-Gjatë interpelancës në Kuvend për prishjen e kishës së Shën Thanasit, në Dhërmi -
TIRANË, 15 Tetor/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë pretendimet për prishjen e kishës së Shën Thanasit në Dhërmi, duke deklaruar të enjten në mbrëmje në Kuvend se "ngrehina në fjalë nuk ka qenë kishë as edhe një ditë të vetme".
Deklarata e kryeministrit u bë gjatë një interpelance të kërkuar nga deputeti dhe kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule, i cili i kërkoi shpjegime kreut të qeverisë lidhur me bazën ligjore mbi të cilën ndodhi akti i prishjes së Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi.
Dule e konsideroi "akt të trishtueshëm prishjen e këtij objekti" në një vend që siç tha ai "kishte vuajtur pasojat e të qenurit ateist". Prishjen e këtij objekti më 26 gusht të këtij viti, Dule e cilësoi një akt të errët që cënonte të drejtat e njeriut dhe liritë fetare në Republikën e Shqipërisë.
Duke iu përgjigjur interpelancës në Kuvend, Kryeministri Rama deklaroi se "objekti në fjalë nuk është kisha martire e Shën Thanasit, madje ngrehina në fjalë nuk ka qenë kishë as edhe një ditë të vetme".
"Vërtetë çdo ngrehinë mund të jetë objekt provizor kulti, por kanunet kishtare dhe estetike të përbotshme na mësojnë se jo çdo objekt kulti meriton të quhet kishë. Historianët dhe studiuesit nuk kanë qenë në gjendje të thonë nëse kjo ngrehinë dhe këndi që shërben si altar, kanë qenë ndonjëherë të shuguruar sipas rregullave nga autoriteti kishtar", tha Rama, ndërsa shtoi se vetëm ky fakt e bën objektin e interpelancës nul.
Sipas tij, Inspektoriati Ndërtimor nuk ka shembur një kishë, por një ngrehinë të rëndomtë pa leje, ndërtuar në mënyrë skandaloze jo nga kisha, por nga brutaliteti individual i viteve '90, mbi një monument historik.
Për më tepër, Kryeministri shtoi se "prishja e objektit në fjalë ishte thjesht një akt i zbatimit të ligjit dhe detyrës nga Bashkia Himarë në vazhdën e rilindjes urbane, në një zonë pasurish të rralla natyrore dhe historike të rrënuara prej vitesh të tëra abuzimi dhe braktisje". Ai theksoi se Bashkia Himarë ka ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara nga ligji për prishjen e një ndërtimi të rëndomtë pa leje, që nuk mund të hynte në proces legalizimi, pasi në zona me interes të veçantë historik, kulturor dhe arkeologjik, nuk lejohen legalizimet e ndërtimeve pa leje.
Pjesa dërrmuese e banorëve të Dhërmiut, sipas Kryeministrit Edi Rama "ka qenë dakord me prishjen e këtij objekti që nuk përfaqësonte asnjë gjë, në një territor që ka 38 kisha të mirëfillta të vjetra dhe të reja". Në këtë drejtim, Rama garantoi se komuniteti do të vazhdojë të ketë mbështetje për të ndërtuar edhe kisha të tjera nëse i nevojiten dhe padyshim në bashkëpunim me autoritetet kishtare që përcaktojnë se çfarë është një kishë dhe çfarë është një ngrehinë e rëndomtë.
Duke kërkuar më tepër respekt për vendet e kultit, Rama tha se "në rastin konkret duhet të tregohet më tepër respekt për një vend ku ndodhen rrënojat e kishës së vërtetë të Shën Thanasit, e cila ka qenë shpallur Monument Kulture në vitin 1963 dhe më pas është hequr nga lista në vitin 1969.
Ai nënvizoi se tashmë i është hapur rruga rindërtimit të shëmbëlltyrës së kishës së vjetër të Dhërmiut dhe rikthimit të asaj hapësire të historisë që ne nuk mund ta pranonim të varrosur nën atë objekt skandaloz.
Duke sjellë në vëmendje fakte historike, kryeministri u ndal te misioni i murgut Nil Katalani, i cili i mësonte gjuhën shqipe banorëve jo vetëm ortodoks por edhe atyre që i përkisnin feve të tjera. Ndaj sipas tij, "ajo nuk ishte vetëm kishë, por ishte edhe një hapësirë ku mësohej gjuha shqipe".
"Unë nuk e kam kuptuar dot asnjëherë se si ju, dhe sivllezërit tuaj me kombësi greke ndiheni pronarë të pemës së ortodoksisë dhe të komunitetit ortodoks në Shqipëri. Ju rikujtoj se ortodoksët shqiptarë nuk kanë qenë kurrë dhe nuk janë grekë, ashtu sikundër hapësira e besimit të tyre, liritë dhe të drejtat e tyre fetare nuk janë nën asnjë juridiksion tjetër, përveç juridiksionit të Republikës së Shqipërisë", deklaroi Rama në vijim të interpelancës.
(vijon)