tiranë? Në këtë deklaratë doni të thoni që votat tani do t’ju vidhen më pak, sepse ai që ju ka vjedhur do të vjedhë me ju apo çfarë?

Jam shumë i vetëdijshëm që ka shumë pyetje që mund të ngrihen duke u bazuar në të shkuarën, por politika nuk është shkencë e së shkuarës, por një instrument për të zgjidhur problemet aktuale, duke parë nga e ardhmja. Ama vota jonë sot është shumë më e mbrojtur, pasi shumica që përfaqësojmë sot është e pakapërcyeshme nga vjedhjet, deformimet, nga makineria e vjedhjeve me shofer Sali Berishën.

Nëse PD e bën fakt të kryer zëvendësimin në KQZ, me një shumicë të thjeshtë, cilat do të jenë hapat që do të ndiqni? Një nga mundësitë është që LSI të kërkojë zëvendësimin e anëtarit të PBDNJ-së.

Më lejoni t’ju siguroj që edhe në këtë rast, siç e shikoni, logjika e këtij bashkimi nuk është ajo që dikur shkaktoi ndarjen apo ajo që në momente të caktuara, që nga viti i keq i ndarjes ka bërë të pamundur bashkëpunimin. Logjika e këtij bashkimi bazohet në projektin e përbashkët strategjik dhe për të shkuar përpara me vetëdijen që u detyrohemi shqiptarëve një transformim që e presin prej vitesh. Përgjigjja, ne nuk shkelim ligjin dhe dy gjëra duhet të dinë mirë njerëzit, të vetmuarin Sali nuk e shpëton dot nga disfata e 23 qershorit asgjë, sikur të marrë të gjithë KQZ dhe në vend të anëtarëve të vendosë “shtatë shaljanë”, sikur të bëjë gjithçka mund të përfytyrohet, nuk do të përmbysë dot vullnetin e shqiptarëve. Nëse kjo do të ndodhë, do të njollosë shumë keq Shqipërinë dhe zgjedhjet që përpara se ato të mbahen, do të njolloste Kryeministrin direkt, e procesi zgjedhor të jetë i kontenstuar ndërkombëtarisht që pa u mbajtur zgjedhjet.

Në një deklaratë të publikuar në këtë moment, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë shpreh mbështetjen e saj për shtyrjen e votimit për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së dhe kërkon një konsensus mes palëve. Duket se ka një përpjekje për të gjetur një bonsens dhe kjo do t’ju përfshijë edhe ju?

Ne nuk kemi asgjë për të lëshuar, pasi nuk kemi kapur asgjë. KQZ ishte në punë të vet, ne kemi vërejtjet tona, kritikat tona, por atë duhet ta lëshojë ai që e ka kapur dhe të jeni të sigurt që këto sinjale sot, janë të parat e një përshkallëzimi në rast se këtu nuk do të ndalet përpjekja për të përmbysur KQZ, duke përmbysur Kushtetutën, ligjin dhe duke kthyer KQZ-në nga një administratë në shërbim të qytetarëve, në një vegël për të çuar përpara projektin e dëshpërimit në verën e vetmisë së madhe.

T’i rikthehemi pak marrëveshjes. E di që ju do ta quani telenovelë rozë, por publiku dëshiron të dijë detajet. Ju thatë do të bëhet publike së shpejti e plotë.

Jemi duke punuar mbi një kartë parimesh, që do ta bëjmë publike në momentin e duhur, përpara se të shpallet përfundimisht gjithë fronti i koalicionit tonë, ku presim të bashkohen edhe të tjerë.

Sa zgjati takimi me Metën? Do të ketë qenë i vështirë, a ka një pikënisje në darkën e famshme?

Po, ka një pikënisje, një vendosje komunikimi që në atë kohë kishte atë funksion që unë kam thënë, por që sigurisht që hapi edhe rrugën e një komunikimi njerëzor, që është pjesë e patjetërsueshme e një procesi afrimi dhe bashkëpunimi, bashkimi mes përfaqësuesish politikë të ndarë për një arsye dhe nuk është rastësi e kotë, por është pjesë e teknikës së negocimit edhe mes forcash ekstremalisht të kundërvendosura që të krijojnë kushtet për komunikim njerëzor, siç kemi rastin për periudhën e përgatitjes së paqes së famshme Izrael-Palestinë.

Gjërat që kanë ndodhur në Shqipëri janë të paprecedenta, si raporti “love and hate” me Ilir Metën. A pati një personazh që ju pajtoi?

Ka pasur persona të afërt me njërën palë dhe tjetrën. Ka pasur miq dhe dashamirës, partnerë ndërkombëtarë të Shqipërisë që kanë shfrytëzuar edhe komunikimin personal e jo vetëm ata të së majtës europiane, për të krijuar këtë, por ajo që ju siguroj që më ka bashkuar mua me kryetarin e LSI-së dhe bashkon dy partitë, është thirrja ulëritëse e këtij vendi për të ndryshuar drejtim, duke larguar pengesën mal që ka përpara, që është pushteti i partisë familjare të Kryeministrit dhe vetë Kryeministri, e sigurisht për t’i dhënë më pas të majtës e të gjitha forcave progresiste e liberale në Shqipëri mundësinë që të qeverisin radikalisht ndryshe.

Janë thënë shumë gjëra, si do ta kapërceni 21 janarin se nuk e kuptoj dot?

Së pari, duke e nisur nga fundit, inserti s’ka lidhje me atë që po ndodh dhe e dyta, duke parë përmbledhjen që të gjithë natyrshëm mund të bëjnë pyetje vetes përse Edi Rama e ka kapërcyer aspektin personal dhe si ka mundësi që i ka harruar të gjitha këto. Përgjigjja e kësaj pyetjeje është sepse nëse në jetën private mund të ndodhë ndryshe, në jetën publike, me përgjegjësinë shumë të madhe të kryetarit të PS, në kushtet kur Shqipëria po rrënohet dhe po shkon drejt greminës, ka vetëm një imoralitet, është ai imoralitet që të mos bësh gjënë e duhur kur është momenti për ta bërë dhe gjëja e duhur sot, në këtë moment, është ky bashkim për të garantuar jo sigurinë e përkohshme timen, por për të garantuar një fitore nga e cila dua të siguroj të gjithë shqiptarët, nuk do të vijë një pushtet personal për mua, por do të vijë një transformim i Shqipërisë, duke e larguar përfundimisht nga skena njeriun që mban peng Shqipërinë…. Nuk lodhem kurrë t’ju them që bashkimi ynë është garanci që 21 janari s’do mbetet një farsë. Përgjegjësia për zgjidhjen e kësaj çështjeje do na takojë neve nesër. 21 janari është një nga arsyet që më ka shtyrë mua personalisht të harroj të gjitha qëndrimet e mia dhe të Metës. Dora që vrau dhe truri që i dha urdhër dorës duhet të dalin para ligjit. Humbja me nder do na ekspozonte përpara sa e sa 21 janarëve të tjerë.

Zoti Rama, ç’do të bëni me aleancat parazgjedhore?

Nëse FRD-ja është PD pa Saliun, kjo është e qartë dhe nuk ka ekuivok. Projekti i tyre është të rilindin PD-në, sepse Shqipërinë as e rilindin dot, as e qeverisin sot. Ndërkohë që për AK duhet të presim edhe ca ditë që të kuptojmë nëse është Saliu pa PD apo është një forcë opozitare. Është një forcë që do vendoset mes këtij koalicioni dhe pushtetit për të çoroditur shqiptarët me spazma nacionaliste dhe moraliste, me spazma që shkojnë deri në ksenofobi, apo është një forcë që është e gatshme t’i qëndrojë të gjithë atij boshti, për të cilin ka fituar edhe simpati mes shumë njerëzve, që është lufta pa kompromis kundër korrupsionit, vendosja e shtetit ligjor dhe ndëshkimi i atyre që janë përfshirë në projekte antikombëtare. Me Lesin jam takuar si mik dhe jemi të hapur për koalicion me PBDNJ dhe PDIU-në. Kjo sepse sa kohë të jetë mali përballë, as grekët, as çamët nuk do të realizojnë dot aspiratat e tyre.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama