Rama Qesharake qe kapen pas flamurit

Rama: Qesharake qe kapen pas flamurit

Vizita e kryeministrit Edi Rama në Serbi më 22 tetor, varet nga reagimi i autoriteteve serbe për incidentin e rëndë ndodhur në ndeshjen përballë Shqipërisë. Kreu i qeverisë shqiptare komentoi ngjarjen në stadiumin “Partizani” në Beograd, gjatë një interviste telefonike për France 24. Kryeministri Rama e cilësoi qesharake faktin se Serbia u kapë pas një flamuri për të fajësuar shqiptarët.

Sipas kryeministrit Rama qeveria serbe zgjodhi rrugën e njëjtë me huliganët e saj, atë të retorikës nacionaliste dhe brutale, ndërsa Shqipëria rrugën e paqes.

 

Intervista e plotë e kryeministrit Edi Rama për France 24

Z, kryeministër, shumë faleminderit që pranuat t’i përgjigjeni pyetjeve tona në “Paris Direct” sonte. Vëllai juaj është përfshirë në këtë incident. A ka pasur ai apo jo një rol në gjithë këtë?

Edi Rama: Në radhë të parë duhet të theksoj se është qesharake që njerëzit të kapen pas një flamuri, i cili fluturoi mbi një stadium ku valëviteshin mijëra flamuj serbë dhe ku nuk kishte asnjë tifoz shqiptar, sepse na u ndalua që tifozët shqiptarë të ishin të pranishëm, pikërisht për të evituar që ndeshja të degradonte. Dhe, mbi të gjitha duhet theksuar, gjithashtu, se deri në atë moment, kishin ndodhur dhe shumë gjëra të tjera, dhe unë kam parë gjithnjë që kur në Evropë kur këndohet himni i një kombi mbahet qetësi, ndërsa në stadium himni ynë u shoqërua nga thirrjet “vdekje shqiptarëve”.

A mund t’i përgjigjeni direkt pyetjes sime nëse vëllai juaj ka qenë direkt i implikuar në këtë histori.

Edi Rama: Unë u përgjigja duke thënë që kjo është absolutisht qesharake dhe vëllai im ndodhej aty me rreth 50 shqiptarë të tjerë të pajisur me bileta të rregullta nga Federata Shqiptare e Futbollit, të cilët ndiqnin ekipin. Ai ndodhej në tribunën VIP të stadiumit. Ata u kontrolluan në aeroport, u kontrolluan dhe në hyrje të stadiumit dhe nuk kishte asnjë shans që të mund të fusnin aty brenda një dron dhe ta telekomandonin. Gjithë kjo është pjesë e një tentative të dëshpëruar për t’ia vënë fajin Shqipërisë, kur ndërkohë fatkeqësisht ajo ndeshje futbolli u transformua në një arenë urrejtje raciste etnike të papranueshme dhe të padurueshme.

Në 22 tetor Ju do zhvilloni një vizitë historike në Serbi. A është e kompromentuar kjo vizitë tani?

Edi Rama: Mua më vjen keq për gjithçka ndodhi në stadium, sepse i takonte autoriteteve serbe të përgjigjeshin për sigurinë në stadium gjatë gjithë zhvillimit të ndeshjes, dhe më vjen akoma më keq që, në vend që të dënonin dhunën dhe të distancoheshin nga ky spektakël i papranueshëm për Evropën, qeveria serbe zgjodhi me retorikën e saj që të ndjekë tifozët serbë dhe të atyre që shkatërruan imazhin e futbollit dhe imazhin e vendit të tyre. Kurse ne zgjodhëm rrugën tjetër, rrugën e të sjellit si evropianë, zgjodhëm të mos i përgjigjeshim retorikës nacionaliste dhe brutale, zgjodhëm që të vazhdonim rrugën tonë drejt së ardhmes dhe që të vazhdojmë punën për paqen, kooperimin dhe për dialogun midis gjithë vendeve të rajonit ku mbas 100 vitesh, është në vitin e saj të parë pa asnjë konflikt. Ndaj dhe ky kthim mbrapa është i papranueshëm ashtu sikurse këto diskutime të ngritura nga hiçi të një flamuri që provokon nderin e një kombi.

Z. Kryeministër, ju falënderoj shumë për përgjigjen tuaj dhe është e kuptueshme që vendimi juaj në lidhje me vizitën në Serbi do varet nga reagimi i autoriteteve serbe. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama