Në deklaratën për shtyp që u mbajt sot, për raportin e Komisionit Europian, kryeministri Rama u shpreh se raporti për të nuk nënkupton gjë tjetër veçse më shumë punë për qeverinë dhe më shumë realizëm për opozitën.
“Fjalia ime e fundit për këtë raport është, më shumë punë dhe përgjegjësi për qeverinë më shumë realizëm e përgjegjshmëri për opozitën", tha Rama.
Kryeministri i vendit e nisi fjalimin e tij me një falënderim të përgjithshëm:
“ Një falënderim i ndjerë për ministrin e Jashtëm dhe ministrin tonë të Integrimit, falënderoj ministrat që kanë qenë në vijën e parë për të ndjekur me vullnet të pesë prioritetet, duke filluar nga ministri i Brendshëm dhe duke vazhduar me ministrin e Drejtësisë, e të Mirëqënies Sociale, Kryetarit të Kuvendit Meta i cili është vënë në dispozicion të përpjekjes së përbashkët për Shqipërinë në BE”, u shpreh Rama.
“Nuk është për të larë gojën, por edhe një falenderim i sinqertë për kryetaren e Komisionit të Integrimit Europian, Majlinda Bregu që ka pasur rolin e vet në këtë proces”, u shpreh Rama.
Kryeministri shprehu vlerësimin e tij për ecjen para në politikat antikorrupsion, për inspektoratin, ndërsa për atë që raporti shprehu, theksoi se duhet më shumë punë për një numër të shumtë hetimesh që nuk shkojnë në dënime.
Rama bëri me dije se: “ Rritja e performancës në kapjen e lëndëve narkotrafike dhe arrestimi i trafikantëve është një e dhënë që përbën një inkurajim dhe një pikë reference për ne dhe duhet të përbëjë një pikë reference edhe për opozitën”.
Kryeministri i bëri thirrje kampeve politike për më shumë bashkëpunim:
“ I bëj thirrje kampeve në parlament të ndarë sigurisht në funksion të një demokracie funksionale dhe kampeve të qytetarëve përfaqësues të vendit, që të bëhemi bashkë për të bërë axhendën partiake në funksion të axhendës ndërkombëtare e cila ka si qëllim Shqipërinë Europiane”.
Rama gjithashtu shprehu se Shqipëria e meritonte statusin e vendit kandidat që në dhjetor:
“Shqipëria e meritonte statusin e vendit kandidat që në dhjetor dhe i kam dhënë arsyet e shtyrjes së këtij vendimi, dhe argumentet që shteteve anëtare ju duhej më shumë kohë nëse puna e qeverisë do të jetë e qëndrueshme dhe nëse do të ketë një bilanc të qëndrueshëm në këtë drejtim”.
“Besoj që ne me këto muaj që na u dhanë për të provuar veten, e provuam dhe nuk ndjehem sot në as një mënyrë në kushtet për të folur për triumf. Nuk do të dëgjoni për triumfalizëm as nga unë as nga qeveria, se rruga drejt integrimit vjen duke u vështirësuar, ashtu sikurse matura shkon në universitet e kërkon më shumë punë e përkushtim, sa për ta krahasuar”, theksoi Rama.
“I gezohem faktit që ne ja dolëm të bëjmë punën tonë” , bëri me dije kryeministri.